Disa deputete te Grupit Parlamentar të PD nuk kanë marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Edi Rama në nderim të ish Presidentit të SHBA Bill Clinton.
I kontaktuar nga gazeta Panorama Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi pranon se ka marrë një ftesë për të qenë prezent, por ka refuzuar të marrë pjesë. Në reagimin për gazetën Panorama, Bardhi dha këtë shpjegim: “Presidenti Clinton është mik i Shqipërisë, shqiptarëve dhe kombit shqiptar. Çdo shqiptar i është përjetë mirënjohës Presidentit Clinton për atë që ka bërë për kombin shqiptar dhe veçanërisht për Kosovën.
Figura e Presidentit Clinton meriton vlerësimin e të gjithë kombit shqiptar dhe çdo vlerësim i figurës së tij mund dhe duhet të bëhej nga Presidenti i Republikës me dekoratën më të lart shtetërore. Sot nuk ka pasur një ceremoni shtetërore të nderimit të rolit dhe figurës së tij, por një ceremoni private të Edi Ramës, diktuar që në ftesë. Pjesë e show-t të Edi Ramës kam refuzuar dhe do të refuzoj gjithmonë të bëhem pjesë”.
Kujtojmë këtu që edhe Presidenti i Republikës ka bojkotuar ceremoninë, si dhe asnjë përfaqësues nga Kosova nuk është prezent në ceremoni.