Presidenti francez Emmanuel Macron, u kërkoi prindërve sot që t’i mbajnë fëmijët adoleshentë në shtëpi, ndërsa propozoi kufizime në media sociale për t’iu dhënë fund trazirave që u përhapën në të gjithë Francën, pas vrasjes fatale nga policia të një 17-vjeçari.
Protestat kanë rezultuar deri më tani me arrestimin e rreth 900 personave. Pas një takimi të dytë në këto kohë trazirash me ministra të lartë, Macron pohoi se platformat e mediave sociale si Snapchat dhe TikTok luajtën një “rol të konsiderueshëm” në nxitjen e akteve të dhunës gjatë protestave këtë javë.
Ai tha se qeveria e tij do të punojë me kompanitë e teknologjisë për të vendosur procedura për “heqjen e përmbajtjes më të ndjeshme”, por nuk specifikoi përmbajtjen, duke theksuar se pret një “frymë përgjegjësie nga këto platforma”.
“Autoritetet franceze planifikojnë gjithashtu të kërkojnë, kur është “e dobishme”, identitetet e atyre që përdorin këto rrjete sociale për të nxitur trazira ose për të përkeqësuar dhunën”, u shpreh presidenti francez.
Macron tha se një e treta e individëve të arrestuar mbrëmjen e djeshme ishin të rinj dhe se sipas tij “është përgjegjësi e prindërve” që t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi.
Protestuesit ngritën barrikada, ndezën zjarre dhe qëlluan me fishekzjarrë ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës, topa uji dhe granata trullosëse. Gjatë këtyre protestave rreth 200 njerëz mbetën të plagosur. 40.000 oficerë janë angazhuar për të rivendosur rendin dhe sigurinë në vend.