MENU
klinika

Pse ka dështuar Franca dhe Gjermania me dialogun?

Mediat italiane: Kosova po bëhet “Tajvani i Ballkanit”

12.06.2023 - 12:27

Më 24 shkurt 2022, nisja e luftës në Ukrainë, duket se shënoi nisjen e periudhës së tretë dhe mbase të fundit të Luftës së Ftohtë. Rusia hapi kutinë e Pandorës, dhe Vladimir Putin, e ka çuar konkurrencën midis fuqive të mëdha në një fazë të re, shumë më të rrezikshme dhe të paparashikueshme se ato të mëparshmet. Siç shkruan “Inside Over”, rezultati i (pa)evitueshëm është rindezja e shpërthimeve të shuara dhe shkelja e vijave të kuqe të pacenueshme. Sot, periferi të vogla dhe të largëta janë në qendër të mosmarrëveshjeve midis gjigantëve, dhe konfliktet e ngrira deri më sot po marrin formën e vullkaneve të fjetura gati për të shpërthyer. Si rasti Serbi-Kosovë. Bashkëjetesa e brishtë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është vënë në provë nga lufta në Ukrainë. Dhe dialogu Beograd-Prishtinë, ka çuar vetëm në rrugë pa krye. Incidentet në veri të Kosovës në fund të majit, të cilat kulmuan me plagosjen e më shumë se dyzet ushtarëve të Forcës së Kosovës, janë kambana alarmi. Që nga viti 2008, nuk ishte regjistruar dhunë e përmasave të tilla.

“Tajvani i Ballkanit”
“Kosova nuk mund të jetë më çështje e rëndësisë dytësore”, shkruan “Inside Over”, duke shtuar se për Bashkimin Evropian, dhe veçanërisht për Italinë, duhet të jetë në krye të prioriteteve. Sepse rifillimi i mundshëm i procesit të copëtimit të Jugosllavisë, i ngrirë, por që nuk u ndal kurrë, mund të ketë pasoja edhe në pjesën tjetër të gadishullit. Kosova është për Evropën siç është Tajvani për Lindjen e Largët: një udhëkryq ku vijat e kuqe të fuqive të mëdha, në këtë rast Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, preken, takohen dhe përplasen. Prandaj, atyre që dëshirojnë të përshkojnë këtë udhëkryq të njohjes së kufizuar, u kërkohet të studiojnë hapat që duhet të ndërmerren sikur të ishin lëvizje që duhen bërë në një tabelë shahu. Turqia duket se po përfiton nga përkeqësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi për të rritur ndjeshëm praninë e saj në zonë. Ndërkohë, dialogu Beograd-Prishtinë i sponsorizuar nga BE-ja duket se ka ngecur dhe Administrata e Biden është e detyruar të qortojë Albin Kurtin se ka lejuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri.

Zgjidhje pa sukses
Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të vijë duke ngrohur supat e gatshme, siç është dialogu i pasuksesshëm, as me thirrjet për de-përshkallëzimin. Nevojiten propozime të reja, të cilat marrin parasysh situatën në terren dhe që përfshijnë të gjitha palët e interesuara – diçka që nuk është bërë kurrë deri më tani. Triada Francë-Gjermani-Shtetet e Bashkuara nuk mund të prodhojë zgjidhje përfundimtare, sepse nuk i jep peshën e duhur dy faktorëve kryesorë: identitetit dhe lidhjes. Prishtina ka frikë (me të drejtë) se dhënia e autonomisë komunave serbe mund t’i hapë rrugën shkëputjes ose, në rastin më të mirë, të çojë në një rritje të konsiderueshme të ndikimit të Beogradit mbi të. Beogradi po ashtu kërkon (me të drejtë) që pakica serbe të marrë përfaqësimin e duhur politik dhe të ketë një shkallë të caktuar autonomie mbi pjesën tjetër të vendit. Pasoja e një ngërçi të tillë mund të jetë vetëm një klimë nervozizmi të përhershëm.

Formula e paqes
Ajo që nevojitet në Serbi-Kosovë është një format 5+2, ku pesëshja përbëhet nga Italia, Turqia, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Shqipëria. Pasi palët kryesore të interesit të jenë mbledhur në tryezë, ndoshta të mbikëqyrur nga një arbitër,që mund të jetë Vatikani ose një organizatë ndërkombëtare mund të diskutohen problemet midis Serbisë dhe Kosovës. Zgjidhja që duket se ka më shumë gjasa të ketë efekte të përhershme konsiston në organizimin e një referendumi midis banorëve të vendeve në fjalë, nën kujdesin e vëzhguesve ndërkombëtarë, për të kuptuar nëse ekziston apo jo pëlqimi popullor për ndryshimin e kufijve me anë të shkëmbim tokash: pjesë të Luginës së Preshevës me Kosovën, pjesë të krahinave veriore të Kosovës me Serbinë. Plani nuk është pa rreziqe: Serbia mund të ndjekë të njëjtën strategji për të përçarë Bosnjën. Por vendimmarrësit, duhet të kuptojnë se koha për të larë hesapet me Jugosllavinë, një fantazmë që vazhdon të ndjekë Evropën, është tani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përmbledhja ditore e rajonit

‘Thaçi nuk e ka përkrahjen e popullit’

Një familjeje në luftë, frymëzon hyrjen e Kosovës në “Oscars”

“Zana” rrëmben hapësirë në mediat ndërkombëtare


“Financial Times” skanon zgjedhjet e Vuçiç

Pse presidenti serb po “luan sërish me dy porta”

"Perëndimi do të thyejë serbët…"

Lavrov: Në Kosovë po çrrënjoset Ortodoksia

Dy vendime historike do të merren në vetëm dy ditë

Mediat serbe japin alarmin: Një muaj i vështirë e pret Beogradin

Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE

Çfarë ndodh me krijimin e Asociacionit