MENU
klinika

"E paarsyeshme qe nuk është mbajtur sot”

Rama anuloi mbledhjen, reagon Kurti: Mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave

14.06.2023 - 17:35

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri. Ai ka thënë se anulimi ka ndodhur nga homologu i tij, Edi Rama, dhe sipas Kurtit një gjë e tillë është e paarsyeshme. Kurti ka thënë se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave. Por sipas Kurtit, anulimi i mbledhjes së përbashkët nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit dhe sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke shtuar se bëhet fjalë për dy shtete të të njëjtit komb.

“Kjo mbledhje është përgatitur muaj më parë dhe me kryeministrin Rama ne jemi në kontakt dhe takohemi shpesh, mirëpo mbledhjet e dy qeverive janë diçka tjetër, nuk mund të zëvendësohen mbledhjet e qeverive me takime të kryeministrave për shkak se ne duhej të nënshkruanim 13 marrëveshje. I kemi 13 marrëveshje me tekst të dakorduar që po na presin në sirtar dhe konsideroj që mosnënshkrimi i tyre sot është gabim dhe çdo ditë që ato nuk janë të nënshkruara dhe nuk zbatohen është dëm për qytetarët tanë. Kjo nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit, sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ne jemi dy shtete por jemi të të njëjtit komb dhe duhet të punojmë sa me shumë, në funksion të saj ishte edhe mbledhje e dy qeverive qe për bindjen time është e paarsyeshme qe nuk është mbajtur sot”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka folur para gazetarëve në Prishtinë pasi ka dhuruar gjak në tendën e vendosur në sheshin “Nënë Tereza”.

“Ka ndodhur një anulim nga ana e kryeministrit Rama e mbledhjes që është dashur të mbahet sot. Në ditën e lidhjes së Prizrenit, 10 qershorin, 145 vjetori i kësaj ngjarje të madhe, të shtunën ne ishim në drekë dhe në ceremoni me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të shtunën flisnim se si të mërkurën do ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Asnjë ministër nuk e ka bërë asnjë vërejtje për asnjërën nga marrëveshjet, gjithçka është dashur të shkojë si është më së miri por ky anulim u bërë nga ana e kryeministrit Rama, ndërsa anulimi i mbledhjes si duhet të quhet, nuk më përket mua”, ka thënë ai.

Mbledhja qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ishte planifikuar të mbahej sot në Gjakovë, është anuluar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi se mbledhja mes dy qeverive nuk do të zhvillohej, duke thënë se në këto kushte, takimi nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Ndërkohë Kosova në reagimin e saj pas anulimit, tha se kjo është hera e parë që një mbledhje anulohet në mënyrë të njëanshme dhe ata që do humbasin janë qytetarët. Mbledhja e përbashkët Kosovë-Shqipëri u caktua në një periudhë mes tensioneve në komunat në veri, ku kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për qetësimin e situates me prezantimin e një draft-statuti për Asocacionin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kulmi i debateve për draftin e Asociacionit

Rama e Kurti takohen në Gjakovë, zbardhet axhenda e takimit