MENU
klinika

U prangos në një lokal poshtë shtëpisë së tij

Nata e parë e Safet Gjicit në qeli, nesër Gjykata e Posaçme jep masën e sigurisë

25.06.2023 - 17:14

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici është arrestuar ditën e djeshme për korrupsion. Gjici u prangos në një lokal poshtë shtëpisë së tij në Tiranë, te “Selvia”.

Urdhri për masën e arrestit me burg është lëshuar nga Gjykata e Posaçme dhe është ekzekutuar me urdhër të SPAK,  pasi Gjici akuzohet për “korrupsion pasiv”.

Kështu kryebashkiaku mbrëmjen e ka kaluar në qeli në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza”. Gjici ka zhvilluar sot një takim me avokatin e tij, Përparim Kulluri për strategjinë e mbrojtjes. Takim që ka zgjatur për një orë.

Gjykata e Posaçme pritet që nesër të verifikojnë masat e sigurimit, për Safet Gjicin dhe 40-vjeçaren Alma K., e cila u ndalua në Shkodër dhe është nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. Alma në video shihej duke kryer marrëdhënie seksuale me Gjicin në zyrë dhe pas aktit, kjo shtetase ka kërkuar favore pune.

Kujtojmë që në 16 qershor, kur u publikua videoskandali seksual në zyrën e tij, Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për ish-kryebashkiakun. Arrestimi i Gjicit është bërë vetëm një javë pas publikimit të videoskandalit, ku ish-kryebashkiaku shfaqej teksa kryente marrëdhënie seksuale në zyrën e tij.

Pas publikimit të kësaj video, përmes një postimi në rrjetet sociale Gjici dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kukësit, ndërkohë bëri me dije se me vajzën në të cilën shfaqej në video Alma.K prej kohësh kishte një lidhje dashurie.

Në postimin e tij, Gjici gjithashtu akuzoi kundërshtarët e tij politike duke thënë se e kanë futur në kurth pasi nuk e mposhtën dot në zgjedhjet lokale të 14 Majit.