MENU
klinika

Anëtarësia tkurret nga 75 mijë në 25 mijë!

Zgjedhjet për kreun përçajnë edhe më thellë PD-në

26.07.2023 - 09:42

Vetëm një pjesë e anëtarësisë së PD-së do të votojnë me datën 29 korrik për kreun e ri të PD-së. 25 mijë demokratë janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 29 korrikut mes Lulzim Bashës dhe Gjergji Hanit.

Por 50 mijë anëtarë më pak do të votojnë atë ditë për kryetarin e ri të PD-së zyrtare. Edhe pse në vitin 2021 numri i anëtarësisë së PD ishte 75 mijë, kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana deklaroi dje e kutive të votimit të shtunën do i drejtohen 25 mijë demokratë, duke mos sqaruar se si është bërë verifikimi i anëtarësisë.

Gjana tha se 50 mijë anëtarë janë përjashtuar për shkak se janë angazhuar me PD e Berishës dhe forca të tjera politike. Beteja për vulën ka nisur tashmë dhe në PD zyrtare. Sipas tij vula është marrë nga Gazment Bardhi dhe se për këtë arsye, PD është detyruar të prodhojë një vulë të re.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana, pranoi se nga 75 mijë anëtarë që ka pasur Partia Demokratike në vitin 2021, vetëm 1/ 3 kanë mbetur tek grupimi që pritet të zgjedhë Bashën kryetar të shtunën.

Por, Gjana nuk dha një sqarim pse ky grupim ka të drejtën të përdorë simbolet e Partisë Demokratike, kur sipas shifrave të paraqitura nga vetë ai, 50 mijë anëtarë ose 2/3 e demokratëve janë larguar me Sali Berishën.

“PD ka pasur në dijeninë time, dikur edhe 120 mije ka pasur edhe 102 mije anetare. Ka patur një listë me 75 mijë anëtarë në 2021. Sot, kemi këtë numër anëtarësie. Këto teoritë dhe këto teza shumicash dhe pakicash nuk i shërbejnë askujt dhe asgjëje”, deklaroi kreu i Komisionit Zgjedhor në PD.

Gjana pranoi se PD-ja përveç anëtarësisë së reduktuar, ka edhe një problem me vendosjen e qendrave të votimit, pasi një pjesë e selive sot i ka Sali Berisha, apo edhe grupimi që mbështet Gazment Bardhin.

“Në disa prej degëve veçanërisht për Tiranën do të ketë një qendër votimi për disa degë për efekt të ambienteve, por edhe për efekt të një numri më të reduktuar të anëtarëve”, u shpreh Jemin Gjana.

PËRPLASJA
Përtej demokratëve, që prej më shumë se një viti kanë zgjedhur kryetar Sali Berishën, sot kundër Lulzim Bashës dhe përpjekjes së tij për të marrë drejtimin e PD është rreshtuar edhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi.

Ai ka thirrur mbledhjen e këshillit kombëtar pasditen e së enjtes me detyrën 27 korrik në orën 19:00 për të diskutuar çështjen e drejtimit të Partisë Demokratike. Por në përpjekjen e tij për të bllokuar zgjedhjet e 29, duket se Bardhi nuk është i vetëm, pasi anëtarë të Këshillit Kombëtar që prej kohësh njohin Sali Berishën si kryetar do të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Bardhi ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar, Statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Mbledhja e Këshillit Kombëtar parashikohet të zhvillohet “online” dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar. Gazment Bardhi shprehet se PDja ka nevojë që të forcohet dhe jo të zvogëlohet.

Përmes një postimi në “Twitter”, Bardhi shkruan se “akti i përjashtimit të mbi 50 mijë anëtarëve me të drejtë vote është një damkë turpi” dhe akuzat i hedh ndaj atyre që thotë se urdhërojnë zvogëlimin e PD-së për ta shndërruar atë në një parti private. Bardhi shton se kjo është një rrugë e gabuar dhe dëm me pasoja të rënda për PD-në nga sjellje që i cilëson “të së shkuarës së saj”.

“PD-ja ka nevojë të forcohet dhe jo të zvogëlohet. Ka nevojë për të afruar anëtarë dhe jo për të përjashtuar. Akti i përjashtimit të mbi 50 mijë anëtarëve me të drejtë vote është një damkë turpi mbi ata që po urdhërojnë zvogëlimin e PD për ta shndërruar atë në një parti private! Kjo është një rrugë e gabuar dhe nuk është garanci për të ardhmen. Është dëm me pasoja të rënda për PD nga sjellje të së shkuarës së saj”, shprehet Bardhi.

Ndërkohë, shtatë deputet që kanë mbështetur PD zyrtare janë shprehur gjithashtu kundër zgjedhjeve të së shtunës ku garojnë për kreun e partisë Lulzim Basha dhe Gjergji Hani. Ata shprehen se këto zgjedhjeve janë të njëanshëm, thellojnë përçarjen e PD-së dhe se po zhvillohen për përfitime personale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Jo peng i halleve personale të politikanëve të korruptuar e inkriminuar"

Basha: PD duhet të kthehet në aleancë të pacekshme me SHBA, MB e BE

PD tkurr listën e anëtarësisë me 50 mijë anëtarë

Bardhi: Damkë turpi mbi ata që po urdhërojnë zvogëlimin e partisë!