MENU
klinika

Brenda mbledhjes me dyer të mbyllura

Rama shkarkoi gjithë sekretariatin! Ç’do ndodhë sot në Tepelenë

27.07.2023 - 10:09

Kreu i mazhorancës Edi Rama ndryshoi dje të gjithë kupolën drejtuese të PS-së. Për afro një orë, Rama mblodhi Asamblenë Kombëtare në Tiranë me dyer të mbyllura, i cili i komunikoi anëtarësisë vendimin e shkarkimit të 8 sekretarëve të PS-së, duke filluar nga sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri dhe të gjithë sekretarët e tjerë.

Deri në shtator, kur socialistët do të rimbledhin prapë Asamblenë Kombëtare, e cila do të caktojë një datë për një Kongres të jashtëzakonshëm që mendohet se do të mbahet në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, detyrën e sekretarit të Përgjithshëm do ta mbajë Blendi Klosi.

Gjithashtu, u vendos dhe emri i ri në krye të grupit parlamentar të Partisë Socialiste duke pasur një shkëmbim kokë më kokë mes Taulant Ballës dhe Bledi Çuçit. Postin e ministrit të Brendshëm që e mbante më parë Bledi Çuçi e mori Taulant Balla dhe vendin e kryetarit të Grupit Parlamentar tashmë do ta zërë Bledi Çuçi.

Thelbi i të gjithë fjalimit të Edi Ramës mësohet në fakt të ketë qenë një analizë e të gjithë vitit të fundit, se si ka funksionuar Partia Socialiste. Sipas tij, në një vit, kjo seli “ka vegjetuar dhe është e nevojshme një shkundje”. Kjo është sipas Ramës edhe arsyeja e shkarkimit të 8 sekretarëve.

Fitorja e zgjedhjeve sipas kryeministrit Rama, është një tjetër gjë dhe nuk ishte merita vetëm e PS-së, por ishin një sërë faktorësh që rreshton ai që çuan në fitoren e thellë të PS-së në 14 maj. Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Kryeministri Rama nuk ka preferuar të japë prononcim për mediat.

Gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë socialiste u konfirmua se nuk ka pasur ndryshime në kabinetin qeveritar, por gjithsesi mund të ketë pasi kreu i qeverisë ka paralajmëruar se me këtë mund të merret sot dje nesër gjatë analizës vjetore të qeverisë e cila do të zhvillohet në Tepelenë.

Kujtojmë se më herët u përfol për shkarkimin nga detyra të ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, gjë që u mohua nga vetë ajo, por edhe nga kryeministri Rama. Mbledhja e Asamblesë vjen 1 vit pas mbledhjes më të fundit mes socialistëve do të pasohet nga një tjetër takim pas dy ditëve.

Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë qeverinë në një takim informal më 28 dhe 29 korrik në Tepelenë. Puna e çdo ministri do të analizohet pas ato të paraqesin mbi raportin mbi objektivat e arritura. Praktika ka treguar se vetëm pas kryerjes së kësaj analize, Rama mund të ketë ndërmarrë vendime për ndryshime në kabinetin qeveritar. Nisur nga këto zhvillime, Asambleja e PS-së që mbahet pasditen e djeshme u fokusua te ndryshimet në sekretariat dhe në analizën e zgjedhjeve lokale të 14 majit, të cilat u përmbyllën me votimet e së dielës që lamë pas me garën në Bashkinë e Rrogozhinës, ku kandidati i majtë Edison Memolla fitoi për herë të dytë përballë kandidatit të djathtë Shkëlqim Hoxha.

Analiza e zgjedhjeve do të jetë edhe vlerësim për 12 të deleguarit politik të qarqeve. Zgjedhjet e 14 majit shënuan një fitore të 58 bashkive, duke fituar për herë të parë bastionet e demokratëve si Shkodra dhe Tropojën.

PS ndërkohë që pas emërimit të Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, e zëvendësoi me Bledi Cucin në krye të grupit parlamentar të PS-së. Aktualisht këtë detyrën e ushtronte zëvendëskryetari Toni Gogu. Zhvillimet e fundit në kampin qeveritar duket se kanë krijuar një pështjellin në radhët e partisë më të madhe në vend.

Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit ku ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tashmë është zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar, por edhe dorëzimi i mandatit nga ana e Taulant Ballës si kryetar i grupit parlamentar të PS-së për shkak të emërimit të tij në krye të Ministrisë së Brendshme, kreu i socialistëve mblodhi pikërisht Asamblenë Kombëtare të PS-së.

Por, Rama nuk do të ndalet me kaq, pasi menjëherë pas Asamblesë në dy ditët në vijim ai ka parashikuar dhe një mbledhje maratonë dyditore të kabinetit të tij qeveritar. Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve, nuk dihet nëse ministrat e tij do t’i shpëtojnë valës së ndryshimeve në verë.

“Më mirë do bëhet”

Ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zgjidhet kryetar i Grupit Parlamentar. Vendimi u mor dje nga Asambleja Socialiste. Rama propozoi Çuçin për të marrë drejtimin e grupit parlamentar socialist. Më herët këtë detyrë e ka mbajtur Taulant Balla, i cili pasoi Çuçin në postin e Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë Blendi Klosi është zgjedhur sekretar i përgjithshëm.

Në këtë formë Çuçi dhe Balla kanë zëvendësuar njërit-tjetrin në detyrat e tyre të reja. Ndryshimet kanë prekur dhe Damian Gjiknurin, pasi posti i Sekretarit të Përgjithshëm iu besua Blendi Klosit. Ish ministri I brendshëm Bledi Çuçi deklaroi dje për mediat për mediat se kjo detyrë është një përgjegjësi e madhe.

Asambleja e Partisë Socialiste ka zgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosin, i cili ka zënë vendin e Damian Gjiknurit. Ky i fundit nuk pranoji që të bëjë komente, por tha se më mirë do të bëhet.

“Kemi kohë për komente! Më mirë do bëhet!”, deklaroi Gjiknuri.

Kryeministri Edi Rama mësohet se do të zhvillojë me 27 dhe 28 korrik mbledhjen e përvitshme me ministrat, të raportimit për punën që kanë kryer gjatë këtyre tetë muajve. Dhe kësaj here ajo do të mbahet në Tepelenë. Ndryshimet e djeshme në kupolën drejtuese të PS-së nuk dihet ende nëse do tu paraprijnë ndryshimeve në kabinetin qeveritar përgjatë mbledhjes së dy ditëve të qeverisë në jug të vendit.

“Nuk jam shkarkuar dhe as kam dhënë dorëheqje”

Pak orë para nisjes së punimeve të saj dhe mbledhjes informale dyditore në Tepelenë ku pritet të ketë dhe një analizë të punës së bërë nga ministrat që ai drejton, media raportoi shkarkimin e Ministres së Financave Delina Ibrahimaj.

Por, teksa po hynte në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Ibrahimaj deklaroi për mediat se as nuk është shkarkuar dhe as nuk është dorëhequr nga detyra.

“Nuk më kanë shkarkuar, kam dhënë dorëheqje!. Është koha e thashethemeve të verës”.

Kështu e mohoi lajmin ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. Në një deklaratë për mediat, Ibrahimaj tha se nuk ishte e vërtetë që kishte dhënë dorëheqje apo që ishte shkarkuar. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Rama, i cili u shpreh: “Jo, jo”.

Ibrahimaj e mori detyrën e ministres më shtator 2021, duke shërbyer në këtë detyrë për më pak se dy vjet. Në vitin 2016 e në vijim ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Statistikave, INSTAT, në 2017 e në vijim anëtare e Këshillit Drejtues të “ED Invest” dhe anëtare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Ajo mori emër në vitin 2019, kur u emërua në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, të cilën e mbajti deri në vitin 2019, përpara se të emërohej ministre. Ajo ka qenë po ashtu në drejtimin e INSTAT gjatë viteve 2015-2016 dhe ka koordinuar çështjet financiare dhe ekonomike në Kryeministri më parë.