MENU
klinika

Nga Mero Baze

Për gjithë opozitat, që luftojnë për të mbrojtur Berishën

24.07.2023 - 20:06

Kandidati i opozitës Shkëlqim Hoxha humbi thellë në Rrogozhinë në përsëritjen e zgjedhjeve vendore këtë të diel. Nuk na zhgënjeu as reagimi I opozitës së Berishës pasi e kishim të qartë se çfarë do të thoshte pa dal në konferencë shtypi. Është ajo që ka thënë 32 vjet sa herë humbet.

Por zgjedhjet ishin një test I mirë për të skanuar sëmundjen vdekjeprurëse të opozitës shqiptare.
I pari ishte kandidati. Për të gjithë ata që nuk e njohin, opozita tentoi të fitoj një qytet periferik, me një figurë simbol të korrupsionit të saj në pushtet. Ndoshta më simbolikun në gjithë historinë e politikës shqiptare.

Shkëlqim Hoxha, një ish emigrant në Bruksel I kthyer më 2005 si sponsor fiktiv I Partisë Demokratike, vetëm se dy herë ka shërbyer si taksist i Berishës kur shkonte në Bruksel, është etalon I zyrtarit të lart te administratës si i korruptuar. Ai u bë fillimisht Nëndrejtor I Përgjtishëm I Doganave dhe mbahet mend për faktin se u dërgoi gjithë doganierëve nga një letër paralajmëruese shkarkimi, dhe brenda dy javësh ata u paraqitën për tu prezantuar dhe nuk morën kurrë një letër zyrtare shkarkimi pasi dorëzuan zarfat. Më pas historitë e tij të frikshme si Drejtor I Lojërave të Fatit dhe Sekretar I përgjithshëm I Ministrisë së Financave, janë anekdotike.

Nëse doni një monument korrupsioni për zyrtarët e lart të administratës shqiptare që të përfaqësoj dhe të shkuarën dhe të sotmen dhe të ardhmen, e keni Shkëlqim Hoxhën. Në krah mund të rij plot dinjitet Gazmedn Spahiu që është emëruar pronar I syri.net, nga familja Berisha, dhe të tjerë të racës së tij, përfshi dhe këta të Edi Ramës. Por ky është etalon i paarritshëm, për nga grykësia, injoranca dhe bindja se me pare mund të blesh gjithçka..

E vetmja kënaqësi që pata nga humbja e tij është se harxhoi dy herë lek në përpjekje për të fituar duke paguar dy fushata. Është e vetmja mënyrë që populli të marr hak ndaj një hajduti të këtyre përmasave si ky. Fakti që Sali Berisha guxon të fitoj me një zyrtar simbol të korrupsionit 2005 2013, në vitin 2023, tregon se ai është në betejë për të mbrojtur sektin e hajdutëve të tij dhe jo për të ndryshuar të ardhmen e opozitës apo Shqipërisë.
Së dyti është përçarja e opozitës për shkak të Sali Berishës. Ka shumë pyetje përse më 14 Maj rezultati ishte më I ngusht dhe sot ishte humbje më e thellë.

Është shumë e qartë.
Më 14 Maj, kundërshtarët e pabythë të Sali Berishës në opozitë, të kompleksuar prej tij dhe retorikës së tij, vendosën në një mënyrë të pazakontë të mos marrin pjesë në zgjedhje, të mos kandidojnë dhe madje të mbështesin kandidatët e Berishës. I vetmi njeri i kthjellët në atë betejë ka qenë Enkelejd Alibej dhe i vetmi kandidat Roland Bejko. Të tjerët ishin nën sindromën e Stokholmit prej Berishës.

Shkëlqim Hoxha personalisht ju përgjërua Lulzim Bashës se po të fitonte do ishte me të, ju përgjërua Gazmend Bardhit se po ta mbronte në KAS apo Kolegj do ishte më të dhe natyrisht që ishte kandidat I Berishës.
Praktikisht opozita më 14 Maj në Rrogozhinë, për turp të saj, ishte e bashkuar rreth këtij kandidati, dhe bëri çfarë ishte e mundur, edhe kundrejt pareve të tij që ai të fitonte.

Këtë të diel nuk ishte. Lulzim Basha më në fund ka vendosur të dal në betejë pas gjumit të rënd të 14 Majit dhe grupimi I tij I Partisë Demokratike zyrtare nuk e mbështeti në këto zgjedhje. Gazmend Bardhi dhe gjithë të tjerët e grupit të tij po.

Rezultati 1500 vota minus, ka brenda atë që quhet peshë politike e Lulzim Bashës dhe PD zyrtare në opozitën shqiptare.

Meqë Berisha e ka pas qejf 6 Marsin si test brenda opozitës ja ku e ka prap. Edhe më 6 Mars kandidati I PD së Berishës me atë të Bashës nuk ishin shumë larg njëri tjetrit në Rrogozhinë. Zgjedhjet e së dielës e provuan përsëri. Diferenca është stoli që Lulzim Basha dhe PD zyrtare I kanë hequr Sali Berishës për ta ekzekutuar politikisht.

E treta ka të bëj me pasojat dhe jo me rezultatin. Edhe një ditë pas 6 Marsit, gjëja e parë që bëri Berisha pasi festoi fitoren imagjinare ndaj Bashës, është që nxori Salianjin dhe një grup deputetësh të kthenin në çështje dite largimin e Bashës nga PD.

Fatkeqësisht kështu ndodhi dhe sot. Grupi “triumfator” që udhëhoqi zgjedhjet e Rrogozhinës dhe theu kokën keq, sot nuk merret më me humbjen por me faktin se si ti prishin Kuvendin Lulzim Bashës që të mos I prish terezinë Berishës në të ardhmen dhe ai të vazhdojë të qëndroj si pengmarrës i madh I opozitës.
Të gjithë ata që humbën dje pasi u krekosën në tavolina si të fortë, sot janë bërë të fort me Bashën.
Kollaj është me të.

Mund të turreni prap me qysqi e vare t’ia merrni vulën të dielën, por opozitës nuk ka për t’iu ndarë vula e humbjes derisa të binden se më lehtë e kanë të heqin dorë prej Sali Berishës dhe të bëjnë një opozitë të re, se sa të përsërisin humbjet e vjetra, për shkak të tij.

Nëse, sa herë humbasin vrapojnë të mbrojnë karrigen e Sali Berishës, i garantojë se nuk do jetojnë keq si opozitarë, pasi edhe qeveria është gati ti ndihmojë për këtë gjë. Por puna është si të mundin Edi Ramën, jo si të mbrojnë Sali Berishën.