MENU
klinika

Për 32 zonat e Tiranës

Rriten me deri në 54% çmimet e referencës për taksën e pronës

29.07.2023 - 10:32

Ashtu siç paralajmëroi edhe më parë qeveria ka rritur çmimet e referencës së apartamenteve mbi të cilat bëhet vlerësimi i taksës së pasurisë, me qëllim afrimin e vlerës së tyre me tregun aktual të shitjes dhe blerjes së pasurive të paluajtshme. Formula e re e miratuar në vitin 2018 parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët do të jetë sa 0,05% e vlerës së apartamentit, ndërsa për bizneset, kjo taksë do të jetë 0,15% .

Me vendimin e miratuar në vitin 2018 “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike” përcaktonte se për rastet kur çmimi i pronës ishte i pamundur të vlerësohej nga regjistri i të dhënave në hipotekë, për vlerësimin e çmimit të tij do të korrespondojë me çmimin mesatar referues të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi të ndara sipas qyteteve dhe për 32 zonat kadastrale në Tiranë.

Në Fletoren zyrtare janë botuar ndryshimet për vendimin e vitit 2018 për metodologjinë e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme.

Konkretisht në ndryshimet e miratuara qeveria ka rritur çmimet e referencës për metër katror të banesave mbi të cilat llogaritet taksa e pasurisë. Çmimet e referencës kishin mbetur të pandryshuara që nga viti 2016.
Rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit llogaritet rreth 29,600 lekë për metër katror.

Konkretisht rritje e çmimeve të referencës së apartamenteve për 32 zonat kadastarale të Tiranës varion nga vlera 5,100 lekë për metër katror të zonës kadastrale 1/1 (ku përfshin zonat Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk) deri në 57,800 lekë për metër katror që është rritja më e lartë në vlerë e çmimeve të referencës për zonën kadastrale 5/3 në Tiranë që përkon me zonat si: Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial.

Zona me çmimet më të larta të referencës vijon të mbetet ajo e ish – Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1. Me çmimet e referencës të 2016-s, çmimi fiskal i kësaj zone ishte 190,000 lekë për metër katror. Me ndryshimet e fundit, çmimi arrin në 228,400 (rritet 38,400 për metër katror).

Me rritjen më të lartë përfshihen zonat kadastrale 8/2 (Medreseja, Farmacia nr.10, Tregu Industrial). Në vlerë çmimi referencë është rritur 56,700 lekë/m2. Në zonën kadastrale 10/1 (PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve) çmimi u rrit 47,800 lekë për metër katror (shih tabelën me ndryshimet e çmimeve të zonave kadastrale në Tiranë dhe shpjegimin referues së zonave).

Rritja e çmimeve të referencës pritet të rrisë vlerës e taksës së pronës për qytetarët dhe bizneset. Taksa mblidhet nga pushteti vendor nëpërmjet faturave të ujësjellësit. /Dorina Azo

Vendimi

Çmimet mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për vlerësimin e vlerës së taksueshme për banesat

Çmimet mesatare referuese të shitblerjes së: a)ndërtesave që përdoren për qëllim banimi, sipas qyteteve, për çdo bashki, sipas qarqeve.

a) Çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllim banimi, sipas qyteteve, për çdo bashki, sipas qarqeve (me përjashtim të Bashkisë Tiranë):

b) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të vetëqeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014, “Për ndarjen administrativoterritoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, reduktohet deri në 35 (tridhjetë e pesë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është deri në 30 (tridhjetë) për qind krahasuar me çmimin e zonës më të afërt.

c) Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, çmimi për metër katror është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë

Çmimet mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për vlerësimin e vlerës së taksueshme për ndërtime dhe ambiente jobanimi

a) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari ekonomike tregtimi shërbimi është 1.5 (një pikë pesë) here më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori përfshihen edhe njësitë tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhimi, tregtimi apo shërbimi me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë ky koeficient është 2 (dy) herë më i lartë.

b) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

c) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për ambiente parkim i hapur, pishinë e hapur, ambiente sportive të hapura, të tilla si: fusha futbolli, minifutbolli, basketbolli, volejbolli, tenisi, golfi, pista për gara të ndryshme sportive të atletikës, motorike, garave me kuaj e të tjera të ngjashme me to; porte dhe aeroporte të çdo kategorie, për të gjithë sipërfaqen e shtrirë që ato zënë, është 30 (tridhjetë) % e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve, ose sipas njësive administrative për Bashkinë Tiranë.

ç) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për veprimtari industriale, të tilla si: prodhim, përpunim apo magazinim të lëndëve të para, të gjysmëprodukteve apo të produkteve të gatshme industriale, si: fabrika, magazina, depo, silos, magazina frigoriferike të produkteve ushqimore (përjashtuar ato të njësive të tregtimit dhe të shërbimit), si dhe objektet e tjera të ngjashme me to, është 50 (pesëdhjetë) % e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse, sipas qyteteve ose sipas njësive administrative për Bashkinë Tiranë.

Në këtë kategori përfshihen dhe ndërtesat që shërbejnë për veprimtari arsimore jopublike të çdo niveli, si dhe ambientet sportive të mbyllura, përfshirë dhe pishinat e mbyllura.

d) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi që përdoren për bujqësi dhe blegtori, apo veprimtari mbështetëse, si: grumbullim, magazinim dhe ruajtje të produkteve bujqësorë dhe blegtorale, është 30 (tridhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse, me përjashtim të përpunimit ushqimor.

dh) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 (zero pikë dy) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit sipas listës së përcaktuar aneksin 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi, për 5 vitet e para pas regjistrimit të lejes së përdorimit në ASHK

Zonat kadastrale

ZONA 1

1/1 Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, LanaBregas, Linzë, Sauk

ZONA 2

2/1 Piramida, stadiumi “Qemal Stafa”; 2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”; 2/3 Ministria e Jashtme, Ambulanca nr.1, Bërryli; 2/4 Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane; 2/5 Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë

ZONA 3

3/1 Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”; 3/2) Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë

ZONA 4

4/1 Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë; 4/2 Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta” “5 Maji”

ZONA 5

5/1 Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone; 5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial; 5/3 Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial; 5/4 Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël

ZONA 6

Shkolla Teknologjike, Kombinati, Vaqar, Selitë, Yzberisht, Sharrë

ZONA 7

7/1 Rr. Gjykata e rrethit, Ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”; 7/2 Blloku i Ambasadave, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit; 7/3 NSHRAK, parku i Ministrisë së Brendshme, Fabrika e bukës; 7/4 Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht

ZONA 8

8/1 Selvia, gjimnazi “Partizani” rruga “Tafajt”; 8/2 Medreseja, farmacia nr.10, Tregu Industrial; 8/3 Tregu Industrial, fabrika “Ajka”, uzina “Dinamo”, Bregu i Lumit

ZONA 9

9/1 Bar Piazza, Blloku përgjatë “Zogu I”, Rruga e Barrikadave, rruga “Fortuzi”, “Sulejman Pasha” deri te “Mine Peza”; 9/2 Stacioni i trenit, Arkiva e Përgjithshme, Hipoteka, Politeknikumi; 9/3 “Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, Bregu i Lumit, Politeknikumi, rruga “Siri Kodra”

ZONA 10

10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve; 10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike; 10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit

ZONA 11

11/1 Zogu i Zi, ish-Shkolla e Partisë; 11/2 Ferluti, ish-Uzina Tirana, FIAT, Zbritja drejt Laprakës; 11/3 Laprakë, Drejtoria e Doganave, Spitali Ushtarak, Bregu i lumit, Fushë Mëzes, Don Bosko.

/Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkesa e bisneseve për bashkitë

“Të falen taksat vendore për vitin 2020”