MENU
klinika

Përgjiget mjeku

A u bën mirë sëmundjeve reumatizmale uji dhe rëra e nxehtë?

11.07.2023 - 10:11

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: A u bën mirë sëmundjeve reumatizmale uji dhe rëra e nxehtë?

Përgjigjet mjeku: Në sëmundjet reumatizmale përfshihen një grup i madh sëmundjesh. Megjithatë, janë një grup sëmundjesh të cilat janë më të hasura në popullatë, por edhe më problematike në të njëjtën kohë. Sëmundjet reumatizmale ndahen në dy kategori të mëdha: sëmundjet me natyrë inflamatore dhe ato me natyrë degjenerative.

Në grupin e parë më të shpeshta janë: artriti reumatoid, artriti psoriatik, spondiloartopatitë etj.

Në sëmundjet degjenerative futen: artrozat, spondiliartrozat, dëmtimet e disqeve intervertebrale etj.

Cila është marrëdhënia e këtyre sëmundjeve me banjat e diellit dhe plazhin?

Në sëmundjet me natyrë inflamatore, ku më tipikja është sëmundja e artritit reumatoid, larja nuk përbën problem kur sëmundja është në qetësi (jo në aktivitet). Qëndrimi në ujë nuk rekomandohet më shumë se 15-30 minuta. Kjo i ndihmon këta pacientë që të kenë mundësi rehabilitimi të artikulacioneve të dëmtuara.

Pra, larja në det dhe veçanërisht noti është një lloj fizioterapie aktive te këta pacientë dhe i ndihmon ata që të tonifikojnë muskulaturën, e cila tek pacientët kronike është zvogëluar si masë dhe në mjaft raste atrofizuar. Kjo vjen për shkak të mos lëvizjes së një gjymtyre nga një artikulacion i dëmtuar.

Në rastet e sëmundjeve të artritit psoriatik rekomandohet që pacientët të kryejnë ekspozim në diell dhe larje në det.

Por duhet pasur parasysh se në marrëdhënien me rërën e nxehtë ndodh krejt e kundërta. Këta pacientë duhet të shmangin kontaktin me rërën e nxehtë, çka në rastin më të keq mund të nxisë një shpërthim të aktivitetit të sëmundjes në një formë më të rëndë se më parë.

Ndërsa në grupin e sëmundjeve degjenerative, larja në det nuk është me efekte negative, por këtu luan rol temperatura e ujit. Te këta pacientë është më e përshtatshme që temperatura e ujit të jetë më e ngrohtë se në rastin e sëmundjeve që përmendëm më lart. Rekomandohet larja në pjesën e dytë të ditës, pasi temperatura e ujit është më e lartë se gjatë paradites. Banjat e diellit dhe rëra e nxehtë mund të luajnë një rol pozitiv në qetësimin e shenjave klinike te pacientët me këto sëmundje.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN