MENU
klinika

Ja çfarë e pret Rusinë

Po nëse Putin zgjidhet sërish president?

20.07.2023 - 09:31

Igor Girkin, ish-komandanti rus i kthyer në bloger ushtarak, ka thënë se Rusia nuk do t’i mbijetojë një mandati tjetër presidencial nga Vladimir Putin.

Ai ka paralajmëruar se çfarë mund të ndodhë në rast se Putini të jetë sërish president në vitin 2024.

Kushtetuta ruse më parë lejonte vetëm dy mandate të njëpasnjëshme presidenciale katërvjeçare.

Megjithatë, pas ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga parlamenti rus, Duma, Putin mund të qëndrojë edhe për dy mandate të tjera gjashtëvjeçare, potencialisht do të thotë se ai mund të mbajë pushtetin deri në vitin 2036.

Por Girkin paralajmëroi: “Vendi nuk do t’i mbijetojë edhe gjashtë viteve të tjera të pushtetit të këtij frikacaku të padobishëm. E vetmja gjë e dobishme që ai mund të bëjë…është të sigurojë një transferim të pushtetit te dikush vërtet i aftë dhe përgjegjës”.

Në vitin 2008, Dmitry Medvedev mori postin nga Putin si president përpara se ky i fundit të rifillonte mandatin e ri në vitin 2012. Javën e kaluar Girkin shkroi në Telegram se pasojat e rebelimit të organizuar nga kreu i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, mund të bëjnë që rrethi i brendshëm i Putinit të kthehet kundër tij dhe të punojë për largimin e tij nga posti.

Girkin tha se rebelimi kishte rishpërndarë pushtetin mes elitës ruse, duke dobësuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, guvernatorin rajonal të Moskës Andrei Vorobyov dhe kryebashkiakun e Moskës Sergei Sobyanin.

Ai tha gjithashtu se rrethi i brendshëm i Putinit po kërkon të sabotojë luftën e Moskës për të dobësuar presidentin dhe për ta rrëzuar atë, duke vendosur në karrigen e tij Prigozhinin ose Zëvendës Shefin e Parë të Shtabit të Putinit, Sergey Kiriyenko.