Këshilli i Bashkimit Europian ka ashpërsuar sanksionet penalizuese ndaj tregtisë me Rusinë.
Masat shtesë penalizuese të Këshillit të BE-së ndaj Rusisë të miratuara më 23 Qershor në Bruksel do të zbatohen edhe në Shqipëri.
Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi i këshillit të Ministrave “Për disa shtesa në vendimin nr. 1128, datë 30.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin nga Republika e Shqipërisë të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian për vendosjen, ndryshimin dhe shfuqizimin e masave shtrënguese ndërkombëtare, të ndryshuara”, të ndryshuar.
Në nenin 1 të vendimeve të BE-së parashikohet ndalimi i shitjes së letrave me vlerë të transferueshme apo të shprehura në çdo monedhë zyrtare të një shteti anëtar të emetuar para 12 Prillit 2022 dhe çdo menedhë tjetër e emetuar pas 6 Gusht 2023, si ndërmarrjeve, ashtu edhe personave fizik apo ndaj çdo shtetasi rus ose subjekti të themeluar në rusi.
Këshilli i Europës ka kërkuar edhe ndalimin e dhënies apo vazhdimit të çdo kontrate publike apo koncensionare me Rusinë.
Ndërsa në nenin 4 të vendimit të BE-së shtohet edhe masa ndaluese e importit të produkteve të hekurit dhe çelikut prej 30 Shtator 2023 drejtpërdrejtë apo në rrugë të tërthorta nga Rusia. Ndalimi i importit do të zbatohet edhe për blerjen e mallrave të luksit me vlerë mbi 300 euro.
Ndalohet tranziti përmes territorit të Rusisë së mallrave dhe teknologjisë së përshtatshme për përdorimin në aviacion. Gjithashtu do të ndalohet edhe tranzitimi përmes territorit të Rusisë së mallrave dhe teknologjisë që mund të kontribuojnë në përmirësimin ushtarak të Rusisë. Ndalohet shitja, furnizim apo eksportimi me origjinë nga BE ose vendet jo anëtare drejt Rusisë.
Gjithashtu do të jetë e ndaluar shitja apo transferimi i të drejtave të pronësisë intelektuale.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nisi në muajin shkurt të vitit të kaluar. Pas nisjes së luftës kjo është paketa e 11 e sanksioneve të miratuara nga BE.
Në vendimet e reja disa zgjerohen disa kufizime të mëparshme dhe shtohen 87 kompani në listën e sanksioneve për të cilat BE-ja u shpreh se po e mbështesin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës. Kompanitë e përfshira në listën e sanksioneve janë të regjistruara në Kinë, Uzbekistan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Siri dhe Armeni. /Monitor