MENU
klinika

Ja si funksionon

Macja juaj është sëmurë? Një aplikacion i ri mat nivelin e dhimbjes!

19.06.2023 - 12:52

Lajm i mirë për adhuruesit e maceve. Tashmë, falë një aplikacioni do të mund të kuptoni nëse “miqtë” juaj me katër këmbë kanë dhimbje apo vuajnë për ndonjë arsye.  Një kompani me bazë në Tokio të Japonisë prezantoi një aplikacion smartphone e që përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar nëse një mace ka dhimbje.

Nuk është gjithnjë e lehtë të dallosh, nëse një mace është e sëmurë. Ndonjëherë, njerëzit që i kanë nuk e kuptojnë se po vuan nga një lëndim ose sëmundje e vogël derisa problemi bëhet serioz. Në fakt është e vështirë të përcaktohen nivelet e dhimbjes nga shprehjet e fytyrës dhe sjellja e një maceje. Për këtë lindi aplikacioni që përdor inteligjencën artificiale, për të analizuar shprehitë e maceve dhe për të zbuluar shenja dhimbjeje ose vuajtjesh.

Aplikacionin e zhvilloi Carelogy Inc, që shpreson se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë me diagnostikimin dhe kurimin në kohë.

Në bashkëpunim me Universitetin Nihon, studiuesit mblodhën rreth 6 mijë foto macesh duke përdorur një metodë të zhvilluar nga një ekip kërkimor në Universitetin e Montrealit. Nëpërmjet vlerësimit të elementeve të ndryshëm, nga pozicioni i veshëve, te sytë dhe mustaqet e kafshës, rezultatet i nënshtrohen një përllogaritjeje, me mbështetjen e inteligjencës artificiale. Kjo për të përcaktuar nëse një mace ka dhimbje. Modeli ka një shkallë saktësie mbi 90%.

Funksionimi i aplikacionit është i thjeshtë. Përdoruesit thjesht ngarkojnë foto të maceve të tyre në aplikacionin Carelogy, i cili analizon imazhet për të vlerësuar nëse kafshët shtëpiake po shfaqin ndonjë shenjë dhimbjeje. Go Sakioka, shefi ekzekutiv i Carelogy:

Shpresoj që aplikacioni të përdoret si një mjet për të identifikuar shpejt ndryshimet në shëndetin e një maceje.

Aplikacioni disponohet falas në faqen e internetit të kompanisë. Në të ardhmen, kur të jetë përmirësuar, ai do të bëhet me pagesë.

Prof. Ryuji Fukushima, i cili është diplomuar për Mjekësi Veterinare në Universitetin e Bujqësisë dhe Teknologjisë në Tokio, tha:

Kërkimet për të zbuluar dhimbjen tek kafshët shtëpiake po përparojnë në Japoni dhe jashtë saj, kështu që aplikacione të ngjashme të inteligjencës artificiale, ka të ngjarë të zhvillohen në të ardhmen. Nëse përdoret në Mjekësinë Veterinare, mund të eliminojë diagnozat e gabuara të bëra nga veterinerët, duke lejuar diagnoza më objektive.