Pensionistët e pleqërisë që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat do të përjashtohen nga pagesa e kontributeve shoqërore. Qeveria ka miratuar projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, i cili do tu japë mundësinë pensionistëve të vetëpunësuar që të mos paguajnë më kontributet shoqërore, të cilat nuk kanë asnjë efekt në pensionin e tyre.
Ndërkohë ky përjashtim nuk do të bëhet për pensionistët e punësuar me argumentin se “Duke qenë se i punësuari kontribuon në të gjitha degët e sigurimeve shoqërore dhe kontributet paguhen midis tij dhe punëdhënësit, përjashtimi nga pagimi i kontributeve pensionistëve të punësuar në sektorin privat do të deformonte tregu e punës, dëmtonte skemën e sigurimeve shoqërore dhe do të sillte problematika lidhur me administrimin fiskal”.
Kjo iniciativë prek 1484 përfitues të pensionit të pleqërisë të vetëpunësuar në sektorin privat, të cilët deri më tani kanë derdhur çdo muaj rreth 9500 lekë për efekt të sigurimeve shoqërore. Në total kjo kategori paguan 14,1 milionë lekë çdo muaj apo 169 milionë lekë në vit. Po ashtu, televizioni “Scan” thotë se drafti heq edhe pengesat që ekzistonin sa i takon përfitimit të pensionit, ku sipas ligjit në fuqi përfituesi nuk ka të drejtë për këste përfitimi për çfarëdo periudhe, kur merr pagë ose të ardhura nga veprimtaria ekonomike si i punësuar ose i vetëpunësuar.
Ndërsa ndryshimet detajojnë se “pagesa mujore nuk ndalohet nëse përfituesi i pensionit të pleqërisë punon në sektorin privat si i punësuar apo i vetëpunësuar. Sipas ndryshimeve në ligj, përfituesve të pensionit të pleqërisë, të cilët, ndërkohë që tërheqin këstin mujor të pensionit janë të punësuar ose të vetëpunësuar në sektorin privat, nuk u njihet periudha e punësimit si periudhë sigurimi, për efekte përfitimi nga ky ligj.