MENU
klinika

“Rroftë Amerika, poshtë Babua!”

Analiza satirike e Agron Gjekmarkajt: Pse Rama bëri gabimin e jetës!

04.07.2023 - 11:06

Kah pasditja gjithçka dukej se po merrte për mbroth. Xhemal Qefalia në fjalën e tij plot nuanca filozofike dhe taban popullor si ndërthurje citoi vetë Konfucin.

Dijetari antik kinez me kandil në dorë e kishte ndriçuar Xhemën në hullitë e debatit politik. Arsyeja e tij e përjetshme ishte bashkuar me nevojën e përkohshme të Qefalisë për të lënë mbresa oratorie.

Eduart Ndreca e shihte me admirim dhe kërshëri. Ndonjë shënim edhe e merrte. Po kaq efekti Klinton shkaktoi një tjetër habi mbresëlënëse . Bela prej kohesh po gatiste një falënderim për Niko nikoqirin po hë sot hë nesër gjëja ishte shtyrë. Dje ajo që nuk pritej ndodhi në sytë e të gjithëve. Ngadalë me një përhumbje mirësie zbriti dhe u ul pranë nikoqirit. Ai u gëzua dhe se zinte vendi prej qejfit.

Bela e falënderoi për të gjitha kafet që i kishte bërë e shërbyer gjatë kësaj stine të mbushur me zavalle. Llaf është ky u gërmush plot pathos?! E bëj me kënaqësi. Apo nuk kam blerë një xhezve të mirë në Selanik e cila e qan kafen turke. Mire e ke mëndur e yshti veçse mbushe mire me kafe pa nikoqirllek dhe zieje paq se pastaj me trazon midenë.

Ashtu do bëj premtoi ai plot devocion për besimin e marrë. Gjatë biseduan. Kësisoj Nikua largoi nga xhani edhe atë melankoli të pashpjegueshme që i kishte mbjella misticizma e Margeritit ndër paradite. Në të ngritur Bela e përkëdheli lehte në sup, i dha një laper dashamires në fytyrë dhe iku duke i lënë peng mirënjohjen.

Tek ne u bë debat i madh në Babo e kishte aktivitet apo privat ardhjen e Bill Klintonit ?! Në fillim ftesat na kishin ardhur nga kabineti i Taos. Varem buzet ! Edhe pse Tao e ka traditë kujdesin per Opozitat properendimore. Babo nuk do bënte keq të na e jepte edhe per ca muaj mëqënëse jemi si pa bari.

Babua që e ka zemrën det i ndali tallazet në tonat ! E mori vesh dhe na nisi zyrtarisht ftesat me protokoll per të marrë pjesë. Gaz Bardhi dhe ha thoshte e nuk behëm fasadë me Babon dhe Lul Braven. Unë dhe Jorida u ngashëryem. Ne shkojmë për Billin more i pashpirt që kaq të mira na ka bërë folëm nën zë , rixha bëna hallall. Pastaj mblodha vetën pse mor haram i thashë Babua yni është atë kemi Kryevezir që po na qet në selamet. Ti shko tha se je Nën Kryetar Kuvendi po ama bërtit, rroftë Amerika, poshtë Babua, poshtë komunizmi, poshtë Namik Dokle, poshtë Gramoz Ruçi , poshtë Majko që të justifikosh vajtjen. Bertita disa herë por pa mikrofon nuk u dëgjua kur filloi ziafeti i madh.

Nejse Babua kishte bërë një skenë qerratenjesh me kalamaja që quheshin Bill Klintona dhe një fjalim plot yndyrë njohjesh dhe maja emocionesh. Arben Pellumbi qante kur Babo foli po ashtu Etjen Xhafaj i cili qante për vete dhe mundohej me një shami ti çukiste lotët Arbenit. E qara na bën mirë thoshte po të fshij vetëm ca, të tjerat po ti lë që të duken. Firaun i madh Etjeni do bëjë rrugë. Toni lutej në aramaisht. Kosta i Gramozit dhe Lindites klithte “eureka, eureka”.

Mimi di Puccini i pa. Ja dha vajit po aq dhe ajo për solidaritet. Babo ishte në ankth nga gulshet që zgjoi papritur. Frika se mos ndezje Tezja ishte e madhe. I pa vënger dhe ata u mblodhen.

Pastaj Baca Klinton foli gjere e gjatë na bëri dëshmitare të historisë. Na takoi me thjeshtësi, ishim skuqur të gjithë si skaldabanjo nga dalldia. Gramozi lëshonte pasthirrma oho oho oho. Majko buzeqeshi aq sa bashkoi Kryeministrinë me Komitetin Qendror. Tao u bërlyk në lumturi. Dokle u këndell në admirim. Unë si sabotator isha tendosur që të mos dukesha shumë i dhënë.

Por Babo bëri gabimin e jetës. Ai mendon se sa më lart të ngjitesh, sa më pushtet të kesh nuk ke nevoje për njeri. Ka shkëputur shikimin nga realiteti. Aty mungonte Bernard Banushi njeriu, personaliteti që po mbledh copat e opozitës si kandidat për Kryeministër në 2025. Atë e pranon Doktori, Meta, Luli dhe Gazi, Unë dhe Jorida. Ai do i punojë qindin Babos dhe do presë Presidentet e tjerë amerikanë. Bota është portokall. Kur Banushi të mbajë fjalim Babo do e shohë nga divani. Bota rrotullohet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN