Sekretari i OMONIA-s, Marin Suli tha se çështjen e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri do ta çojnë në Strasburg nëse nuk gjen zgjidhje. Suli i ftuar në emisionin Now në Euronews Albania u shpreh se janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Belerit dhe nëse kjo nuk ndodh, kanë gati dosjen të cilën do ta çojnë në gjykatën ndërkombëtare.
“Siç edhe jemi shprehur më parë, po presim që Gjykata e Lartë të caktojë datën e ndryshimit të masës së arrestit. Duke pasur shumë pak besim te institucionet e drejtësisë shqiptare, e kemi përgatitur dosjen që ta çojmë në Strasburg, nëse do lindë nevoja. Shpresojmë që Gjykata e Lartë t’i thërrasë mendjes dhe të kthejë çështjen në shinat e ligjit. Vendimi i Strasburgut është i detyrueshëm për shtetin shqiptar”, tha Suli.