“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: A përbën rrezik zbardhimi i dhëmbëve gjatë shtatzënisë?
Mjeku: Nënat shtatzënë kanë një rutinë ditore që i përkushtohet maksimalisht kujdesit të foshnjës që do të vijë në jetë. Shpesh për disa gjëra të dëmshme, janë të informuara dhe për disa të tjera jo.
Rutinë në çdo kohë për një individ është higjiena e dhëmbëve përmes trajtimeve dentare, por për nënat shtatzënë, sipas disa studimeve ky veprim nuk është aspak i këshillueshëm.
Kjo sepse në shtatzëni mishrat e dhëmbëve dëmtohen për shkak se niveli i hormoneve rritet dhe kjo mund ta përkeqësojë edhe më tepër inflamacionin oral.
Përbërësit profesional të zbardhjeve përmbajnë peroksid hidrogjeni dhe mishrat e ekspozuar ndaj tij bëhen akoma më shumë të ndjeshme.
Së fundi, disa ekspertë nuk mund të thonë me siguri nëse agjentët zbardhues të dhëmbëve mund të jenë ose jo të rrezikshëm për fetusin. Prandaj, për shkak të provave të kufizuara shkencore, Shoqata Dentare Amerikane (ADA) sugjeron që të tregohet kujdes dhe reduktohet sa më shumë zbardhimi, madje deri pasi foshnja të ketë lindur dhe të mos ushqehet me gji.
Nëse po kërkoni t’i jepni një ndryshim buzëqeshjes tuaj, duhet patjetër të këshilloheni me një stomatolog, pasi mund t’ju sugjerojnë edhe zbardhues natyral gjatë pritjes tuaj të ëmbël. Produkte të tilla janë shafrani i Indisë, ose pak sodë buke, me të cilët mjafton të spërkatni furçën tuaj dhe të vazhdoni larjen duke mos shkaktuar kështu asnjë problematikë në shëndetin tuaj dhe të fetusit.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.