MENU
klinika

Shtyhet vendimi për bashkimin me UT!

“S’dinë çfarë po votojnë”/ Kaos në Universitetin e Korçës

27.06.2023 - 09:39

Sistemi financiar mund të luajë një rol të rëndësishëm në luftën ndaj ndryshimeve klimatike.

Diskutime të ashpra në mbledhjen e senatit të universitetit të Korçës “Fan S. Noli” ku pedagogët u ndanë pro dhe kundër shndërrimit të tij në filial të Universitetit të Tiranës. Pro shkrirjes mësohet të kenë qenë vetëm tre anëtarë të senatit, mes tyre vetë rektori, dekani i Fakultetit të Bujqësisë Gjergji Mero dhe ish-dekani i Fakultetit Ekonomik, Fredi Çuçllari.

Ndërsa pjesa tjetër janë shprehur kategorikisht kundër, duke e cilësuar procesin e votimit të manipuluar e madje janë shprehur se ata që votuan pro as nuk e kanë pasur idenë se çfarë po votonin. Në debat e sipër, titullari Dhimitër Bello është dorëhequr, por pak minuta më vonë duket se ka ndërruar mendje, duke e cilësuar deklaratën e tij emocionale. Si përfundim, Senati ka kthyer vendimin për bashkimin me Universitetin e Tiranës duke e shtyrë diskutimin për mbledhjen e radhës. Prej vitesh, Universiteti i Korçës është përballur me uljen e numrit të studentëve dhe mbylljen e programeve të studimit, çka ka detyruar rektoratin t’i bindet urdhrit të qeverisë për shkrirjen e tij me qëllim për ta shndërruar një filial të Universitetit të Tiranës, njëjtë siç ka ndodhur vite më parë me atë të Sarandës.

Nëse ky vendim merret, Universiteti i Korçës bëhet i pari universitet në vend që vendos bashkimin me Universitetin e Tiranës, vendim që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm akademik. Si procedurë, vendimi i senatit akademik të Universitetit të Korçës duhet të kalojë për miratim më tej edhe në senatin e Universitetit të Tiranës dhe më pas fjalën e fundit për bashkimin e Universitetit të Korçës me të Tiranës do ta ketë Këshilli i Ministrave. Në Universitetin e Korçës mësohet se studiojnë rreth tre mijë studentë në katër fakultete.

REKTORATI

Rektorati i Universitetit “FAN S. NOLI”, në një deklaratë pas mbledhjes plot tension të ditës së djeshme është shprehur se nisma për t’u bashkuar me Universitetin e Tiranës do të rishqyrtohet në mbledhjet e ardhshme, ku do të jepet një vendim përfundimtar. “Ashtu siç jeni vënë në dijeni këto 24 orët e fundit nga diskutimet që janë bërë publike në media dhe në rrjete sociale, Senati Akademik i UNIKO ndërmori një nismë për hartuar një strategji për kapërcimin e sfidave që e presin, nëpërmjet fillimit të procedurave dhe koordinimin e kritereve të bashkimit me Universitetin e Tiranës.

Pas një diskutimi më të gjerë në nivel njësie qendrore dhe njësie baze, kjo nismë do të rishqyrtohet në mbledhjet e ardhshme të organeve vendimmarrëse të Universitetit, te cilat do të dalin me një vendim përfundimtar”, citohet në njoftimin për mediat, ndërkohë që shton se aktualisht Universiteti “Fan S. Noli” vijon të jetë një institucion i arsimit të lartë në funksion të plotë të të gjitha detyrave dhe rolit te tij. “Senati Akademik, Bordi i Administrimit, Rektori, Rektorati dhe Dekanatet e tij vijojnë punën e tyre normale ne te mire te veprimtarisë akademike, si një institucion i arsimit te lartë që përmbush çdo pritshmëri dhe detyrim moral dhe akademik ndaj studentëve aktualë dhe atyre që do ta zgjedhin në vitet e ardhshme akademike”, thuhet në deklaratë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN