Afër mesnatës së të mërkurës shtëpia e vjetër e familjes Gurra në fshatin Sumë të Pultit është përfshirë nga flakët. Familja jetonte në Shkodër dhe informacioni se u është djegur shtëpia u ka ardhur nga banorë të fshatit.
Ditën e djeshme, babë e bir, Gjokë e Eduard Gurra janë nisur drejt banesës së tyre të djegur me qëllimin për të verifikuar se çfarë ka ndodhur. Pak pa mbërritur në oborrin e banesës ata kanë ra në pritë duke u qëlluar me breshëri kallashnikovi e për pasojë të dy kanë humbur jetën në vend. Policia e Shkodrës bëri me dije se ngjarja ka ndodhur në orën 16:40 minuta, sipas telefonatës që është kryer nga banorë të fshatit, ndërkohë u janë dashur më shumë se dy orë të mbërrijnë në vendin ku janë gjetur të pajetë babë e bir. Policia deri orëve të vona të së djeshmes nuk ka mundur të lokalizojë ndonjë person të dyshuar, ndërkohë që hetimet kanë nisur në një sërë pistash.
POLICIA
Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur ditën e djeshme (29 qershor 2023) në Dukagjin të Shkodrës. Babë e bir, Gjokë Gurra dhe Eduard Gurra janë ekzekutuar për vdekje nga persona ende të paidentifikuar. Mësohet se babë e bir janë zënë në pritë në shtëpinë e tyre në Dukagjin, ndërsa prej vitesh jetonin në qytetin e Shkodrës. Gjokë Gurra ishte kryeplak i fshatit Bruçaj. Policia thotë se ngjarja ka është regjistruar rreth orës 16:40, në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult.
Një zjarrvënie e qëllimshme e shtëpisë së tyre në Dukagjin një natë më parë, ka bërë që Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe Eduard Gurra, 31 vjeç, të shkojnë në vendin e origjinës së tyre për të parë dëmet e shkaktuara. Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën shtëpisë, ndërsa duket si një skenar i përgatitur për t’i zënë në pritë babë e bir. Të dy viktimat rezultojnë pa precedentë penalë, madje Gjokë Gurra kishte punuar në Policinë e Shkodrës, deri në vitin 2008, kur ka dhënë dorëheqjen. Prej rreth 15 vitesh, bashkë me djalin ka punuar kryesisht me lëndë drusore për ngrohje dhe transportimin e tyre në Shkodër. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë. Gjokë Gurra ishte babai i dy djemve, ndërsa djali i tij, Eduardi, ishte baba i dy vajzave. Ende po punohet për identifikimin e autorit/autorëve që mund të fshihen pas kësaj ngjarjeje.
HETIMET
Grupi hetimor që ka marrë të dhënat e para në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka tronditur Shkodrën ka nisur mbledhjen e informacioneve paraprake. Në fokus janë një mori personash, ndërkohë që hetimi është përqendruar në dy pista që lidhen të dyja me punët që kryente kryefamiljari Gjokë Gurra. Sipas të dhënave, ai ishte kryeplak i fshatit Bruçë, pjesë e të cilit është edhe lagjja Sumë, vendi ku dhe ndodhi krimi i rëndë.
Policia dhe Prokuroria kanë marrë në pyetje personat që popullojnë zonën ndërkohë që kanë bërë edhe krehje të krahinës edhe pse kanë qenë shumë vonë. Po ashtu, po punohet në pistën e ndonjë konflikti që mund të kenë pasur babë e bir me ndonjë banorë të zonave të Pultit për shkak edhe të sipërmarrjes së tyre për të furnizuar me dru mali zonën e Shkodrës. Babë e bir prej më shumë se 15 vjetëve merren me tregtimin e druve të zjarrit, çka mund të mbahet si një pistë konflikti me ndonjë person tjetër që mund të ketë dashur të hyjë në këtë biznes. Por gjithashtu po punohet fort për të mësuar edhe nëse kryeplaku, i cili u ekzekutua në pritë në derën e shtëpisë ku ka lindur, të ketë kryer detyrën në lidhje me atë çka e kanë parësore; raportimin për kultivimin e lëndës narkotike.
Do të jenë familjarët dhe të afërmit e viktimave që do të tregojnë gjithçka dinë mbi atë që ka ndodhur, ndërkohë që nëse ekziston dyshimi i dytë që lidhet me punën si kryeplak, Policia e Shkodrës duhet të jetë në dijeni të personave që sundojnë në zonë me kultivimin e kanabisit. Në fakt zonat e mbi Shkodrës kanë qenë në fokus të policisë prej muajsh, por ende Policia dhe as Prokuroria nuk kanë një pistë konkrete nga ku po kërkohen autorët e sulmit që iu morën jetën babë e bir.