Duke nisur nga dita e sotme, të gjitha shërbimet e Kadastrës nuk do të merren më pranë sporteleve fizike.
Me ndryshimet e bëra, shërbimet e Kadastrës do të ofrohen vetëm online përmes platformës “e-Albania”.
Kështu, të gjithë qytetarët që do të kenë nevojë të kryejnë aplikime apo të marrin përgjigje, do t’iu mundësohet përmes portalit qeveritar “e-Albania” kryerja e procedurave.
Në të njëjtën formë do të veprohet edhe për marrjen e dokumenteve me vulë elektronike dhe me nënshkrim elektronik.
Sistemi do të jetë i tillë që çdo njeri i interesuar për të marrë përgjigje, do të shohë se ku është ecuria e procesit. Ashtu sikurse u bë me dije tre ditë më parë nga drejtoresha e Kadastrës dhe kryeministri Edi Rama, nga kjo e hënë sportelet e Kadastrës janë mbyllur.
Kreu i qeverisë pasi paralajmëroi dorëheqje masive nga Kadastra, u shpreh se: “nga e hëna, 3 korrik në Kadastër nuk mund të ketë më “zgjidh ti se kujt do t’i shërbesh’. Nuk e përzgjedh dot. Nga e hëna, 3 korrik punonjësi i Kadastrës në Shkodër do të ketë përpara në kompjuter si t’ia nxjerrë algoritmi, raste për të trajtuar për një pronë në Delvinë. Punonjësi i Kadastrës në Gjirokastër do t’i dalë në kompjuter për të trajtuar rastin e një prone në Tropojë dhe askush nuk do të gjejë dot fillin sesi trajtohet prona, përveç makinerisë digjitale që do t’i përgjigjet përmes një sistemi elektronik kërkesave të qytetarëve”.