MENU
klinika

Analiza

Lufta është brenda kufijve të Rusisë dhe ajo s’bën dot asgjë

01.06.2023 - 09:30

Nga Marsela Shytia

Sulmet e Rusisë kundër Ukrainës, nuk përbëjnë më lajm, që pasi kaluan një a dy muaj nga fillimi i luftës. Ndërsa e kundërta është pa dyshim ngjarje që merr vëmendjen e të gjithëve. Kështu ka ndodhur me një sulm me dron në kryeqytetin rus, i cili raportohet se la dy persona të plagosur dhe disa ndërtesa të dëmtuara, një incident i rrallë në Moskë pas muajsh lufte. Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin tha se nuk raportohet për lëndime serioze nga sulmi ajror, i cili shkaktoi “dëmtime të vogla”. Kremlini sigurisht që ia atribuoi sulmin me dron Ukrainës, duke e konsideruar “akt terrorist”, megjithëse Kievi mohoi çdo përfshirje në të, ndonëse pranoi se ishte “i kënaqur” të shihte një rritje të aktiviteteve të ngjashme përtej kufijve të Rusisë. Tani nuk dihet nëse do të përdoret si “justifikim” për të ashpërsuar sulmet kundër Ukrainës, ashtu siç autoritetet ruse paralajmëruan, apo do të bëjnë që rusët të humbasin besimin tek presidenti rus Vladimir Putin dhe aftësia e ushtrisë së tyre.

Lufta brenda Rusisë

Ka pasur një sërë incidentesh brenda territorit rus që kur Moska nisi një pushtim të plotë të fqinjit të saj shkurtin e kaluar, duke sinjalizuar se nuk ka më dyshime se lufta po futet brenda Rusisë. Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha të martën: “Sigurisht, ne kënaqemi duke parë dhe parashikuar një rritje të sulmeve. Por sigurisht, ne nuk kemi të bëjmë drejtpërdrejt me të”. Podolyak tha: “Rusia gradualisht do të paguajë për gjithçka që bën në Ukrainë”. Alexander Khinshtein, një anëtar i parlamentit rus nga partia Rusia e Bashkuar e Putinit, tha se sulmi me dron të së martës në Moskë ishte “një realitet i ri që do të duhet ta njohim”. “Pa dyshim, sabotazhet dhe sulmet terroriste nga Ukraina vetëm sa do të rriten. Ne duhet të forcojmë në mënyrë drastike masat e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht në fushën e luftimit të dronëve”, tha Khinshtein. Ai tha se fakti që dronët u rrëzuan “nuk duhet të ngushëllojë askënd”, përpara se të shtonte: “Mos e nënvlerësoni armikun”. Ndërkohë, Yevgeny Prigozhin, kreu i kompanisë ushtarake private ruse Wagner, shpërtheu, duke ia hedhur fajin Ministrisë ruse të Mbrojtjes, që sipas tij nuk po bënte “absolutisht asgjë”.

Dronët UAV

Sulmi i fundit, dhe më i rëndi deri tani në kryeqytet, u krye duke përdorur UAVtë mesme ose të vogla. Sipas rusëve, deri në 25 UAV, mjete ajrore pa pilot, morën pjesë në sulmin e mëngjesit në Moskë dhe rajonin përreth, dhe shumica e tyre u rrëzuan ose u bllokuan nga pemët për shkak të lartësisë jashtëzakonisht të ulët të fluturimit. Nga videot që qarkullojnë në rrjet, dronët ukrainas duket se janë të tipit “Beaver” të prodhuar nga Ukroboronprom, një nga kompanitë kryesore ukrainase në sektorin e mbrojtjes. “Beavers” janë avionë me helikë shtytëse, krahë të drejtë, pajisje fikse uljeje dhe platforma të përparme që mund të mbajnë një ngarkesë prej rreth 75 kilogramësh në distanca të gjata. Në fakt, distanca maksimale e tyre është rreth një mijë kilometra. Nga videot mund të vërehet se ato lëvizin nga një motor me djegie të brendshme dhe përmasat dhe janë rreth dy metra.

Unmanned aerial vehicle - Wikipedia

Dronët UJ-22

Burime të tjera raportojnë se, përveç “Beavers”, ukrainasit përdorën dronët e tipit UJ-22 të prodhuar nga Ukrjet, avionë me helikë, krahë të drejtë dhe aeroplan me hapje krahësh 4.2 metra dhe gjatësi 3.7 metra. UJ-22 mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 200 km/h. Për më tepër, ai mund të fluturojë deri në një lartësi prej 5000 metrash dhe ka një distancë maksimale prej 8 orësh ose rreth 800 kilometra. Droni mund të mbajë edhe ngarkesa të ndryshme, duke përfshirë pajisje dhe armatim të specializuar, si bomba, mina apo të tjera. Dhe mesa duket ai është përdorur për tentativën për vrasjen e Presidentit Vladimir Putin më 23 prill të vitit të kaluar, kur një UJ-22 u lëshua nga Ukraina, me synim një park industrial afër Moskës, ku Putini duhej të mbante një fjalim. Megjithë suksesin e sistemeve të mbrojtjes ajrore të kryeqytetit rus, sulmi tregon se hapësira ajrore e Federatës nuk është e padepërtueshme, prandaj lindin pikëpyetje se sa efektive janë realisht sistemet ruse të radarëve zbulues/gjurmues.