MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja/ Pikiata e euros

Dy milionë shqiptarë të goditur financiarisht

21.07.2023 - 16:39

Në pyetësorin e Barometrit të Sigurisë Kombëtare që hartova vjet, ishte edhe një pyetje rreth dërgesave valutore të të afërmve emigrantë drejt familjeve të këtushme. Nga anketimi rigoroz në terren, rezultoi se 53% e familjeve shqiptare merrnin dërgesa valutore nga të afërmit e tyre emigrantë.

Me një ekstrapolim të përafërt, i bie që rreth 1.4 milionë banorë të Shqipërisë të jenë dëmtuar nga rënia drastike e Euros prej mëse 17% brenda një viti kalendarik (shihni grafikun shoqërues). Për shembull, një familje që merr nga të afërmit emigrantë 100 Euro në muaj, tani i shkëmben me 100 mijë lekë të vjetër, e jo me 117 mijë lekë të vjetër, siç i shkëmbente vjet (edhe valutat e tjera kanë pësuar rënie të ngjashme me të Euros në tregun e brendshëm valuator).

Për më tepër, me këto 100 mijë lekët e sotme, familjet që mbahen me dërgesat valutore të emigrantëve mund të blejnë më pak ushqime, ngaqë inflacioni i çmimeve të ushqimeve është rritur po aq sa ç’është ulur vlera e dërgesave valutore që ata marrin. Pra, goditje e dyfishtë financiare kjo për familjet e varura nga dërgesat valutore…


Euro, të paktën 2 milionë shqiptarë të goditur financiarisht nga pikiata e saj
Por pikiata e euros godet edhe më gjerë. Rreth 500 mijë shqiptarë i kanë depozituar kursimet e tyre në bankat e vendit në valutë. Dikujt që ka pas kursyer 1 mijë euro deri vjet, sot nuk i vlejnë më 1 milion e 170 mijë lekë të vjetra, si vjet, por vetëm 1 milion. Për të mos vazhduar më tej me fasonierët, eksportuesit, dhe hotelierët, të cilët i arkëtojnë të ardhurat në Euro, që vlen sot 17% më pak se vjet…

Kuptohet që disa shqiptarë përfitojnë nga pikiata vjetore e Euros – të parët janë grosistët që i blejnë mallrat në tregun e jashtëm me valutë të zhvelërsuar dhe i shesin mallrat në tregun e brendshëm me çmime në lekë të mbivlerësuar (ndërkohë që çmimet në tregun e brendshëm kanë regjistruar vetëm rritje, e jo ulje, siç mund të pritej nga zhvlerësimi i Euros). Gjithashtu, ata shqiptarë që kanë mundësinë të shkojnë jashtë vendit për pushime, mund t’i blejnë më lirë Eurot që u duhen për të shpenzuar në vendet ku shkojnë.

Me pak fjalë, një shumicë dërrmuese e shqiptarëve vuan nga pikiata e Euros, ndërsa një pakicë e vogël buzëqesh…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euro këmbehet thuajse një me një!

Leku ‘mbyt’ monedhat e huaja