Epoka e Inteligjencës Artificiale “gjeneruese” ka ardhur tashmë. Chatbot-et e Openai-t, të cilët përdorin teknologjinë e modeleve të mëdha gjuhësore (LLM), hynë gjerësisht në përdorim në nëntor.
Tani pothuajse çdo ditë ka nga një përparim befasues. Kohët e fundit, një këngë e sajuar nga Inteligjenca Artificiale me zërat e këngëtarëve “Drake” dhe “The Weeknd”, tronditi industrinë e muzikës. Programet që konvertojnë tekstin në video, po krijojnë përmbajtje mjaft bindëse.
Së shpejti, produktet e konsumit si Expedia, Instacart dhe OpenTable do të përfshihen në programin e Openai-t, duke u lejuar njerëzve të porosisin ushqime ose të rezervojnë një festë, nëpërmjet tekstit të shkruar. Kohët e fundit, një inxhinier i Google, u shpreh se gjiganti i teknologjisë është i shqetësuar nga përparimi i shpejtë i rivalëve. Dhe do të ndodhin shumë më tepër përparime.
Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale ngre disa pyetje të thella. Ndoshta më e ngutshmja është: Çfarë do të thotë kjo për ekonominë? Shumë kanë pritshmëri të larta. Një hulumtim i ri nga Banka Goldman Sachs, tregon se “përhapja dhe përshtatja e Inteligjencës Artificiale mund të sjellë një rritje prej 7%, ose pothuajse 7 trilionë dollarë në PBB-në vjetore globale, gjatë një periudhe dhjetëvjeçare”.
Studimet akademike parashikojnë një rritje prej 3% të produktivitetit në punë në kompanitë që përdorin teknologjinë, dhe kjo do të përfaqësonte një rritje të madhe të të ardhurave gjatë shumë viteve.
Një studim i botuar në vitin 2021 nga Tom Davidson në firmën Open Philanthropy, parashikon se ka një shans prej më shumë se 10% për një “rritje shpërthyese”, pra një rritje në prodhimin global prej më shumë se 30% në vit, gjatë këtij shekulli. Disa ekonomistë me sens humori, parashikojnë mundësinë që të ardhurat globale të bëhen të pafundme.
Megjithatë, tregjet financiare tregojnë rezultate më modeste. Vitin e kaluar, çmimet e aksioneve të kompanive të përfshira në Inteligjencën Artificiale, kanë qenë më të ulëta se mesatarja globale, megjithëse janë rritur në muajt e fundit (shih grafikun 1).
Normat e interesit janë një tjetër e dhënë. Nëse njerëzit do të mendonin se teknologjia do t’i bënte të gjithë më të pasur nesër, atëherë normat do të rriteshin, sepse do të kishte më pak nevojë për të kursyer. Normat e përshtatura me inflacionin dhe rritja e PBB-së janë të lidhura ngushtë, vëren studimi nga Basil Halperin dhe kolegët e tij në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT).
Megjithatë, që kur filloi zhurma për Inteligjencën Artificiale në nëntor, normat afatgjata kanë rënë. Ato mbeten shumë të ulëta sipas standardeve historike. Tregjet financiare, mendojnë studiuesit, “nuk presin një probabilitet të lartë të përshpejtimit të rritjes së nxitur nga Inteligjenca Artificiale… të paktën në një horizont kohor 30 deri në 50-vjeçar”.
Për të gjykuar se cili grup ka të drejtë, duhet të merret parasysh historia e përparimeve të mëparshme teknologjike. Kjo është një pikë referimi për investitorët. Sepse është e vështirë të thuhet nëse një teknologji e re e vetme ka ndryshuar ndonjëherë rrënjësisht ekonominë, qoftë për mirë apo për keq.
Edhe revolucioni industrial i fundit të viteve 1700, u shkaktua nga një sërë faktorësh njëkohësisht: rritja e përdorimit të qymyrit, të drejta më të forta pronësore, mbizotërimi i shkencës, e shumë faktorë të tjerë.
Në vitet 1960, Robert Fogel botoi një vepër rreth hekurudhave të Amerikës, për të cilën më vonë do të fitonte çmimin Nobel në ekonomi. Shumë menduan se hekurudhat transformuan perspektivat e Amerikës, duke e kthyer një shoqëri bujqësore, në një central elektrik industrial.
Në fakt, Fogel zbuloi se ato patën ndikim shumë modest, sepse zëvendësuan një teknologji që do të kishte bërë një punë po aq të mirë, siç janë kanalet. Niveli i të ardhurave për person që arriti Amerika më 1 janar 1890, do të ishte arritur deri më 31 mars 1890, nëse hekurudhat nuk do të ishin shpikur asnjëherë.
Natyrisht, askush nuk mund të parashikojë dot me siguri se ku do t’i çojë njerëzit një teknologji tejet e paparashikueshme si Inteligjenca Artificiale. Rritja e madhe nuk është e pamundur, por as stanjacioni teknologjik.
Sidoqoftë, mund të shqyrtojmë ende mundësitë. Dhe të paktën deri tani, duket se hekurudhat e Fogelit mund të jenë një skenar që ka të ngjarë. Marrim parasysh tri fusha të gjera: monopolet, tregjet e punës dhe produktivitetin.
Një teknologji e re ndonjëherë krijon një grup të vogël njerëzish me fuqi të madhe ekonomike. John D. Rockefeller fitoi me rafinimin e naftës dhe Henry Ford me makinat. Sot, Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg mbizotërojnë falë teknologjisë.
Shumë ekspertë presin që së shpejti, industria e Inteligjencës Artificiale, do të gjenerojë fitime të mëdha. Në një punim të fundit, analistët e Bankës Goldman, vlerësojnë se në skenarin më të mirë, Inteligjenca Artificiale gjeneruese, mund të shtojë rreth 430 miliardë dollarë në të ardhurat vjetore globale të ndërmarrjeve.
Kjo llogaritje mbështetet në hamendësimin se secili prej 1.1 miliardë punonjësve të zyrave në botë, do të përdorë ndonjë lloj të Inteligjencës Artificiale, duke sjellë fitime rreth 400 dollarë shtesë për punëtor.
Çdo biznes do të ishte i lumtur të nxirrte këto përfitime. Por në terma makroekonomikë, 430 miliardë dollarë nuk është ndonjë shifër e jashtëzakonshme. Le të hamendësojmë se të gjitha të ardhurat do të ktheheshin në fitime, gjë që është jorealiste, dhe se të gjitha këto fitime do të nxirreshin në Amerikë, që është paksa më realiste.
Edhe në këto kushte, raporti i fitimeve të korporatave para tatimit, ndaj PBB-së së vendit, do të rritej nga 12% sot, në 14%. Kjo është një shifër shumë më e lartë se mesatarja afatgjatë, por jo më e lartë se sa në tremujorin e dytë të vitit 2021.
Këto fitime mund të shkojnë tek një organizatë e vetme, ndoshta Openai. Monopolet shpesh lindin kur një industri ka kosto të larta fikse ose kur konkurrentët e kanë të vështirë të operojnë. Për shembull, klientët nuk kishin alternativë ndaj naftës së Rockefeller-it, dhe nuk mund të prodhonin të tyren.
Inteligjenca Artificiale gjeneruese ka disa karakteristika monopoliste. GPT-4, një nga chatbot-et e Openai-t, thuhet se ka kushtuar më shumë se 100 milionë dollarë për t’u trajnuar, një shumë që nuk e kanë në dispozicion shumë firma. Ka gjithashtu shumë njohuri konfidenciale për të dhënat për trajnimin e modeleve, për të mos përmendur reagimet e përdoruesve.
Megjithatë, ka pak shanse që një kompani e vetme të pushtojë të gjithë industrinë. Më e mundshme është që një numër modest firmash të mëdha, të konkurrojnë me njëra-tjetrën, siç ndodh tani në fushën e aviacionit, artikujve ushqimorë dhe motorëve të kërkimit.
Asnjë produkt i Inteligjencës Artificiale nuk është me të vërtetë unik, pasi të gjithë përdorin modele të ngjashme. Kjo e bën më të lehtë për një klient kalimin nga njëri te tjetri. Fuqia llogaritëse pas modeleve është gjithashtu mjaft e përgjithshme.
Pjesa më e madhe e kodit, si dhe këshillat dhe truket, janë të disponueshme falas në internet, që do të thotë se edhe amatorët mund të krijojnë modelet e tyre, shpesh me rezultate jashtëzakonisht të mira.
“Sot nuk duket se ka ndonjë hendek sistematik në Inteligjencën Artificiale gjeneruese”, ka argumentuar një ekip në Andreessen Horowitz, firmë e kapitalit sipërmarrës. Një raport i fundit i publikuar nga Google, arrin në një përfundim të ngjashëm:
“Trajnimi dhe eksperimentimi nuk kërkojnë më një organizatë të madhe kërkimore. Mjafton një person me një laptop të mirë”. Tashmë ka disa firma gjeneruese me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë. Deri tani, korporata që ka përfituar më tepër nga epoka e re e Inteligjencës Artificiale, është Nvidia, kompani kompjuterike që fuqizon modelet e Inteligjencës Artificiale.
Çfarë do të bëhet me punëtorët?
Megjithëse Inteligjenca Artificiale gjeneruese mund të mos krijojë një klasë të re baronësh grabitës, për shumë njerëz kjo nuk do të jetë shumë ngushëlluese. Ata janë më të shqetësuar mbi perspektivat e veta ekonomike, në veçanti, nëse do të humbasin vendin e punës. Parashikimet e zymta janë të shumta.
Tyna Eloundou dhe kolegët e saj nga firma Openai, kanë vlerësuar se “rreth 80% e fuqisë punëtore amerikane, mund të ndikohet nga hyrja e modeleve të mëdha gjuhësore (LLM), për të paktën 10% të detyrave të punës”.
Edward Felten dhe kolegët e tij nga Universiteti Princeton kryen një ushtrim të ngjashëm. Shërbimet ligjore, kontabiliteti dhe agjencitë e udhëtimit, ishin në krye të sektorëve me profesionet më të cenuara nga fusha e Inteligjencës Artificiale.
Ekonomistët kanë lëshuar edhe më parë parashikime të zymta. Në vitet 2000, shumë kishin frikë nga ndikimi i kontraktimit te punëtorët e vendeve të pasura. Në vitin 2013, dy studiues në Universitetin e Oksfordit, botuan një dokument që tregonte se automatizimi mund të zhdukte 47% të vendeve të punës në Amerikë, në dekadën e ardhshme apo më vonë.
Të tjerë thanë se, edhe me mungesën e papunësisë, do të kishte “ndryshime masive”, ku punët e larta dhe të paguara mirë, do të zhdukeshin dhe vendin e tyre do ta zinin pozicionet e paguara keq.
Ajo që ndodhi në të vërtetë, i befasoi njerëzit. Në dekadën e fundit, shkalla mesatare e papunësisë në vendet e pasura, është përgjysmuar (shih grafikun 2).
Përqindja e njerëzve në moshë pune që janë të punësuar, është në nivelin më të lartë historik. Vendet me normat më të larta të automatizimit dhe robotikës, si Japonia, Singapori dhe Koreja e Jugut, kanë nivelin më të ulët të papunësisë.
Një studim i fundit nga Zyra Amerikane e Statistikave të Punës, zbuloi se në vitet e fundit, punët e klasifikuara si “në rrezik” nga teknologjitë e reja, “nuk shfaqnin ndonjë prirje të përgjithshme për t’u zhdukur nga Inteligjenca Artificiale”.
Dëshmitë për “zbrazjen e vendeve të punës” janë të përziera. Treguesit e kënaqësisë në punë u rritën gjatë viteve 2010. Për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, amerikanët më të varfër kanë gëzuar rritje më të shpejtë të pagave se sa më të pasurit.
Këtë herë mund të jetë ndryshe. Çmimi i aksioneve të firmës Chegg, një firmë që ofron ndihmë për detyrat e shtëpisë, kohët e fundit u përgjysmua, pasi kompania pranoi se ChatGPT “kishte ndikim në numrin e klientëve”.
Shefi ekzekutiv i kompanisë së madhe teknologjike IBM, tha se kompania pret që të ndalojë punësimin për role që mund të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale në vitet e ardhshme. Por a janë këto shenja të hershme që do të godasë një cunami? Ndoshta jo.
Përfytyroni sikur një punë do të zhduket kur Inteligjenca Artificiale të automatizojë më shumë se 50% të detyrave që ajo përfshin. Ose përfytyroni sikur punëtorët do të pushohen në përpjesëtim me pjesën totale të detyrave që janë të automatizuara, në mbarë ekonominë.
Në secilin rast, sipas vlerësimeve të zonjës Eloundou, kjo do të rezultonte në një humbje neto prej rreth 15% të vendeve të punës në Amerikë. Disa njerëz mund të zhvendosen nëpër industri që kanë mungesa të punëtorëve, siç është për shembull hoteleria.
Por kjo me siguri do të pasohej nga një rritje e madhe e shkallës së papunësisë, ndoshta me 15%, një shifër që u vu re në Amerikë në periudhën më të keqe të pandemisë Covid-19 në vitin 2020.
Megjithatë, ky skenar nuk ka gjasa të realizohet: historia tregon se në fakt, shkatërrimi i vendeve të punës ndodh shumë më ngadalë. Sistemi i automatizuar i telefonit, një zëvendësim për operatorët njerëz, u shpik në vitin 1892.
Vetëm në vitin 1921, Bell System arriti të instalonte zyrën e parë që ishte plotësisht e automatizuar. Edhe pas këtij momenti historik, numri i operatorëve telefonikë amerikanë vazhdoi të rritej, duke arritur kulmin në mesin e shekullit XX, në rreth 350,000 punonjës.
Ky profesion nuk u zhduk deri në vitet 1980, nëntë dekada pasi u shpik automatizimi. Inteligjencës Artificiale do t’i duhet më pak se 90 vjet për të përfshirë gjithë tregun e punës.
Modelet e mëdha gjuhësore janë të lehta për t’u përdorur dhe shumë ekspertë janë të habitur nga shpejtësia me të cilën publiku i gjerë ka përqafuar ChatGPT në jetën e përditshme. Ama, arsyet mbi përhapjen e ngadaltë të teknologjisë në vendet e punës, do të jenë të vlefshme edhe kësaj here.
Në një ese të kohëve të fundit, Mark Andreessen nga firma Andreessen Horowitz, parashtroi disa prej tyre.
Argumenti i tij përqendrohej tek ligjet rregullatore. Në disa pjesë të ekonomisë me përfshirje të madhe të shtetit, siç është arsimi dhe kujdesi shëndetësor, ndryshimi teknologjik ka prirjen të jetë shumë i ngadaltë si proces. Mungesa e trysnisë konkurruese, ul stimujt për t’u përmirësuar.
Qeveritë mund të kenë gjithashtu synime të politikave publike, si maksimizimi i niveleve të punësimit, të cilat nuk janë në përputhje me përmirësimin e efikasitetit. Këto industri kanë gjithashtu më shumë gjasa të bashkohen me sindikatat dhe siç e dimë, sindikatat janë të afta në parandalimin e humbjeve të vendeve të punës.
Shembujt janë të shumtë.
Drejtuesit e trenave në rrjetin publik të nëndheshëm të Londrës, paguhen afërsisht sa dyfishi i mesatares kombëtare, edhe pse teknologjia për t’i zëvendësuar pjesërisht ose tërësisht ata, ka ekzistuar për dekada.
Agjencitë qeveritare kërkojnë vazhdimisht që të plotësohen formularë në letër në lidhje me informacionin personal. Në San Francisko, qendra globale e Inteligjencës Artificiale, njerëzit punësohen ende si policë për të drejtuar trafikun gjatë orëve të pikut.
Shumë nga punët që rrezikohen nga Inteligjenca Artificiale, janë në sektorë të mbytur me ligje rregullatore. Rikthehemi te studimi i zotit Felten në Universitetin Princeton. Katërmbëdhjetë nga 20 profesionet më të cenuara nga Inteligjenca Artificiale, lidhen me mësuesinë (sidomos ato të gjuhëve të huaja dhe gjeografisë).
Por një qeveri duhet të jetë jashtëzakonisht e guximshme që të zëvendësojë mësuesit me Inteligjencën Artificiale. Përfytyroni titujt e gazetave për këtë lajm. E njëjta gjë vlen edhe për policët dhe luftimin e krimit.
Fakti që Italia ka bllokuar tashmë përkohësisht ChatGPT për shkak të shqetësimeve të privatësisë, ndërkohë që Franca, Gjermania dhe Irlanda po e shqyrtojnë si mundësi, tregon sa të shqetësuara janë qeveritë për efektet shkatërruese të punës së Inteligjencës Artificiale.
Ndoshta, me kalimin e kohës, qeveritë do të lejojnë zëvendësimin e disa vendeve të punës. Por vonesa do t’i krijojë hapësirë ekonomisë për të bërë atë që ajo ka bërë gjithmonë: të krijojë lloje të reja pune pasi të tjerat eliminohen.
Duke ulur kostot e prodhimit, teknologjia e re mund të krijojë më shumë kërkesa për mallra dhe shërbime, duke rritur punët që janë të vështira për t’u automatizuar. Një punim i botuar në vitin 2020 nga David Autor dhe kolegët e tij në Universitetin MIT, doli në një përfundim të mrekullueshëm. Rreth 60% e vendeve të punës në Amerikë nuk ekzistonin në vitin 1940.
Puna e “teknikut të thonjve” iu shtua regjistrit në vitin 2000. Pozicioni si “elektricist fotovoltaik diellor” u shtua vetëm pesë vite më parë. Kështu, ekonomia e Inteligjencës Artificiale ka të ngjarë të krijojë profesione të reja që sot, as nuk mund të përfytyrohen.
Efektet modeste në tregun e punës ka të ngjarë të shkaktojnë një ndikim modest mbi produktivitetin, që është edhe faktori i tretë. Përdorimi i energjisë elektrike në fabrika dhe familje, filloi në Amerikë në fund të shekullit XIX. Megjithatë, deri në fund të Luftës së Parë Botërore nuk pati ndonjë lulëzim produktiviteti.
Kompjuteri personal u shpik në vitet 1970. Kësaj radhe rritja e produktivitetit erdhi më shpejt, por gjithsesi ndihej e ngadaltë në atë kohë. Në vitin 1987, ekonomisti Robert Solow, deklaroi në mënyrë të famshme se epoka e kompjuterit ndihej “kudo, përveç statistikave të produktivitetit”.
Bota është ende duke pritur për një rritje të produktivitetit të lidhur me risitë e fundit. Celularët smartphone kanë qenë në përdorim të gjerë për një dekadë, miliarda njerëz kanë qasje në internet shumë të shpejtë dhe shumë punëtorë tani zhvendosen midis zyrës dhe shtëpisë sipas nevojës.
Sondazhet zyrtare tregojnë se më shumë se një e dhjeta e punonjësve amerikanë, tashmë punojnë në firma që përdorin Inteligjencë Artificiale, ndërsa anketat jozyrtare tregojnë shifra edhe më të larta. E megjithatë, rritja e produktivitetit global mbetet e dobët.
Inteligjenca Artificiale përfundimisht mund t’i bëjë disa industri shumë më produktive. Një punim nga Erik Brynjolfsson dhe kolegët e tij në Universitetin Stanford, shqyrtuan agjentët për ndihmën ndaj klientit.
Qasja në një mjet të Inteligjencës Artificiale, e rrit numrin e çështjeve të zgjidhura çdo orë me 14%. Edhe vetë studiuesit mund të bëhen më efikasë: GPT-X mund t’u japë atyre një numër të pakufizuar asistentësh kërkimorë pothuajse falas. Të tjerë shpresojnë se Inteligjenca Artificiale do të eliminojë joefikasitetin administrativ në kujdesin shëndetësor, duke ulur kostot.
Por ka shumë gjëra që shkojnë përtej arritjes së Inteligjencës Artificiale. Një shembull i tillë janë punët fizike, si ndërtimi dhe bujqësia, të cilat përbëjnë rreth 20% të PBB-së së vendeve të pasura.
Një model i madh gjuhësor nuk është shumë i dobishëm për dikë që mbledh perime në fushë. Mund të jetë i dobishëm për një hidraulik që rregullon një rubinet që pikon: një miniaplikacion mund të njohë rubinetin, të diagnostikojë defektin dhe të japë këshillë në lidhje me rregullimet.
Megjithatë, hidrauliku është ai që duhet të bëjë punën fizike. Pra, është e vështirë të përfytyrohet se pas disa vitesh, punët fizike do të jenë shumë më produktive se tani. E njëjta gjë vlen edhe për industritë ku kontakti i njeriut me njeriun, është pjesë e natyrshme e shërbimit, si hoteleria dhe kujdesi mjekësor.
Inteligjenca Artificiale gjithashtu nuk mund të bëjë asgjë për faktorin kryesor që pengon rritjen e produktivitetit në vendet e pasura: keqfunksionimi i sistemeve të planifikimit. Kur madhësia e qyteteve është e kufizuar dhe kostot e strehimit janë të larta, njerëzit nuk mund të jetojnë dhe të punojnë aty ku janë më efikasë.
Pavarësisht sa ide të reja të shkëlqyera mund të ketë shoqëria, ato janë funksionalisht të padobishme nëse nuk mund të ndërtohen në kohën e duhur. U takon qeverive kjo përgjegjësi. Teknologjia nuk është as këtu e as atje. E njëjta gjë vlen edhe për energjinë, ku lejet dhe infrastruktura janë ato që i mbajnë kostot e larta.
Është madje e mundur që ekonomia e mbështetur në Inteligjencën Artificiale, të bëhet më pak produktive. Marrim si shembull disa teknologji të fundit. Telefonat smartphone lejojnë komunikimin e menjëhershëm, por mund të jenë edhe një shpërqendrim. Ju jeni të lidhur me email 24/7, gjë që mund ta bëjë të vështirë përqendrimin.
Një punim në vitin 2016 nga hulumtuesit në Universitetin e Kalifornisë dhe MIT, zbuloi se “sa më e gjatë të jetë koha ditore e kaluar në email, aq më i ulët ishte produktiviteti”. Disa drejtues tani besojnë se puna nga shtëpia, që dikur mendohej se nxiste produktivitetin, tani u jep shumë njerëzve justifikimin për t’u dembelosur.
Vetë Inteligjenca Artificiale gjeneruese mund të ulë produktivitetin. Çfarë do të ndodhte, për shembull, nëse Inteligjenca Artificiale mund të krijonte në mënyrë të përkryer argëtim për çdo dëshirë tuajën? Për më tepër, pak njerëz kanë menduar për pasojat e një sistemi që mund të gjenerojë sasi të mëdha teksti në çast.
Për pesë minuta, GPT-4 prodhon një tekst koherent me 1000 faqe. Email-et spam do të jenë më të vështira për t’u zbuluar. Rastet e mashtrimit mund të rriten. Bankat do të duhet të shpenzojnë më shumë në parandalimin e sulmeve dhe kompensimin e njerëzve që pësojnë humbje.
Pikërisht ajo që na nevojitet
Në një botë të mbizotëruar nga Inteligjenca Artificiale, avokatët do të shumohen. “Në vitet 1970, mund të lidhej një marrëveshje disa milionëshe në 15 faqe”, thotë Preston Byrne nga firma ligjore Brown Rudnick. “Inteligjenca Artificiale do të na lejojë të mbulojmë 1000 rastet më të mundshme në projektin e parë dhe më pas palët do të debatojnë mbi të për javë të tëra”.
Një rregull i përgjithshëm në Amerikë është se nuk ka kuptim të padisni për dëmshpërblim nëse nuk shpresoni për një kompensim prej 250,000 dollarësh ose më shumë, pasi gjykata ka shumë shpenzime. Tani kostot e procesit gjyqësor mund të bien afër zeros.
Ndërkohë, mësuesit dhe redaktorët duhet të kontrollojnë se gjithçka që lexojnë, nuk është krijuar nga një Inteligjencë Artificiale.
Openai ka krijuar një program që ju lejon ta bëni këtë. Kështu, firma po i ofron botës një zgjidhje për një problem që e ka krijuar vetë teknologjia e saj. Inteligjenca Artificiale mund të ndryshojë botën në mënyra që sot është e pamundur të përfytyrohet.
Por kjo nuk do të thotë se ekonomia do të kthehet me kokë poshtë. Fogel shkroi se argumenti i tij nuk kishte për qëllim të përgënjeshtronte pikëpamjen se hekurudha luajti rol vendimtar në zhvillimin amerikan gjatë shekullit XIX, por përkundrazi, të tregonte se baza empirike mbi të cilën mbështetet kjo pikëpamje, nuk është aq thelbësore sa ç’hamendësohet zakonisht.
Nga mesi i shekullit XXI, një fitues i ardhshëm i çmimit Nobel, mund të arrijë në të njëjtin përfundim duke shqyrtuar Inteligjencën Artificiale./MONITOR