Reperi i njohur Fero dhe partnerja e tij Arbenita Ismajli kohët e fundit janë shndërruar në një ndër çiftet më të përfolur të medias rozë.
Artisti disa ditë më parë ka dhunuar dhe kërcënuar me jetë modelen, ndërsa kjo e fundit e ka denoncuar bashkëshortin pas një sherri që patën në banesën e tyre në Gjilan, të cilin gjykata e ka lënë në paraburgim për 30 ditë.
Së fundmi ka ardhur dhe reagimi i avokatit të modeles, Arianit Koci i cili ka zbuluar për “Prive’ detaje rreth çështjes së ish-çiftit.
Ai theksoi se Arbenita ka pësuar dhunë psikologjike dhe fizike dhe se ka kërkuar masë mbrojtëse pasi ndihet e rrezikuar nga reperi.
Sipas avokatit të Feros agravimi i situatës ka ardhur pas kërkesës së Arbenitës për ndarje dhe largim bashkë me vajzën për në Angli. Mirëpo këtë deklaratë, Arianit Koci e hodhi poshtë dhe theksoi se vajza nuk ka qenë “molla e sherrit’ mes tyre sepse ata kanë pasur probleme dhe më herët.
Sakaq ai tregoi gjithashtu se mes tyre kanë nisur dhe procedurat e divorcit.
“Sipas Arbenitës, ajo ka pësuar dhunë fizike dhe psikologjike. Kjo nuk është hera e parë. Ne i kemi dorëzuar në prokurori të gjitha provat. Arbenita ka kërkuar dhe një masë mbrojtëse. Nuk mund të jap më shumë detaje sepse prokuroria është në hetim të çështjes. Sidoqoftë ajo i ka ndarë rrugët me Feron, sipas saj. Të gjitha hapat e nevojshëm për të realizuar këtë ndarje po i bëjmë gati. Tani në fokus është siguria e Arbenitës, pasi ajo ndihet e kërcënuar. Nuk është e vërtetë që vajza është molla e sherrit. Arbenita është dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht por jo për shkak të vajzës. Sipas saj ata kanë pasur probleme dhe më herët”- është shprehur avokati.