MENU
klinika

Manovra në det

“Kërcënim” për Japoninë, Kina bashkon forcat me Rusinë

17.07.2023 - 14:18

Kina ka thënë që kur nisi lufta në Ukrainë, se ajo nuk dëshiron të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt.

Megjithatë, ajo nuk lë asnjë rast pa treguar mbështetjen për aleaten e saj, Rusinë.

Së fundmi, është raportuar nga mediat e huaja se një flotë anije detare kineze do t’i bashkohet forcave detare dhe ajrore ruse në Detin e Japonisë, në një stërvitje që synon “mbrojtjen e sigurisë së rrugëve ujore strategjike”, sipas ministrisë së Mbrojtjes së Kinës.

E quajtur “Northern/Interaction-2023”, stërvitja shënon bashkëpunimin e zgjeruar ushtarak midis Kinës dhe Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska dhe po zhvillohet ndërsa Pekini vazhdon të refuzojë thirrjet e SHBA për të rifilluar komunikimin ushtarak.

Flotë-anija kineze e përbërë nga pesë anije luftarake dhe katër helikopterë, u largua nga porti lindor i Qingdao dhe do të takohet me forcat ruse në një “zonë të paracaktuar”.

Kina bashkon forcat me Rusinë, manovrat e dy vendeve

Të shtunën, ministria tha se forcat do të marrin pjesë në stërvitjen që po zhvillohet në Detin e Japonisë.

Kjo shënon herën e parë që të dyja forcat ruse marrin pjesë në manovra, sipas gazetës shtetërore kineze Global Times.

Vitin e kaluar Ushtria Popullore e Kinës dërgoi për herë të parë njësi tokësore, ajrore dhe detare në Rusi për stërvitjen “Vostok 2022”, të mbajtur në trembëdhjetë vende të ndryshme stërvitore dhe gjithashtu në Detin e Japonisë.

Manovrat thuhet se mund të rrisin më tej tensionet në rajon, duke marrë parasysh edhe territoret e diskutueshme midis Japonisë, Rusisë dhe Kinës në zonë.

Presidenti Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë deklaruar një partneritet “pa kufij”, dhe bashkëpunimi ushtarak është një prej çështjeve ku ai fokusohet.