Ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë takimit të tij me strukturat e institucionit që ai do të drejtojë, duke zëvendësuar kështu Bledi Çuçin, u ndal te dhuna barbare në Borizanë, ku anëtarë të fisit Rraja rrahën dy persona.
Sipas Ballës, policia e Krujës nuk kishte bërë detyrën, ndërsa shtoi se ajo ishte bërë palë me paligjshmërinë. Mes të tjerash ai bëri thirrje që familjarët në kërkim të ish-deputetit Rrahman Rraja të dalin para drejtësisë.
“Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte ndalimi sa më pare i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja. Ai me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht. Po ndërkohë Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë. Një orë e më parë! Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë, ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja e autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të majisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxori dështimin e atij komisariati në sipërfaqe.
Sot sapo kanë marrë emërimet drejtuesit e rinj aty. Por shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme apo i drejtorisë së qarkut ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë! Sot, jo nesër! Qytetarët janë jo vetëm arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike e private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore me të fortët e lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, janë rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.
Në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve. Në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit. E kam vlerësuar si deputet deri dje dhe nuk kam si të mos e vlerësoj me respekt si ministër sot, përpjekjen kolosale të bërë deri më tani nga Policia e Shtetit kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Por po ashtu, s’kam sesi të mos ju kërkoj sot që kjo luftë të vazhdojë edhe më fort, përderisa përsëri e përsëri, tek apo tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër. Prandaj ju lutem shumë, të mos më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur.
Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,
Ka një kod etik të kahershëm tanimë, por të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e policisë së shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, po ndodh fatkeqësisht edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, jo vetëm të frekuentojnë lokale ditën e natën, po edhe të kenë kontakte të papërshtatshme në mjediset e tyre, ku deri edhe u përcillen krimineleve informacione sensitive të punës dhe aksioneve policore. Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them, është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Përveçse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues, për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral.
Brenda 10 ditësh Kodi Etik i Drejtuesve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit, do t’i lexohet çdo efektivi të policisë dhe do të vendoset në kornizë në çdo hyrje drejtorie dhe komisariati në Shqipëri. Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani. Komisariati Digjital duhet të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë. Ai aplikacion duhet të jetë porta e hapur 24 orë në 7 ditë të javës, ku çdo qytetar jo vetëm mund të hyjë nga çdo smartfon apo kompjuter, po edhe të marrë përgjigje të shpejtë. Jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë.
Në kohën kur qeveria po punon për të futur inteligjencën artificiale në platformën e-albania, në procesin e integrimit europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e Revolucionit Digjital, Policia e Shtetit nga një pararojë e digjitalizimit dikur është kthyer në bishtin e fundit të kavallit sot. Të marrim shembull nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar. Dje një nga simbolet e kaosit dhe korrupsionit në këtë vend, sot ai institucion është një pasqyrë e forcës së modernizimit digjital, falë të cilit lejet shqiptare të drejtimit u njohën deri edhe në Gjermani, ku dihet mirë se sa vështirë është të kalosh provën e besueshmërise teknike.
Policimi në komunitet, bashkëpunimi me ekspertët policorë dhe me institucionet e komuniteteve vendore, bashki e drejtori qëndrore, shkolla dhe komunitete fetare, duhet të ngrihet në një nivel te ri. Policia nuk qarkullon në lagje thjesht dhe vetem për të vënë gjoba apo për t’u dukur se është aty, po për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla, që kur majisen mund të kthehen në kusure të mëdha për të gjithë. Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, po brenda rradhëve tona. Agjencia e Mbikqyrjes së Policisë është krijuar me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar.
Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë. Po ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, po keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak! Nuk po zgjatem më tutje, sepse ka shumë gjëra për të thënë, po gjërat për t’u bërë janë ato që fundja do të përcaktojnë edhe vlerën e atyre që themi. Prandaj ju falenderoj për vëmendjen, ju siguroj se nuk do të dëgjoni shumë fjalime nga unë, shpresoj që të jem kuptuar si do të doja unë për këto piketa fillestare të drejtimit tim dhe uroj që me ndihmën e Zotit, të jemi fuqia e madhe e ndryshimit të mëtejshëm, që shqiptarët duan dhe meritojnë nga ne.
Vetëm Përpara!”, tha Balla.