MENU
klinika

Ekspertët: Faktor, kërkesat e punës në tregun shqiptar

Gjuhët e Huaja lenë pas Gjuhën Shqipe

02.07.2023 - 20:29

Nxënësit shqiptarë kanë njohuri më të mira në gjuhët e huaja sesa në atë amtare. Të dhënat e fundit e maturës shtetërore tregojnë se nga afro 27 mijë maturantë në Gjuhën Shqipe janë vlerësuar me 10, 5.73 % e nxënësve, por vetëm 15 prej tyre me 10 absolute. Ndërsa në Gjuhët e Huaja kanë rezultuar me 10, afro 24 % e nxënësve maturantë, prej tyre 384 kanë marrë pikët maksimale duke u vlerësuar me 10 absolute.

Sipas ekspertëve të arsimit, ky rezultat i nxënësve shqiptarë dhe preference e Gjuhës së Huaj lidhet më së shumti me përdorimin e teknologjisë dhe kërkesat e tregut shqiptar, ku shumica e kompanive janë të huaja.

“Ky është një trend që vihet re 5 vitet e fundit. Mbetet relativisht shumë i lartë numri i 10 në Gjuhët e Huaj krahasuar me atë shqip. Një impakt shumë të madh mund ta kenë edhe që kalojnë shumë kohë në rrjete sociale. Gjuhën e Huaj e shikojnë si një mundësi më të mirë për të ardhmen, duke qenë se shumica e kompanive janë të huaja edhe po ashtu edhe CEO e kompanive, ku edhe rrogat janë shumë më të mira”.

Megjithatë, ekspertët kërkojnë që t’i kushtohet një vëmendje e shtuar Gjuhës Shqipe e cila po çalon gjithnjë e më shumë tek të rinjtë.

“Nëse do shikojmë studentët në momentin që ata do bëjnë shkrimet akademike ose ese, hasin vështirësi të shumta në momentin që ata duhet të bëjnë shkrime që përmbajnë analizë teksti. Për mua nuk është shqetësuese që nuk kemi shumë 10, por të rinjtë po harrojnë të flasin saktë Gjuhën Shqipe”.

Ajo që vihet re këtë vit është se niveli i nxënësve shqiptarë ka ardhur në rritje dhe këtë e tregojnë edhe numri i lartë i 10-tave të marra.