Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë në Veri është e paarsyeshme dhe e dëmshme.
Në një deklaratë për Klan Macedonia, Kurti u shpreh se Serbia e merr si frikë ose dobësi mos marrjen e masave nga Perëndimi për rrëmbimin e tre policëve kosovarë nga forcat speciale serbe dhe sulmet e bandave kriminale nga Beogradi ndaj gazetarëve dhe kameramanëve kosovarë.
“Heshtja e shumicës së faktorit ndërkombëtar është e paarsyeshme dhe e dëmshme. Nuk i kontribuon as de-eskalimit e as normalizimit. Meqënëse çfarëdolloj hezitimi për t’i quajtur gjërat dhe zhvillimet me emrat e tyre të vërtetë, nga regjimi autokratik në Beograd do të merret si frikë ose do të merret si dobësi”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Më herët ditën e sotme, polica kosovare ka arrestuar shtetasin serb, Nemanja Vllaskoviç i cili është një nga të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarëve më 29 maj në komunën e Leposaviqit.