Zhvleftësimi i monedhës Euro dhe luhatja e kursit të këmbimit mund të sjell pasoja katastrofike për ekonominë në vend. Ekspertët thotë se zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros vë nën ‘presion’ lekun, duke krijuar shqetësime për ekonominë shqiptare. Ekspertët mendojnë se institucionet duhet të jenë më të kujdesshme në këtë periudhë, pasi me vone pritet një rritje e lehte. Sipas tyre, institucionet duhet gjithashtu të shtojnë luftën ndaj pastrimit të parave sipas ekspertëve duke ndalur flukset që prishin balancat e tregut. Eksperti për çështjet ekonomike, Selami Xhepa u shpreh se autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kursit të këmbimit. “Trendi i rënies së euros në raport me lekun ka qenë në një trajektore rënëse prej kohësh. Ishte e pritshme që ky trend do të përforcohej më shumë. Siç do ta shohim edhe më vonë, edhe eksportet janë ndikuar negativisht deri më sot por edhe në vazhdimësi, efektet do të jenë shumë të ndjeshme. Nga ana tjetër, këto zhvillime të kursit të këmbimit kanë një efekt negativ edhe mbi vetë sektorin e turizmit për shkak se të gjithë operatorët që kanë kontratat të mëparshme të lidhura me euro, fuqia blerëse e kësaj monedhe është e ulët. Ndërkohë një rritje në vitet e ardhshme të paketave turistike për të kompensuar efektin e zhvlerësimit të monedhës, do të shoqërohet me humbje të turizmit. Në këtë kuptim, prej kohësh kemi ngritur shqetësimin që autoritetet monetare duhet t’i kushtojnë një vëmendje më të rëndësishme kursit të këmbimit”, theksoi eksperti.
Përfaqësues të biznesit të eksportit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë
Po ashtu, zhvlerësimi i euros ka dëmtuar bizneset e eksportit në vend. Përfaqësuesve të këtij biznesi, në një takim të zhvilluar ditën e martë kanë kërkuar ndërhyrjen urgjente të qeverisë. Sipas tyre, nga ekonomia e vendit nuk ka asnjë përfitim nga luhatja e kursit të këmbimit, përveçse dëmton sektorë të rëndësishëm të ekonomike.“Nëse nuk gjejmë zgjidhje të shpejta, fatkeqësisht do të na duhet t’i drejtohemi zgjedhjeve ligjore, që do të thotë kërkesa për kompensim të humbjeve. Të gjithë ne kemi kontrata brenda dhe jashtë vendit, që i detyrojnë bizneset të vazhdojnë punën, pasi nëse ndërpresin punën duhet të kthejnë paratë, kjo na detyron të vazhdojmë furnizimet”, tha Alban Zusi, Kreu i Shoqatës se Eksportuesve. Përfaqësues të bizneseve eksportuese thotë se qeveria duhet të zhvillojë takime me ata për të gjetur një zgjidhje. Në të kundërt paralajmërojnë protesta, pasi shumica e tyre janë drejt falimentimit.“Ne i bëjmë thirrje qeverisë se në rast se nuk do ulet e të caktohet një kurs fiks, së shpejti do zbrazim para kryeministrisë në një protestë vetëm për të treguar se duhet të ulet guvernatori dhe qeveria e të mos na lënë në rënie të lirë Industria më e prekur sot për sot, është industria mjekësore”, tha Filip Gjoka, kreu i shoqatës së bimëve medicinale. Prej disa muajsh Euro ka arritur minimum historik duke u shkëmbyer me rreth 102 lekë. Kjo situatë përkthehet në humbje direkte për bizneset që çojnë produkte jashtë vendit. Institucionet monetare kanë deklaruar me herë se nuk mund të ndërhyjnë në kursin e këmbimit, i cili gjatë verës pëson gjithmonë luhatje për shkak të turizmit.