Që nga fillimi i marshimit të parë protestues të opozitës në Beograd, më 8 maj, duket herë sikur nuk ka ndryshuar asgjë, e herë sikur ka ndryshuar shumëçka. Tani, qeveria është e detyruar të bëjë lëshime të caktuara, teksa njëkohësisht është “e pushtuar” nga kriza e Kosovës. Vera po vjen dhe nuk ka më vend për hapa të gabuar nga opozita. Paradoksalisht, koha është në favor të lojtarëve në hije, që janë partitë e djathta. Ato nuk marrin pjesë ndjeshëm në protesta, por mund të fitojnë vlerësime për shkak të përshkallëzimit të çështjes së Kosovës, siç theksojnë edhe bashkëbiseduesit e “Blic”. Votat e atyre që nuk janë të kënaqur as me qeverinë, as me drejtimin properëndimor të protestave, mund të shkojnë për partitë me orientim kombëtar.
Planet e opozitës
Vladimir Pejiç, drejtor i agjencisë për hulumtime të opinionit publik “Faktor plus”, thotë për “Blic” se është normale që pushteti nuk është rehat me protestat që vazhdojnë. “Nëse kërkesat nuk plotësohen deri në fund të javës së ardhshme, protestat do të marrin një formë të re. Do të fillojmë veprime të reja”, kanë paralajmëruar organizatorët. Krerët e opozitës nuk kanë sqaruar ende se çfarë është kjo “formë e re” proteste. Sipas asaj që dimë deri tani, strategjia e opozitës mund të jetë ndërmarrja e nismave të reja dhe motivimi i protestuesve më të rinj, si për shembull studentët. Deputeti Radomir Lazoviç, tha se organizatorët “do të donin të rrisnin presionin ndaj qeverisë” dhe se ata “mund të paraqesin gjithashtu mosbindje civile”. Deputeti Nebojsha Zelenoviç tha se opozita pret që qeveria deri në fund të seancës t’i miratojë kërkesat e protestës dhe se nëse kjo nuk ndodh, opozita do të ofrojë një plan tjetër. Po ashtu, opozita pret që çështja e Kosovës të arrijë përfundimisht në një fazë që kërcënon seriozisht autoritetet. Edhe pse fuqitë perëndimore kohët e fundit kanë qenë më kritike ndaj Prishtinës sesa ndaj Beogradit, e gjithë çështja është një faktor për vlerësimin e çdo partie politike në Serbi që është në pushtet. Opozitës, po ashtu, duket se nuk i leverdis mbajtja e zgjedhjeve, që presidenti serb ka thënë se mund të organizohen së shpejti. Por deputeti opozitar Nebojsha Zelenoviç, tha se nëse Vuçiç rastësisht thërret zgjedhje, ata nuk do të marrin pjesë.
Rreziqet për qeverinë
Kështu, qeveria sërish mbetet e kërcënuar nga një sërë faktorësh. Së pari, nga shtrirja e protestës. Sa më gjatë të zgjasin protestat, rritet rreziku që vlerësimi i SNS të ulet. Po ashtu, partitë properëndimore ka të ngjarë të përfitojnë nga situata, dhe përkrahja për to, mund të rritet. “Nëse dikush nuk është i kënaqur me qeverinë, vështirë se do të shkojë në kampin e kundërt, pro-evropian. Është më e sigurtë kthimi djathtas”, thotë Vladimir Pejiç, drejtor ekzekutiv i agjencisë “Faktor plus”. Nga ana tjetër, militantizmi është një pikë e fortë dhe e dobët e qeverisë. Koalicioni qeverisës dëshiron të paraqitet para votuesve të tij si i fortë, dominues dhe i gatshëm për të vazhduar luftën politike, pavarësisht thirrjeve për dialog dhe kompromise. Megjithatë, disa simpatizues dhe qeveritarë e dinë se ekzagjerojnë në këto reagime, disa prej të cilave mund të kenë forcuar motivimin e protestuesve.
Planet e Vuçiç
Më se i qartë është fakti që qeveria gjendet përballë disa dilemave, që çfarë veprimesh të ndërmarrë në plan afatshkurtër. Sigurisht, që zgjedhjet janë një opsion i mirë dhe kjo sepse është më e organizuar, ka burime më të forta dhe mbështetje relativisht stabile, siç thotë për “Blic” Bojan Klaçar, drejtor ekzekutiv i Cesid. Po ashtu, Vuçiç do të vazhdojë të këmbëngulë për stabilitetin ekonomik dhe masat e reja shtetërore në ndihmë të qytetarëve. Presidenti nuk e fsheh krenarinë e tij për çdo sukses ekonomik të qeverisë aktuale, dhe e konsideron një nga asetet e tij më të forta politike. Javën e kaluar, Vuçiç njoftoi gjithashtu një sërë masash të reja në ndihmë të qytetarëve të shtetit. Dhe së fundmi, qeveria do të theksojë se është e hapur për dialog dhe lëshime të caktuara, por njëkohësisht do të tregojë edhe forcë politik, që votuesit e saj të mos ngatërrojnë kompromiset me dobësinë.