MENU
klinika

Indo-Paqësori është si “minë me sahat”

Ndizen tensionet mes SHBA dhe Koresë së Veriut, në lojë futet edhe Kina

26.07.2023 - 08:30

Marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duket se nuk kanë pasur asnjë here një periudhë qetësie. “Mollë sherri” shpesh është bërë bashkëpunimi i SHBA me Korenë e Jugut, por sidomos kërcënimet e vazhdueshme të presidentit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, se do të përdorë armë bërthamore. Sakaq, situata së fundmi është përkeqësuar për shkak të testimeve të vazhdueshme të raketave, apo retorikës së ashpër nga të dyja palët. Sigurisht, nuk ndihmon aspak roli i gjigantit aziatik, Kinës, e cila duket që mos ta përdorë aspak ndikimin e saj në këtë konflikt të ndezur që mund të shndërrohet në një luftë të përgjakshme nga momenti në moment.

Mesazhi i Blinken
Së fundmi, Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken duket se ka qenë më se i qartë me Kinën. Nëse Kina nuk ndërhyn në çështjen e Koresë së Veriut, duke ndihmuar komunitetin ndërkombëtar të menaxhojë programin bërthamor të Phenianit, atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta bëjnë këtë duke vepruar së bashku me partnerët vendas. Ky duket se ishte paralajmërimi i Blinken, që shpjegoi se kishte informuar Pekinin se Uashingtoni kërkon ndihmën e qeverisë kineze, për të arritur denuklearizimin e gadishullit Korean. Në rast se Xi Jinping nuk arrin të sigurojë mbështetjen e duhur, administrata Biden do të ishte e gatshme të forconte partneritetin me Japoninë dhe Korenë e Jugut.Nga Forumi i Sigurisë në Aspen, në Kolorado, duke iu drejtuar Republikës Popullore të Kinës Blinken tha: “Ne besojmë se ju keni një ndikim unik në lidhje me Korenë e Veriut dhe shpresojmë se do ta përdorni për një bashkëpunim më të mirë. Nëse nuk mundeni ose nëse nuk do ta arrini, atëherë do të duhet të vazhdojmë të ndërmarrim hapa që nuk kanë për qëllim Kinën, por që Kina ndoshta nuk do t’i pëlqejë.” Këta hapa përfshijnë, përmirësimin e mbrojtjes së përbashkët ushtarake midis Uashingtonit, Seulit dhe Tokios, si dhe një punë edhe më intensive të thellimit të bashkëpunimit midis palëve, në një lëvizje të dyfishtë që mund të zemërojnë “Dragoin”, siç quhet ndryshe Kina nga ekspertët ndërkombëtarë.

SHBA “mes dy zjarresh”
Situata është komplekse. Nga njëra anë, Kina vazhdon të kritikojë aleancat mbrojtëse të Uashingtonit në Azinë Lindore, duke i parë ato si përpjekje për të monitoruar ose kontrolluar ushtrinë kineze; nga ana tjetër, Seuli dhe Tokio po ndiejnë efektet e testeve ushtarake të Phenianit, të cilat ndonjëherë ndodhin pranë hapësirës së tyre ajrore dhe sigurisht që nuk synojnë të privojnë veten nga “ombrella e SHBA-së”. Në mes gjejmë Shtetet e Bashkuara, për të cilat tani është bërë një çështje e rëndësishme ruajtja e pranisë në Indo-Paqësorin, pikërisht për të frenuar rritjen e vazhdueshme të Kinës në rajon.Komentet e Blinken, i cili në këtë mënyrë u përpoq të ushtronte presion mbi Pekinin, erdhën pak pas bërjes publike tëhistories së ushtarit Travis King, një ushtar amerikan i cili, me sa duket vullnetarisht, vendosi të kalonte kufirin në Korenë e Veriut gjatë një turneu përgjatë kufirit midis dy Koreve. Zyrtari i lartë tha se nuk kishte asnjë informacion mbi vendndodhjen e King, por se “ka dyshim se ka shqetësime” se ai mund t’i nënshtrohet torturës.

Roli i Pekinit
Përveç kuptimit të fjalëve të Blinken, a mund të kontribuojë vërtet Kina në ndalimin e përparimit bërthamor të Phenianit? Me siguri jo. Joe Biden nëntorin e kaluar, në samitin e G20 në Bali, shpjegoi në një konferencë shtypi se i kishte kërkuar homologut të tij kinez, Xi Jinping, që të bindte Korenë e Veriut të mos kryente testin e saj të shtatë bërthamor . Sigurisht, kishte theksuar vetë Biden, nuk ishte e qartë nëse Pekini kishte aftësitë për ta bërë këtë. Për muaj të tërë, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Veriu ka përfunduar të gjitha përgatitjet teknike për të kryer një provë të re. Ndërkohë, Kim Jong Un po kufizohet në testet e zakonshme të raketave, të cilat megjithatë po bëhen më shqetësuese, duke pasur parasysh përmirësimet e tyre të vazhdueshme. Nisja e fundit daton në 22 korrik, me disa raketa lundrimi të lëshuara në Detin e Verdhë, midis Kinës dhe gadishullit Korean.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Intervistë me ish-Kryenegociatorin për integrimin në BE, Ambasador Zef Mazi

BE nuk mund ta justifikojë bllokimin e Ballkanit me kaosin e saj