MENU
klinika

Dy "njerëzit e tij" në krye të gjigantëve perëndimorë

Rusia po “ia merr kalanë nga brenda” BE-së…

22.07.2023 - 08:30

Nga Marsela Shytia

Që nga fillimi i luftës ruse në Ukrainë, Bashkimi Europian është përpjekur t’i boshatisë “arkat” presidentit Vladimir Putin, si duke i vendosur sanksione dhe si duke mos e lejuar të ndërhyjë në punët e tyre apo të ketë akses në bizneset në Europë. Megjithatë, pa sukses, dhe për këtë është dëshmi rasti i fundit. Një ristrukturim ka tronditur Moskën dhe BE-në gjithashtu, pasi dy figura shumë të afërta me presidentin rus janë emëruar për të drejtuar degët lokale të dy gjigantëve perëndimorë, të kaluar së fundmi nën menaxhim e përkohshëm të shtetit. Një ministër çeçen, nipi i Ramzan Kadyrov, kryeson degën ruse të prodhuesit të kosit “Danone” dhe një mik i vjetër i Vladimir Putinit në krye të “Baltika Breweries”, kompania që prodhon birrën brenda Federatës Ruse në emër të grupit “Carlsberg”.

Emërimet e bujshme

Yakub Zakriev, nipi i liderit çeçen Kadyrov, do të kryesojë degën ruse të Danone. Zakriev, 32 vjeç, është djali i motrës së Kadyrov, Zargan, dhe për dy vjet ka mbajtur postin e kryetarit të bashkisë në qytetin e Grozny, duke u bërë një nga guvernatorët më të rinj rus. Përveç kësaj, Yakub tani drejton Ministrinë e Bujqësisë çeçene. Kadyrov, aleat i ngushtë i Putinit, i është referuar në rrjetet sociale si “nipi i tij i dashur”.Ndërsa Taimuraz Bolloev është emëruar drejtor i degës ruse të “Baltika Breweries”. Përveçse është mik i Putinit, ai është gjithashtu shumë i afërt me vëllezërit Kovalchuk, Yuri dhe Mikhail, dy milionerë rusë, besnikë të presidentit, që kishin shprehur interes edhe vetë për postet drejtuese në kompani në të kaluarën. Bolloyev, është president i një kompanie veshjesh që u bë furnizuesi i vetëm për ushtrinë ruse në 2012, raportoi “Vedomosti” të martën. Putin e emëroi atë si kreun e korporatës shtetërore Olimpstroy që ndërtoi objekte sportive për Lojërat Olimpike Dimërore 2014 në Soçi. Bolloyev ishte gjithashtu një përfaqësues i fushatës së Putinit në zgjedhjet presidenciale të 2000 dhe 2004. Së bashku me Putinin dhe biznesmenin miliarder Arkady Rotenberg, mikun e fëmijërisë së presidentit, Bolloyev është anëtar i bordit të klubit të xhudos Yavara-Neva në Shën Petersburg.

Russia: Close Putin Ally Appointed New Director of Baltica | inside.beer - International beverage news from Munich

Lëvizjet e fshehta

Putin ka prezantuar rregulla të reja që e lejojnë Moskën të konfiskojë asetet e kompanive nga vendet “armiqësore”. Prandaj, shumë kompani të mëdha perëndimore ndaluan operacionet e tyre në Rusi pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Para se të viheshin nën kontrollin e shtetit, “Danone” dhe “Carlsberg” ishin përpjekur të shisnin pronat e tyre në territorin rus, por dështuan dhe u shtetëzuan efektivisht. “Carlsberg” tha se ishte e paqartë se çfarë pasojat do të kishte zhvillimi në filialin e saj rus, si dhe në procesin e shitjes. Në vend të kësaj, ishte vlerësuar se shitja e mundshme e biznesit rus të “Danone” do të kishte rezultuar në një goditje me vlerë 1 miliard euro për grupin me bazë në Francë.Të dielën, një urdhër i nënshkruar nga Putin vendosi aksione të “Danone Russia” dhe “Baltika Breweries” nën kontrollin e agjencisë ruse të pasurive të paluajtshme Rosimushchestvo. Agjencia mori në mënyrë efektive kontrollin 100% të “Baltika”, duke përfshirë 98.5% të pronësisë së kompanisë suedeze dhe 100% të degës ruse të Danone. Danone, e cila kishte filluar procesin për të shitur biznesin e saj rus tetorin e kaluar, tha se po hetonte lidhur me situatën. Carlsberg tha se nënshkroi një marrëveshje për të shitur “Baltika Breweries” muajin e kaluar, por marrëveshja nuk ishte përfunduar ende. Me nënshkrimin e Dekretit Presidencial më 16 korrik 2023, “Carlsberg Group” nuk ka më kontroll mbi menaxhimin ose operacionet e “Baltika Breweries”. “Marrja e Baltika Breweries rrjedhimisht është kryer pa dijeninë ose miratimin e Carlsberg Group”, shpjegoi Carlsberg, siç raporton “BBC”. Baltika prodhon disa nga markat më të njohura të birrës në Rusi, dhe ka mbi 8,400 punonjës në tetë fabrika. “Danone” tregton qumësht dhe kos në Rusi nën markat Danone, Danissimo ose Prostokvashino. Në vitin 2010, grupi bleu 57.5% të produktit të dytë më të madh të qumështit në Rusi, Unimilk (21% pjesë e tregut dhe 25 fabrika).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i ligjvënësit më të lartë të Rusisë

“‘Gjeni rubla’ nëse doni naftë, drithëra ose metale nga ne!”

Propozimi ‘bombë’ i SHBA-së për Turqinë

“Dërgoni në Ukrainë sistemin raketor rus!”