MENU
klinika

Jonila Godole

Si arriti deri këtu dhe si fiton PD-ja më 2025?

01.06.2023 - 14:17

Gjendja e Partisë Demokratike sot është rrjedhojë e një politike të gabuar dhe e vendimeve të gabuara për më shumë se një dekadë.

Nga viti 2013, PD ka shkuar nga humbja në humbje, pa bërë asnjëherë një analizë të shkaqeve dhe pa mbajtur askush përgjegjësi. Kjo situatë e ka kthyer humbjen në një normalitet, duke u dhënë mundësi humbësve të qëndrojnë në krye të partisë, duke bërë përgjegjës gjithmonë të tjerët dhe, pa reflektuar për rolin dhe vendimet e tyre të gabuara. Rezultati i zgjedhjeve të fundit, përveç humbjeve të njëpasnjëshme është ndikuar fort edhe nga bojkoti i zgjedhjeve lokale të vitit 2019 që solli shkëputjen e PD-së me elektoratin demokrat dhe me pushtetin lokal.

Fatkeqësisht, ky mentalitet bojkotues u zbatua edhe në zgjedhjet e 14 majit 2023 nga një pjesë e lidershipit të PD-së që nuk mbështeti daljen me 61 kandidatë, nuk u angazhua fare në fushatën elektorale, dhe u shfaq e dyzuar midis kandidatëve të PDsë dhe koalicionit „Bashkë fitojmë”. Votuesi i djathtë e ndëshkoi këtë dyzim, këtë mungesë koherence politike, duke mos votuar masivisht.

Afërmendsh, situata ku gjendet PD nuk është aspak pozitive, por si dilet nga kjo situatë dhe si mund të ringrihet e djathta për zgjedhjet e vitit 2025?

1. Analizë – PD ka nevojë për një analizë të thellë përpara se të ndërmerren hapa të tjerë për ristrukturimin dhe riorganizimin e partisë. Kjo analizë duhet t’u japë përgjigje të paktën dy pyetjeve kryesore:

– Cilat janë arsyet për dështimet e njëpasnjëshme të PD-së në dekadën e fundit?

– Çfarë duhet të bëjë PD që të jetë një alternativë fituese në zgjedhjet e vitit 2025? Për ta kryer këtë analizë, nevojitet me urgjencë ngritja e një grupi pune të përbërë nga anëtarë të kryesisë, të grupit parlamentar, të degëve, si dhe ekspertë të jashtëm.

2. Hapja e partisë – PD ka nevojë për një lidership të ri! Partia duhet të hapet për figura të reja, jo thjesht për politikanë karriere, por mbi të gjitha për profesionistë me karrierë të spikatur në fushat e tyre përkatëse, brenda dhe jashtë vendit.

Vetëm një transformim real dhe i vërtetë i PD-së, do tërhiqte si një forcë magnetike njerëzit më të aftë që mund të sjellin ndryshim, të punojnë në emër të qytetarëve dhe jo të një grupi të vogël që mban monopolin politik, ekonomik, dhe nuk e ka për gjë të bëhet palë me krimin e organizuar për të qëndruar në pushtet. Çdonjëri prej tyre do të ishte i denjë për të konkurruar si për postin e kryetarit, ashtu dhe për funksionet e tjera të larta drejtuese të PD-së.

3. Hapja e garës për zgjedhjen e ekipit drejtues të partisë, nga kryetari te strukturat, brenda tremujorit të fundit 2023, duke mundësuar një konkurrim të ideve dhe platformave, me një garë gjithëpërfshirëse, të drejtë, pa intimidime dhe pa manipulime.

4. Program modern – Formulimi i një programi dhe statuti modern për PD-në deri në pranverë 2024 me orientim të qartë të djathtë, që t’i flasë jo vetëm elektoratit tradicional të PD-së – të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve – por në mënyrë të veçantë edhe të rinjve, grave dhe diasporës.

Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë proces, dhe mbi të gjitha analizën më se të domosdoshme që i ka munguar PD-së në dekadën e fundit, do ta kthente atë në të njëjtën pikë ZERO dhe në të njëjtat debate shterpë ku gjendet sot. Për më tepër, beteja elektorale e vitit 2025 do të jetë akoma më sfiduese, prejse Partia Socialiste ka arritur tashmë të marrë bastionet tradicionale të së djathtës.

Por çdo disfatë në vetvete përmban edhe një shans të vyer për reflektim dhe për nxjerrje mësimesh si të ringrihesh dhe të fitosh nesër. Shanset e PD-së janë të mëdha, nëse ndryshon strategji dhe reflekton me aksion konkret, jo me eufemizma, slogane boshe dhe riciklim figurash të konsumuara politike.