MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Parkinsoni, kur simptomat zhduken plotësisht

04.07.2023 - 09:20

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Parkinsoni, kur simptomat zhduken plotësisht?

Mjeku: Parkinsoni duhet të kemi parasysh se është një sëmundje që nuk shërohet. Kjo do të thotë se qelizat e dëmtuara nuk rikuperohen më. Madje, në momentin që ne e kuptojmë se pacienti ka parkinson, ose ka shfaqur shenjat e para të parkinsonit, gati 60% e qelizave që janë përgjegjëse për sëmundjen, janë të humbura. Domethënë, ne e marrim të sëmurin me 40% të qelizave të shëndosha, flas për qelizat që janë përgjegjëse për këtë sëmundje. Sëmundja e parkinsonit prek ato qeliza të sistemit nervor qendror të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e një substance që quhet neuro-transmetues, pra që transmeton sinjalin nga një qelizë tek një tjetër. Ky neuro-transmetues quhet dopaminë. Është vënë re që pikërisht ulja e sasisë së dopaminës në tru, është përgjegjëse për të gjitha simptomat që përmendëm më lart. Në këtë logjikë, dalim në konkluzionin se meqë substancën e kemi të ulur në sasi, ne ja japim pacientit me tableta nga goja dhe pacienti duhet të jetë mirë. Prodhimi i dopaminës ka sjellë një trajtim shumë cilësor të pacientëve që vuajnë nga parkinsoni. Ky medikament ka ulur ndjeshëm për vite me radhë invaliditetin, pasi parkinsoni duke qenë një sëmundje që prek funksionet motorë të njeriut, e bën personin invalid, jo vetëm të punojë, por edhe që të kryejë aktivitetin e tij të përditshëm. Janë pacientë që duke u rënduar gradualisht, gjithmonë e më tepër kanë nevojë për ndihmën e familjarëve, pra nevojiten shumë burime njerëzore për t’u kujdesur për personin me parkinson. Kështu që shpikja e dopaminës solli ndryshim rrënjësor. Pacientët që vuajnë nga parkinsoni kanë edhe një periudhë që shkon nga 5 deri në 10 vite, ku simptomat largohen pothuajse plotësisht. Shpeshherë mendohet se me zhdukjen e simptomave pas përdorimit të dopaminës sëmundja është larguar, por në të vërtetë nuk është ashtu. Pastaj me kalimin e kohës, kuptohet sasia e neuroneve që prodhojnë dopaminën bie akoma dhe më shumë dhe efektet e dopaminës fillojnë të zbehen apo edhe zhduken plotësisht. Më vonë pastaj nisin të shfaqen efektet anësore të mbidozimit nga dopamina, pasi substanca nuk dëmton vetëm neuronet që e prodhojnë dopaminën, por edhe neuronet që e presin atë. Pra, jo vetëm përçuesi i sinjalit, por edhe marrësi i sinjalit dëmtohet. Kështu duke i dhënë pacientit dopaminë nga goja ne krijojmë një tepri dopamine dhe këtu fillojnë të shfaqen efektet e anësore të medikamentit. Më vonë ndërhyhet me medikamente të tjera sigurisht.

Kur kalon periudha 5-10 vjeçare që është “muaj mjalti” ndërmjet ilaçit dhe pacientit, pra periudhë kur pacienti është i lumtur, i zbehen simptomat dhe nuk ndihet i varur nga të afërmit e tjerë, atëherë rifillojnë problemet dhe kërkohen alternativa të tjera trajtimi. Një nga efektet e përdorimit për kohë të gjatë të dopaminës janë ato që quhen ON dhe OFF. Pra, pacienti kur i vjen orari për të marrë medikamentin tjetër, nuk kryen asnjë lloj veprimi, është i ngrirë dhe që cilësohet si periudha OFF. Por e kundërta ndodh sapo merr medikamentin, pasi pacienti menjëherë fillon të lëvizë dhe cilësohet si periudha ON. Por çështja është se medikamenti e ka kohën e veprimit shumë të shkurtër dhe pacienti duhet ta marrë shumë shpesh që të ketë efekt të vazhdueshëm.

Pra, nuk mjaftojnë 2 apo 3 herë në ditë si me barnat e tjera, por kërkohet 4 e më shumë vakte. Kjo padiskutim që ka efekte anësore tek pacienti. Kur edhe kjo mundësi të ezaurohet (Pacientit i duhet që në mënyrë të përsëritur gjatë ditës dhe natës të marrë këtë medikamnet) cilësia e jetesës ulet shumë. Pas këtij medikamenti ka një zgjidhje tjetër, është përdorimi i duodopos. Edhe kjo ka një periudhë përmirësimi, por metodat e tjera janë kirurgjikale. Metodat e tjera të trajtimit përfshijnë edhe kujdesin paliativ, ku përfshihen shenja të tjera si pagjumësia, dhimbja, halucinacionet etj.

Çfarë alternativash tjera u ofroni pacientëve?
Padiskutim që fizioterapia është një metodë që rekomandohet edhe tek të sëmurët me parkinson, praktikisht tek ata që janë akoma në fillim të sëmundjes së tyre dhe që kanë akoma mundësitë dhe aftësitë e motorikës. Aktiviteti fizik është një aktivitet, i cili krijon mirëqenie në trup dhe shëndet tek të gjithë njerëzit. Sidomos tek pacientët me parkinson, aktiviteti fizik është diçka që u rekomandohet në mënyrë të vazhdueshme. Nuk rekomandohet që ata të rrinë meqë kanë vështirësi për të lëvizur. Duhet të ndodhë e kundërta. Kërkohet vullnet për të lëvizur në mënyrë që të rriten akoma më shumë aftësitë.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga dëshirë për të përtypur akull deri tek...

10 mënyra me të cilat trupi juaj po thotë se diçka nuk shkon