Asokohe ishte vetëm 17 vjeç, ndërsa iu vihet pas dy dajave të tij të shkonin tek fqinjët e tyre në biznes dhe jo vetëm, për të folur për një konflikt të paradites. Takimi ishte lënë pas mesnate për shkak të mospasjes së pushuesve në plazh. Nipi adoleshent, u tha se u gjend mes plumbave.
U plagos edhe vetë, por tashmë ai është arrestuar si autor i asaj ngjarjeje ku mbetën të vrarë daja i tij, dy vëllezër nga pala tjetër dhe kamerieri i tyre, i cili u gjend në vendin dhe kohën e gabuar. Policia dhe Prokuroria e lanë atë ngjarje në një konflikt të çastit mes dy familjeve-biznesmenë, ku objekt i sherrit u la përplasja për shfrytëzimin e një hapësirë për hapjen e çadrave në plazh.
Ngjarja përveç numrit të madh të viktimave, tronditi vendin edhe për shkakun se njëri nga viktimat e asaj përplasjeje me armë ishte edhe Kujtim Ferracaku, i cili pak kohë para se të vritej vetë, iu kishte vrarë edhe djali i vetëm i tij. Nipi që shoqëroi dajat në atë tentativë për tu marrë vesh por që rezultoi fatale për jetën e katër personave u arrestua si autor, ndonëse i mbijetuari i asaj beteje bëri me dije se as ai dhe as nipi nuk kanë pasur armë, por janë qëlluar me vëllanë e tij, të ndjerin, Kujtim Ferracaku.
ARRESTIMI
Elmilind Dyli, i akuzuar si një prej autorëve të Masakrës së Velipojës të vitit 2021, ku 4 persona u vranë për shkak të një konflikti për shezlongët është vënë në pranga në Itali. I riu ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata, por u arratis për t’i shpëtuar dënimit. Kështu, Elmilind Dyli, një prej autorëve të akuzuar të masakrës së Velipojës të vitit 2021, me 4 persona të vrarë pas një sherri për shezlongët, u vu në pranga në Itali, ku ishte arratisur gjatë kohës që po hetohej në masën e “arrestit në shtëpi”.
Dyli, vetëm 17 vjeç, u arrestua menjëherë pas ngjarjes, por rezultoi se është nxjerrë nga qelia me një masë më të lehtë sigurie, të cilën e ka shfrytëzuar për t’i shpëtuar drejtësisë, thotë policia. I riu u lokalizua në zonën e Riminit në Itali, ku burime thonë se jetojnë edhe anëtarë të tjerë të familjes së tij. Atje u vu në pranga me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë ku do të përballet sërish me akuzat e vrasjes dhe armëmbajtje pa leje, për të cilat ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ajo që njihet si masakra e Velipojës, ndodhi në orët e para të 27 qershorit të 2021, dhe kishte si shkak një përplasje mes anëtarëve të familjes Gocaj dhe Verracaku për vendosjen e çadrave të plazhit përpara bizneseve të tyre.
Si pasojë e konfliktit me armë mbetën viktima vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj, kamerieri i hotelit të tyre, Myzerim Zeneli dhe Kujtim Verracaku. Hasan Verracaku dhe Elmilind Dyli, nipi i familjes Verracaku, u plagosën nga të shtënat. Gjithçka ndodhi në oborrin e Gocajt, ku sipas dosjes së Prokurorisë anëtarët e familjes Ferracaku shkuan të armatosur në një takim për sqarimin e ndarjes së parcelave të plazhit. Debatet përshkallëzuan në përdorimin e armëve të zjarrit që lanë pas 4 viktima dhe 2 të plagosur. Masakra e Velipojës erdhi në qendër të vëmendjes edhe pak ditë më parë kur 30-vjeçarja Milena Deraj u vu në pranga, me akuzën se i kishte marrë 340 mijë euro familjes së Abedin Verracakut me premtimin se do t’i ndihmonte për t’i shpëtuar dënimit maksimal në procesin gjyqësore.
DËSHMIA E DAJËS SË TË ARRESTUARIT
Në dëshminë e tij 54-vjeçari Hasan Verracaku (Ferracaku) asokohe ka deklaruar se kishin shkuar në hotelin e familjes Gocaj për t’u sqaruar, pasi në plazh kishin pasur një debat për shezlonget dhe hapësirat e secilit. Sipas tij, situata kishte dalë jashtë kontrollit dhe ishin nxjerrë armët. Ai ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje pak pas ngjarjes që tronditi vendin se vëllezërit Gocaj kishin qëlluar të parët. “Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlonget në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne, pas aplikimit që kemi bërë.
Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezlonget, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, deklaroi Ferracaku, daja i të arrestuarit të dy ditëve më parë në Rimini.