MENU
klinika

"Të rritet fuqia kontrolluese..."

Balla inspektim në terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit

28.07.2023 - 11:02

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë një inspektim në terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit mëngjesin e së premtes.

Gjatë fjalës së tij drejtuar punonjëve të policisë, ministri Balla u shpreh se “shumë e rëndësishme ta ruajmë pikën tonë të kalimit kufitar të Portit të Durrësit si një pikë të rëndësishme dhe të besueshme për vendet e BE, jo vetëm me fqinjin tonë Italinë”.

Ai theksoi se duhet që të rritet fuqia kontrolluese, por shtoi se kjo nuk duhet të prekë cilësinë e shërbimit ndaj të gjithë udhëtarëve që kalojnë përmes portit të Durrësit.

Fjala e Taulant Ballës:

Ndërsa po afrohet trageti i parë, i cili do të duhet të përpunohet sepse menjëherë më pas vijnë të tjerët, dua t’ju falënderoj për punën tuaj të përditshme, për përpunimin në një kohë të shpejtë të mijëra vëllezërve dhe motrave shqiptarë që kthehen për pushime, por edhe të një numri shumë të lartë turistësh të huaj, apo udhëtarë të tjerë që drejtohen në vende të tjera fqinje.

E vërteta është që shifrat janë shumë kuptimplota, vetëm në 5 ditët e fundit janë 35 mijë pasagjerë të përpunuar dhe natyrshëm edhe shifrat që më raportoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Drejtorin e Departamentit të Kufirit, flas për shifrat e dedektimit të veprave të ndryshme penale, kemi patur në 6 muajt e fundit një rritje të evidentimit të një sërë veprash penale. Natyrshëm që një rëndësi të madhe dhe interes ka për ne, evidentimi i veprave penale që lidhen me forma të ndryshme të trafikut. Flas jo vetëm për trafikun e lëndëve narkotike, por edhe të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Në këtë këndvështrim është shumë e rëndësishme ta ruajmë pikën tonë të kalimit kufitar të Portit të Durrësit si një pikë të rëndësishme dhe të besueshme për vendet e BE, jo vetëm me fqinjin tonë Italinë. Ndaj duhet që të rrisim fuqinë tonë kontrolluese, por kjo nuk duhet të prekë aspak cilësinë e shërbimit ndaj të gjithë udhëtarëve që kalojnë përmes portit të Durrësit. Duhet që t’i presim me respekt të gjithë ata që do kalojnë këtu, gjatë gjithë kësaj vere, dhe t’i përcjellim po me respekt të gjithë ata që do rikthehen.

Mbaj mend, para disa vitesh, kam qenë në një vizitë në Bari dhe, e vërteta është që, edhe pala italiane, vlerëson shumë punën dhe kapacitetet përpunuese të policisë sonë kufitare këtu në Durrës. Duke mos harruar që nga 20 korriku e deri në fillim të shtatorit, nyja që lidh Durrësin me Barin është, do të thoja unë, një prej lidhjeve me numrin më të madh të pasagjerëve në Europë, për shkak të numrit të madh të atyre që përpunohen. Kështu që në këtë këndvështrim puna juaj merr një rëndësi të veçantë.

E fundit, por që për mua është më e rëndësishmja në të gjitha komunikimet me forcat tona të Policisë në të gjitha sektorët. Unë jam Ministri juaj, kam nderin e madh që të drejtoj këtë Ministri dhe dua që të garantoj çdo punonjës të Policisë së Shtetit që sa jam këtu, për të qenë, si asnjëherë më parë, pranë të gjithë punonjësve të policisë me të gjithë mbështetjen, jo vetëm për të luftuar brenda qeverisë sonë për një trajtim edhe më të mirë financiar për çdo punonjës policie, por edhe për forma tjera të mbështetjes së punonjësve të policisë.

Besoj që jeni informuar që ne shumë shpejt do të fillojmë të aplikojmë për të gjitha familjet e reja, për çdo punonjës policie nën 40 vjeç, që është një familje e re, ka nevojë për t’u trajtuar me një banesë, ne do ta fillojmë brenda këtij viti me 100 banesat e para. Pastaj besoj se gjatë vitit 2024 do të kemi edhe 300 banesa të tjera dhe ndërkohë që bashkë me bashkitë, edhe me bashkinë e Durrësit këtu ku jemi, por edhe me bashkitë e tjera, do të gjejmë forma të tjera për të mbështetur çdo punonjës policie, me çdo lloj forme për çdo lloj halli që mund të ketë.

Kështu që mos harroni kurrë që përveç Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që e keni gjithmonë në mbështetje, Drejtorit tuaj Saimirit, tashmë më keni edhe mua! Punë të mbarë dhe na vaftë mbarë kjo verë. Të kemi sa më shumë punë të mirë në respekt të të gjithë atyre që vijnë por pa harruar asnjëherë ligjin dhe vetëm ligjin. Faleminderit të gjithëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ku është parashikuar të ndërtohet

Porti i Durrësit zhvendoset në Porto Romano