MENU
klinika

Konkursi “Toka në shkollë"

Ministrja Kushi: E lumtur nga rezultatet dhe dashuria e fëmijëve për tokën

03.07.2023 - 11:30

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi priti në ambientet e MAS nxënës nga të gjitha shkollat të cilët përgjatë një viti u angazhuan në projektin “Toka në shkollë” që mbështet zhvillimin e aftësive të nxënësve për kultivimin e kulturave bujqësore.
Teksa takoi nga afër nxënësit dhe pa nga afër rezultatet e kësaj nisme, Ministrja Kushi falënderoi nxënësit, të cilët përveç përkushtimit në mësime, i kushtuan një kujdes të veçantë miniparcela të ndërtuara nga vetë ata.
Znj. Kushi u shprehu mirënjohje prindërve dhe komunitetit për mbështetjen dhe angazhimin që nxënësit të mësojnë më shumë mbi vlerën e tokës.

Për të gjithë pjesëmarrësin në këtë konkurs u shpërndanë certifikata falënderimi me motivin “për angazhimin në bashkëpunim me nxënësit, mësuesit, prindërit dhe komunitetin, duke ndërtuar miniparcela model në shkollë, me larmishmëri prodhimesh bujqësore, bimësh aromatike dhe dekorative, ku nxënësit mësojnë më shumë mbi vlerën e tokës, proceset praktike të kultivimit të qëndrueshëm të saj, si dhe përforcojnë lidhjen e tyre me natyrën”.

POSTIMI I PLOTË I MINISTRES KUSHI

Konkursi Toka Në Shkollë

Sa shumë kënaqësi morëm nga duarartët e shkollave tona, fitues të konkursit “Toka në Shkollë”, që mbushën Ministrinë e Arsimit dhe Sportit me aromë produktesh të freskëta dhe të prodhuara me aq shumë dashuri.

Faleminderit të gjithë nxënësve, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave që e kanë përqafuar këtë nismë duke ndërtuar miniparcela shembull në shkollat tona në të gjithë vendin në bashkëpunim edhe me prindërit dhe komunitetin.

Shkollat i kanë kthyer këto kopshte në laboratorë mësimorë ku nxënësit të mësojnë praktikisht proceset biologjike dhe vlerën e tokës.

Jam e sigurt që të gjithë së bashku do të vazhdojmë të kujdesemi për këto kopshte edhe gjatë verës.