MENU
klinika

Nën hetim pronarët dhe muzikanët

Muzikë e lartë gjatë natës, konstatohen lokalet në Dhërmi

25.06.2023 - 11:49

Shërbimet e komisariateve të Policisë Vlorë dhe Himarë, si rezultat i kontrolleve gjatë natës, për parandalimin e shqetësimit të qytetarëve dhe pushuesve, nga ndotja akustike që është pasojë e muzikës së lartë në subjekte të ndryshme argëtimi, kanë konstatuar 3 raste të tjera të paligjshmërive në këtë fushë.

•Në Vlorë, në një lokal në lagjen “Uji i Ftohtë”, është konstatuar muzikë e lartë, në tejkalimin të përcaktimeve ligjore mbi nivelin e zhurmave.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit E. D. dhe T. N. pronari dhe menaxheri i këtij lokali, si dhe për 2 muzikantë në këtë lokal, shtetasit J. P. dhe A. R., për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim.

•Në Drimadhes, në 2 subjekte, shërbimet e Policisë kanë konstatuar muzikë, në tejkalim të orarit të përcaktuar.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 menaxherët e këtyre subjekteve, shtetasit E. T. dhe Dh. T., për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Në të treja rastet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale pajisjet që gjeneronin muzikën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të paligjshmërive në këtë fushë, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.