Dvite pas mposhtjes së Shtetit Islamik në fushën e betejës, qeveritë botërore po përpiqen të arrijnë një konsensus se çfarë duhet të bëjnë me mijëra të burgosur që kanë qenë të angazhuar në luftën civile në Siri.
Një koalicion prej 85 vendesh festoi në vitin 2019 humbjen e Shtetit Islamik të vetëshpallur në Irak dhe Siri, i njohur edhe si ISIS.
Por enigma se çfarë do të bëhet me një numër të madh militantësh të arrestuar dhe familjet e tyre mund ta shqetësojë botën për vitet në vijim. Thuhet se luftëtarët e arrestuar të ISIS në Sirinë Verilindore përbëjnë përqendrimin më të madh në botë të terroristëve.
Dhjetëra mijëra njerëz me lidhje të dyshuara me organizatën po lëngojnë në kampet siriane. Në kushte kur qeveritë po ngurrojnë të riatdhesojnë ata që kanë mbetur nga ky grup terrorist, situata ngre shqetësime serioze për sigurinë, ligjore dhe të drejtat e njeriut.
Cili është statusi aktual i Shtetit Islamik në Siri?
Në kulmin e fuqisë së tij në vitin 2014, Shteti Islamik kontrollonte të paktën 1/3 e Irakut dhe Sirisë, që ishte edhe zona kryesore e operacioneve të grupit. Në fillim të vitit 2019, territori i fundit nën kontrollin e saj ra në duart e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA, ushtria e qeverisë autonome kurde që kontrollon Sirinë Verilindore.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, ISIS ka 2500-3500 luftëtarë në Irak dhe Siri, dhe besohet se është i paaftë për të kryer sulme në shkallë të gjerë në asnjërin vend.
Ndërkohë kërcënimi që vjen prej tij, që buron nga degët e tij në Afganistan dhe disa pjesë të Afrikës, është lënë në hije. Ekspertët thonë se grupi synon të ri-ngrihet si dikur duke çliruar një numër të madh të anëtarëve të tij të ndaluar në Siri, si dhe nëpërmjet radikalizimit të atyre që janë mbyllur në kampet e drejtuara nga SDF. Përpjekja e tij më e bujshme në janar 2022, solli lirimin e dhjetëra të burgosurve përpara se kampi të merrej nën kontroll nga forcat e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe SDF.
Cila është situata për të burgosurit e Shtetin Islamik dhe kampeve në Sirinë Verilindore?
Në janar të këtij vitit, rreth 65 mijë njerëz që mendohej se kishin lidhje direkte ose indirekte me Shtetin Islamik mbaheshin në një sërë kampesh të drejtuara nga SDF. Mbi 50 mijë prej tyre, shumica dërrmuese e tyre gra dhe fëmijë, janë të grumbulluar në kampin famëkeq Al-Hol.
Të arrestuarit janë një përzierje e atyre që deklarojnë ende besnikëri ndaj Shtetit Islamik, atyre që iu bashkuan pa dëshirë organizatës për shkak të bashkëshortëve apo baballarëve të tyre, dhe ata që rastisën të jetonin në zonat e pushtuara nga Shteti Islamik. Numri i atyre që pajtohet me ideologjinë e grupit është i paqartë, por jo i vogël sipas ekspertëve.
Për me tepër prirjet ekstremiste mbeten më të forta në mesin e banorëve që nuk janë nga Iraku apo Siria. Shtetet e Bashkuara mbajnë rreth nëntëqind trupa të mbetura në Siri për të kryer operacione kundër terrorizmit dhe për të ofruar trajnime dhe ndihmë sigurie për SDF-në. Megjithatë, kampet e drejtuara nga SDF janë shumë të pasigurta, me burime të pakta dhe për këtë arsye të prirura ndaj shpërthimeve të sëmundjeve dhe të keq-pajisura për temperaturat ekstreme të zonës.
Shumë fëmijë kanë humbur vitet e shkollës, dhe shpesh djemtë e mitur ndahen nga nënat e tyre. Zyrtarët e SDF thonë se e bëjnë këtë sepse nënat përpiqen që t’i radikalizojnë djemtë e tyre dhe t’i detyrojnë të bëjnë seks me gratë e Shtetit Islamik për të shtuar numrin e grupit. Kombet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave i kanë dënuar ndarjet e familjeve si veprime të rrezikshme dhe të paligjshme dhe disa ekspertë kanë vënë në pikëpyetje vërtetësinë e pretendimeve të SDF.
Cili është debati rreth këtyre kampeve?
Shumica e ekspertëve i shohin ato si objektiva të sulmeve të Shtetit Islamik, si inkubatorë për ekstremistët e ardhshëm dhe si një sistem paraburgimi problematik, sidomos duke pasur parasysh burimet e kufizuara të SDF-së për t’i menaxhuar ato. Ashtu si Kombet e Bashkuara, zyrtarët amerikanë pohojnë se “riatdhesimi, rehabilitimi, ri-integrimi dhe aty ku është e përshtatshme ndjekja penale dhe burgosja” e banorëve të këtyre kampeve nga vendet e tyre të origjinës do të parandalojnë rigjallërimin e Shtetit Islamik.
Por ligji ndërkombëtar nuk kërkon nga vendet e origjinës që të riatdhesojnë shtetasit e tyre nga Siria. Dhe deri më tani, shumë vende kanë refuzuar riatdhesimin ose kanë zgjedhur të kthejnë në shtëpi vetëm disa gra dhe fëmijë të vegjël. Disa vende si Australia, Irlanda dhe Britania e Madhe, kanë zgjedhur t’u hedhin shtetësi disa shtetasve me shtetësi të dyfishtë.
Vendet përmendin ekzistencën e shumë pengesave për riatdhesimin. Së pari ato ligjore. Shumë vendeve të origjinës u mungon vullneti politik dhe burimet për të hetuar dhe ndjekur penalisht të kthyerit që dyshohen për kryerjen e veprave të lidhura me terrorizmin. Provat e veprave penale të lidhura me Shtetin Islamik janë të vështira për t’u mbledhur dhe cilësohen informacione të ndjeshme që nuk mund të përdoren në shumicën e gjykatave.
Së dyti për shkak të një ekstremizmi të rrënjosur. Qeveritë shqetësohen se nëse riatdhesojnë disa shtetas dhe dështojnë t’i ndjekin penalisht apo de-radikalizojnë me sukses, të kthyerit mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë, duke pasur parasysh ekspozimin e tyre ndaj retorikës ekstremiste.
Së treti janë sfidat e ri-integrimit. Shumica e të kthyerve do të kenë nevojë për mbështetje të gjerë për t’u ri-integruar me sukses në shoqëri. Këtu mund të përfshihen trajnimet për punë, këshillimi psikologjik, ndihmë për marrjen e dokumenteve civile dhe për strehim.
Së fundi, lufta civile e ka ndarë Sirinë në territore të kontrolluara nga qeveria dhe opozita. Shumica e 12 mijë banorëve sirianë të kampeve të SDF vijnë nga zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nuk ka mekanizma zyrtarë për kthimin e tyre.
“Duhet të ekzistojë një organ ndërkombëtar që gjykon rast pas rasti. “Provat do të jenë të paplota. Kjo është natyra e këtyre llojeve të luftërave të çrregullta joshtetërore. Por kjo është e vetmja zgjidhje që unë shoh”- thotë eksperti i CFR kundër terrorizmit, Bruce Hoffman.
Çdo të ndodhë më pas me të arrestuarit?
Pa një shtim të numrit të riatdhesimeve, ata mund të lëngojnë në Siri për një periudhë të pacaktuar dhe pa u gjykuar. Disa analistë e krahasojnë situatën me kampin amerikan të paraburgimit në Gjirin e Guantanamos në Kubë, ku janë mbajtur shumë terroristë të dyshuar dhe mbështetësit e tyre prej më shumë se 20 vjetësh, shumë syresh të lënë në harresë dhe pa një datë konkrete të gjykimit të tyre.
Administrata kurde njoftoi në qershor se do të nisë të gjykojë mijëra luftëtarë të huaj, por deri më tani nuk është shpallur asnjë gjyq, dhe kritikët thonë se kësaj administrate i mungon juridiksioni për të mbajtur një proces të tillë. Për sa kohë që kampet të tilla mbeten të hapura, ato do të jenë objektiva të sulmeve të Shtetit Islamik, sidomos nëse tërhiqen trupat amerikane.
Po ashtu, ato mund të shndërrohen në terrene për sulme. “Ose do të vazhdojë status quo-ja shumë e pakënaqshme, ose unë mendoj se do të shohim akte dhune. Dhe kjo është me gjasë mënyra e vetme që do të nxisë veprimin”- thotë Hoffman.
Burimi: Council on Foreing Relations