MENU
klinika

Analiza

Në luftën Rusi-NATO, kush ka më shumë shanse për fitore?

14.07.2023 - 09:00

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, ajo vuri në dukje nevojën për të penguar zgjerimin e NATO-s përgjatë kufirit të saj lindor. Pak më shumë se 500 ditë më vonë, ka ndodhur pikërisht e kundërta. Finlanda iu bashkua aleancës në prill dhe tani është hapur një vend edhe për Suedinë. Po ashtu në Vilnius është folur gjerë e gjatë për një “rrugë afatgjatë” për të pranuar Ukrainën në aleancë. Kjo ka qenë prej kohësh një vijë e kuqe për Vladimir Putin. Kalimi i saj, sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, do të sillte “pasoja shumë, shumë negative”. Skenari i një përballjeje në shkallë të plotë midis Rusisë dhe NATO-s është edhe një herë duke u menduar seriozisht. Por çfarë saktësisht mund ta nxisë atë dhe si do të dukej një konflikt sot?

Shkaqet e konfliktit

Një sërë zhvillimesh të fundit po rrisin “temperaturën” në Ukrainë. Thirrja e presidentit amerikan Joe Biden për të dërguar municione thërrmuese ka shkaktuar polemika. Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev akuzoi presidentin amerikan për “provokimin e armagedonit bërthamor” me këtë veprim. Situata e vazhdueshme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia është gjithashtu një burim i madh rreziku. Ekspertët, megjithatë, janë më të shqetësuar për skenarë të tjerë. Dr Patrick Bury është një pedagog i lartë për sigurinë në Universitetin e Bath, i specializuar në luftë dhe kundër terrorizmit. Ai tha për Express UK: “Baltiku dhe Polonia, të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, janë potencialisht të shqetësuar për inkursionet nga Grupi Wagner në Bjellorusi”. Një tjetër vijë e kuqe është Krimea, sidomos nëse Ukraina vendos të rimarrë territoret. Mathieu Boulegue, këshilltar në programin e Chatham House për Rusinë dhe Eurazinë, nga ana tjetër, beson se ndonjë incident mes dy palëve, ose llogaritje e gabuar mund ta nxirrte situatën jashtë kontrollit, për shembull një përplasje e një luftanijeje të NATO-s dhe një avioni rus.

“Sheshet e luftës”

Ka disa zona dhe territore ku mund të niste përplasja, sipas James Black, ndihmësdrejtor i Mbrojtjes dhe Sigurisë, në RAND Europe. Pikat e mundshme të përshkallëzimit shtrihen nga Deti i Zik deri në Arktik. Për shembull, i vendosur mes dy vendeve anëtare të NATO-s, Polonisë dhe Lituanisë, dhe Balltikut, Kaliningrad është rajoni më perëndimor dhe gjeografikisht më i cenueshëm i Rusisë, rajoni më i militarizuar në Evropë. Frika e përshkallëzimit është shumë e lartë edhe për hendekun Suwalki, zona që rrethon shtrirjen 65 milje të kufirit polako-litanian që ndan Kaliningradin nga Bjellorusia miqësore ndaj Moskës. Planifikuesit ushtarakë perëndimorë besojnë se forcat e Putinit mund të aneksojnë lehtësisht shtetet baltike nëse do të ishin në gjendje të pushtonin këtë zonë dhe t’i shkëputnin ato nga përforcimet e NATO-s.

“Shënjestra” e parë

Black paralajmëroi se përplasja në shtetet baltike mund të shndërrohet me shpejtësi në një konflikt më të gjerë duke përfshirë të gjithë Evropën, ujërat e Arktikut, Mesdheut dhe Atlantikut të Veriut, si dhe hapësirën e jashtme dhe hapësirën kibernetike. Mbretëria e Bashkuar mund të vihet vetë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të sulmit në fillim të çdo lufte NATO-Rusi, për shkak edhe të dërgesave të shumta të armëve. Sergey Markov, një ish-këshilltar i presidentit rus, ka paralajmëruar se Vladimir Putin do të ishte gati të përdorte armë bërthamore kundër vendeve perëndimore, sigurisht përfshirë edhe Britaninë e Madhe.

Gara për fitore

Black tha se Rusia do të kishte avantazhin e nisjes së një ofensive fillestare kundër NATO-s sipas kushteve të saj. Megjithatë, NATO ka forca superiore si në cilësi ashtu edhe në shkallë pasi të jetë mobilizuar në përgjigje të një sulmi. Dr Bury është edhe më optimist për shanset e Perëndimit për të fituar. Ai beson se forcat e NATO-s do t’i “përtypnin dhe t’i pështynin” ato ruse, kryesisht falë inteligjencës më të mirë, shënjestrimit dhe fuqisë ajrore. Sipas tij, shumëçka varet nga mësimet që nxjerr Kremlini nga pushtimi i tij i dështuar dhe sa shpejt mund të riarmatoset Rusia duke pasur parasysh ndikimin e vazhdueshëm të sanksioneve ekonomike.