MENU
klinika

Droga dhe alkooli

Motivet qesharake pse Ukraina mund të jetë humbëse…

22.06.2023 - 08:30

Forcat ukrainase e shpjegojnë shpeshherë me abuzimin me alkoolin dhe dehjen masive performancën e dobët të ushtarëve rusë që nga pushtimi i nisur vitin e kaluar.

Ushtritë janë zakonisht pasqyrë e shoqërisë së tyre, dhe alkoolizmi i shkaktuar nga konsumimi i tepërt i vodkës, ka qenë prej kohësh një arsye për jetëgjatësinë vazhdimisht të ulët të burrave në Rusi, rreth 64 vjeç.

Por nuk ka asgjë të pazakontë tek ushtarët që pijnë alkool, apo edhe diçka më të fortë. Që nga kohët e lashta, kur hoplitët grekë dhe legjionarët romakë hynin në betejë pasi ishin dendur me verë, alkooli ka qenë miku më i mirë i ushtarit, por ndonjëherë edhe armiku i tij vdekje-prurës.

Siç argumenton Lukaz Kamienski në librin e tij të ri “Një histori e drogës në fushën e betejës”, ushtarët e vijës së parë përjetojnë një shkallë aq të lartë stresi, saqë është thuajse e paimagjinueshme për civilët. Ata pritet të përballen me frikën e vdekjes së tyre, tmerrin e vdekjes së njerëzve rreth tyre, dhe detyrimin për të vrarë të tjerët që i vijnë përballë.

Prandaj gjatë gjithë historisë, ushtritë kanë zbuluar se konsumi i alkoolit në sasi të arsyeshme, i ndihmon ushtarët që ta menaxhojnë këtë stres, dhe për një kohë të shkurtër e rrit besimin e tyre dhe pakëson frenimin emocional, të cilat mund të jenë veti të paçmueshme në luftime. Ushtarët anglezë që luftonin kundër Holandës në shekullin e XVII-të, e ulën shpirtin luftarak të armikut të tyre, falë konsumit të një sasie xhini. Vetëm në vitin 1875, forcat e armatosura britanike konsumuan mbi 20 milion litra rum. Ndërkohë marinarët furnizoheshin me çerek litri alkool çdo ditë.

Droga dhe alkooli i kanë “karikuar” për shekuj me

Por teprimi me alkoolin, çon në pakujdesi dhe mungesë disipline.

Romakët mësuan se si t’i dobësonin kundërshtarët e tyre të frikshëm teutonikë (gjermanë) duke vendosur në pyll fuçi të mëdha më birrë që ata të deheshin përpara se t’i masakronin.

Nga ana tjetër sasia e madhe e vodkës së konsumuar, mund të ketë kontribuar në humbjen e Rusisë përballë Japonisë në luftën e viteve 1904-1905. Komandanti i fortesës Port Arthur u dorëzua kur në vend të furnizimeve me municion mori 10.000 arka me vodka.

Ushtarët rusë në Betejën e Mukdenit, u dehën aq shumë saqë sipas një gazetari rus, japonezët ishin në gjendje të vrisnin me bajoneta mijëra prej tyre “si të ishin derra”. Por edhe droga është përdorur nga luftëtarët për shekuj me radhë. Luftëtarët grekë e përdorën opiumin për t’u përgatitur për betejë.

Fanatizmi i vrasësve (hasasin) të shekullit XII-të në botën arabe, thuhet se ushqehej nga hashashi. Po ashtu fiset në Siberi dhe vikingët e kanë përdorur alkaloidin psikoaktiv që gjendet tek kërpudhat Amanita muscaria për të goditur armiqtë e tyre.

Luftëtarët e fiseve vendase në Amerikë e gjenin guximin tek gjethja e kokës. Lufta e Dytë Botërore solli prodhimin dhe shpërndarjen e amfetaminave nga të gjitha palët dhe në një shkallë industriale. Por asnjë ushtri nuk mund ta mposhtte Vehrmahtin kur bëhej fjalë për marrjen e pilulave.

Siç e thekson historiani i mjekësisë Nikolas Rasmusen:“Blitzkrieg-u gjerman fuqizohej nga amfetaminat po aq sa nga makinat”. Blitz-i, dhe sidomos divizionet e tankeve pancer që përparonin në një mënyrë të frikshme, nuk do të kishin qenë aq efektiv nëse trupat gjermane nuk do të kishin marrë dozën e duhur të Pervitinës, një lloj metamfetamine.

Kamienski thekson se kjo lloj droge e rrit vetëbesimin dhe marrjen në sy të rrezikut, e forcon përqendrimin dhe e redukton urinë, etjen, ndjeshmërinë ndaj dhimbjes dhe mbi të gjitha nevojën për gjumë. Midis prillit dhe korrikut 1940, kur nazistët po rrafshonin gjithçka që gjenin përpara, ushtarëve iu dhanë më shumë se 35 milionë tableta Pervitin.

Rusia duket se ka kopjuar një faqe nga “manuali” gjerman.

Një raport i fundit nga Royal United Services Institute, një institut kërkimor në Londër, tërhoqi vëmendjen ndaj përdorimit të dukshëm të amfetaminave nga forcat e tij. Burrave nga “Republikat popullore” të Luhanskut dhe Donjeckut dhe civilëve të mobilizuar por thuajse të pa trajtuar, u jepen amfetamina dhe lëndë të tjera narkotike në formë të lëngshme, përpara se të dërgohen në ato që janë në fakt misione vetëvrasëse.

Detyra e tyre është të avancojnë drejt pozicioneve ukrainase, duke tërhequr zjarrin e armikut, në mënyrë që ato pozicione të mund të lokalizohen me saktësi dhe të shënjestrohen më pas nga artileria ruse. Nëse tërhiqen, ka të ngjarë të pushkatohen nga pala e tyre.

Ndaj nuk është çudi që ata duhet të drogohen. Ushtarët ukrainas, që mbrojnë atdheun e tyre, nuk kanë nevojë për një motivim të tillë.

Por do të ishte shumë e pazakontë nëse droga dhe pijet, nuk do t’i ndihmonin të paktën disa prej tyre që ta kalonin sprovën e tyre të tmerrshme.