MENU
klinika

Persona të panjohur hapën zjarr drejt banesës

Vritet në Greqi një pushues nga Shkupi, plagoset një tjetër

15.07.2023 - 11:21

Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i ngjarjes së përgjakshme të ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, konkretisht në ora 3:30 të mëngjesit në Hanioti të Halkidikit, shkruan kathimerini.gr.

Bëhet fjalë për dy persona të moshës 39 dhe 45 vjeç, pushues nga Shkupi, Maqedonia e Veriut. Sipas informacioneve të para nga Policia greke, persona të panjohur, kanë hapur zjarr ndaj tyre teksa ndodheshin në banesë me qira.

Për pasojë 39-vjeçari ka mbetur i vdekur, ndërsa 45-vjeçari është dërguar i plagosur fillimisht në Qendrën Shëndetësore Kassandra dhe më pas në Spitalin e Përgjithshëm Polygyros, ku ndodhet për mjekim.

Autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa janë shpallur në kërkim nga Policia. Rrethanat dhe shkaqet e sakta të ngjarjes fatale janë duke u hetuar nga Departamenti i Sigurisë Polygyros.