Pas disa vitesh jashtë Bashkimit Europian, Britania duket se dëshiron të rikthehet, dhe Brukseli nuk është aspak i impresionuar. Shtatë vjet pas referendumit të Brexit , përqindja e britanikëve që duan të ribashkohen në BE është në nivelet më të larta që nga viti 2016, sipas një sondazhi të ri. Si britanikët ashtu edhe evropianët kanë shumë më pak gjasa të mendojnë se vendet e tjera do të ndiqnin shembullin e Brexit dhe britanikët janë më optimistë për të ardhmen e bllokut, aq sa i besojnë Komisionit Evropian më shumë sesa qeverisë së tyre. Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk janë aspak të kënaqur me këtë skenar. “Hap pas hapi territori dhe interesat britanike i janë dorëzuar dhe po i dorëzohen BE-së. Brexit po vritet qëllimisht”, shkruan Ben Habib, një ish-eurodeputet dhe një nga zërat më të fuqishëm pro-largimit të vendit nga BE.
Pakënaqësitë me BE-në
“Marrëveshja më e mirë e ofruar kur u larguam nga BE-ja ishte që s’kishte marrëveshje. Sektori ynë i shërbimeve financiare lulëzoi. Tani Sunak dhe Hunt synojnë ta fundosin Londrën”, shkruan ai, për “Express UK”. “Marrëveshjet me BE-në nuk kanë qenë kurrë të mira për interesat britanike. Boris Johnson nënshkroi dy traktate të reja për “Get Brexit Done”. Në vend që të na nxirrnin nga BE-ja, këta komplotuan për të lënë pas Irlandën e Veriut”, argumenton Habib. Ai thekson se teksa ishte anëtar i BE-së, Brukseli po miratonte rregullore të reja që dëmtunin qytetin. Sipas tij, BE e shikonte Londrën si një “kërcënim”, jo ??një pasuri, duke preferuar ta sulmonte atë dhe të promovonte Frankfurtin dhe Parisin. “E mbani mend pretendimin e Project Fear se qyteti do të humbiste 75,000 vende pune nëse ne votonim për t’u larguar? Epo, ishin gabim. Që nga viti 2016, janë shtuar afro 100,000 vende pune, gjysma e atyre që në fakt u larguam nga BE-ja në vitin 2020. Tani ka rreth 600,000 njerëz të punësuar në Square Mile. Qyteti mund të kishte qenë edhe më mirë nëse do t’i hiqnim qafe rregullorete BE-së”, argumenton Habib.
Një hap larg
Kishte një fije shprese vitin e kaluar kur Jeremy Hunt njoftoi Reformat e Edinburgut dhe nxjerrjen e regjimit Solvency 2 të BE-së për mjaftueshmërinë e kapitalit. Sipas ish-eurodeputetit, nëse këto do të kishin kaluar, miliarda paund do të kishin shkruar për investime në Mbretërinë e Bashkuar. Bashkimi Evropian dhe Britania nënshkruan së fundmi një marrëveshje, për të rritur bashkëpunimin në shërbimet financiare. Marrëveshja do të krijojë një forum përmes të cilit të dy palët do të diskutojnë bashkëpunimin rregullator vullnetar për çështjet e shërbimeve financiare. Marrëveshja u nënshkrua nga Jeremy Hunt, ministri britanik i financave dhe Mairead McGuinness, Komisionerja Evropiane për shërbimet financiare.Memorandumi i Mirëkuptimit krijon një forum përmes të cilit do të bashkëpunohet me BE-në, për “parandalimin e arbitrazhit rregullator” dhe “përputhshmërinë e standardeve”. McGuinness tha se edhe pse Britania nuk është më pjesë e BE-së, “ne ende ndajmë shumë nga të njëjtat çështje dhe sfida si luftimi i krimit financiar, mbështetja e financave të qëndrueshme dhe mundësimi i financave dixhitale.” Ndërkohë, Hunt tha se Britania është “absolutisht e kënaqur”, duke shtuar se “Memorandumi i Mirëkuptimit”ishte “një pikë kthese e rëndësishme”.
“Vrasja” e Brexit
“Me fjalë të tjera, ai ka marrë përsipër të mos bëjë asgjë që do t’i jepte Mbretërisë së Bashkuar një avantazh konkurrues. Në ato pak fjalë ai ka varrosur atë që duhet të ishte një përfitim i madh Brexit”, shkruan Habib, duke shtuar se ky është një tjetër “kapitullim britanik”. “Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm për marrëzinë e Huntit. Ai dhe Sunak janë thjesht ideologjikisht të vendosur kundër një Mbretërie të pavarur të Bashkuar. Ata premtuan të grisnin më shumë se 4,000 rregullore të BE-së mbi librat tanë të statutit me Projektligjin e Mbajtur të Ligjit të BE-së; në fakt, ata s’do të heqin qafe asnjë”, shkruan Habib dhe shton se Britania tani po rreshtohet krah BE-së. “Hap pas hapi territori dhe interesat britanike i janë dorëzuar dhe po i dorëzohen BE-së. Brexit po vritet qëllimisht”, përmbyll ai shkrimin për “Express UK”.