MENU
klinika

I arrestuar për shpërdorim detyre

Apeli merr vendimin për Vangjush Dakon

18.07.2023 - 14:47

Apeli i Posaçëm ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Vangjush Dakon, i cili kërkoi sot para gjykatës masë më të butë sigurie. Bëhet me dije se ish-kryebashkiaku socialist nuk ka qenë i pranishëm në seancë por është përfaqësuar nga avokatët e tij mbrojtës. Po ashtu masat e sigurisë mbetën të pandryshuara edhe për të arrestuarit e tjerë.

Më herët Gjykata e Posaçme ka dhënë masën paraprake të sigurisë “arrest me burg” për Vangjush Dakon, ish-kryebashkiak i Durrësit i arrestuar për shpërdorim detyre në dy raste.

Kujtojmë se Dako është arrestuar pak javë më parë me urdhër të SPAK, ndërsa akuzohet se në bashkëpunim me ish-zyrtarë të tjerë, “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit dhe jo sipas projektit të miratuar”.

Bashkëpunëtorët në vite të Dakos dhe ai vetë, akuzohen për dy vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Nga natyra e këtyre veprave penale, ato kanë lidhje me periudhën kur ata kanë qenë në poste të caktuara në Bashkinë e Durrësit.

Vendimi i Gjykatës:  

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Daniela Shirka, sot më 18.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 31 akti, datë 10.07.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim V.D., F.E., M.S.(P.), F.H., F.F., A.B., ndaj vendimeve nr. 57, datë 06.06.2023 dhe nr. 61, datë 08.06.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim V.D.

– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim F.E. dhe F.H.
– Miratimin e vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim M.S.(P.), F.F. dhe A.B.