Nga Marsela Shytia
Përpjekja e shumëpritur e Ukrainës për të rimarrë territoret në lindje dhe jug të vendit, të pushtuara nga Rusia për 18 muajt e fundit, tani është bërë realitet. Një figurë kyçe në planifikimin dhe ekzekutimin e këtij operacioni është gjenerali Valery Zaluzhny, komandanti i përgjithshëm 49-vjeçar i Ukrainës. Pak i njohur deri vonë, popullariteti i tij tani rivalizon atë të Presidentit Volodymyr Zelensky. Madje, thuhet se nëse do t’i futej politikës, pa dyshim që do të kishte sukses, ashtu si në fushë-betejë. Gjenerali Zaluzhny, ose “Valera jonë” siç duan ta quajnë miqtë dhe shokët e vjetër të klasës, u emërua komandant i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në korrik 2021. Zaluzhny njihej si një komandant ambicioz dhe modern, por edhe si njeri jomodest që i pëlqente të bënte shaka me vartësit e tij. Brenda shtatë muajve ai drejtoi mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit në shkallë të plotë. Deri më 26 shkurt 2022 ishte e qartë se trupat ruse po dështonin të “merrnin Kievin për tre ditë”, gjë që fillimisht ishte dukur një rezultat i mundshëm. Një ide që lundronte në mesin e zyrtarëve të lartë të Ukrainës ishte fillimi i hedhjes në erë të urave pranë Kievit mbi lumin e madh Dnipro, për të parandaluar kalimin e rusëve. Kjo ishte ide që gjenerali e refuzoi kategorikisht, dhe u pasua nga vendime të tjera të mëdha.
Vendimet e duhura
I lindur në familjen e një ushtaraku sovjetik, Valery Zaluzhny dikur tha se ishte gjithmonë i përkushtuar të distancohej nga hierarkia e tepruar e Ushtrisë Sovjetike. Në kohën kur ai shkoi në shkollën ushtarake në mesin e viteve 1990 Ukraina ishte tashmë një shtet i pavarur. Ai mësoi për realitetin e luftës, duke e prekur vetë. Në vitin 2014 ai u emërua zëvendës komandant në një zonë të Ukrainës lindore ku po fillonte konflikti me separatistët, të mbështetur nga ushtria ruse. Kolegët me të cilët folëm thanë se që nga fillimi i karrierës së tij ai ishte i prirur për të ndërtuar marrëdhënie besimi me vartësit e tij, si dhe për të deleguar vendime.Analistët thonë se fleksibiliteti i treguar nga njësitë ukrainase me oficerë të rinj të aftë për të marrë vendime në fushën e betejës u dha atyre një avantazh të konsiderueshëm ndaj strukturave vendimmarrëse më të rënda të ushtrisë ruse. Ndërsa gjeneralit Zaluzhny duhet t’i atribuohet fakti që u ka lënë atyre lirinë për të vepruar.Kur lufta filloi, fokusi i Zaluzhny ishte përcaktimi i strategjisë së duhur ushtarake. Pas përparimeve të suksesshme në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës, trupat ukrainase çliruan pjesë të mëdha të territorit ukrainas në lindje dhe jug. Komandanti i Përgjithshëm u bë hero kombëtar, pavarësisht se shihej rrallë në publik dhe aq më rrallë pranonte intervista. Emri i tij u bë sinonim i trimërisë dhe vendosmërisë.
Rivaliteti me Zelensky-n
Vlerësimet e tij të popullaritetit u krahasuan me atë të Zelensky dhe teoricienët e konspiracionit filluan të spekulojnë për një përçarje të mundshme mes tyre. U fol edhe për zëvendësimin e Zaluzhny-t si shef ushtarak apo edhe që ai mund të sfidonte udhëheqjen politike të presidentit. Një burim në administratën presidenciale i tha BBC se “Presidenti Zelensky thjesht nuk ka kohë për një xhelozi të tillë pasi ai është 102% i preokupuar për mbështetjen ushtarake për Ukrainën nga partnerët e saj”.Dy burrat duken mjaft të lumtur që e lënë njëri-tjetrin të merren me punën e tyre.Gjenerali Zaluzhny i tha revistës “Time” qershorin e kaluar se ai nuk i shpjegonte Zelenskit të gjitha detajet e strategjisë ushtarake, si për shembull shembjet e urave. Analistët politikë dhe sociologët kanë thënë për BBC se popullariteti i Zaluzhny është i natyrshëm në situatën aktuale ku ukrainasit kanë nevojë për mënyra për të rritur moralin. Ndërsa bisedat për një ofensivë të ardhshme ukrainase u intensifikuan brenda dhe jashtë vendit, blogerët ushtarakë rusë filluan të qarkullojnë thashetheme në mes të majit se gjenerali Zaluzhny ishte plagosur rëndë apo edhe vrarë, por janë hedhur poshtë vazhdimisht nga inteligjenca ukrainase.Sigurisht që do t’i leverdiste Rusisë, por për Ukrainën do të ishte humbje e madhe.