MENU
klinika

Studimet

A mund të shkaktojë kanabisi depresion tek të rinjtë?

20.08.2023 - 08:12

Ajo që dihet mirë është se ekziston një lidhje midis përdorimit të kanabisit dhe depresioneve tek të rinjtë. Por cili është shkaku dhe efekti? Shkakton kanabisi depresionet apo depresionet bëjnë që të përdoret kanabisi?

Në të gjithë botën është duke ndryshuar mënyra si trajtohet kanabisi. Përdorimi i tij në fushën e mjekësisë është duke u studiuar gjithnjë e më shumë duke diskutuar madje legalizimin. Tetë vende mes të cilave Kanadaja, Uruguaji, Meksika dhe Tailanda si dhe 22 shtete në SHBA e kanë legalizuar tashmë përdorimin privat të kanabisit në kohën e lirë. Rreth 50 vende kanë vendosur ta lejojnë kanabisin për përdorim mjekësor. Shumë vende të tjera janë duke përpiluar ligjet për ta lejuar. Por, ngjashëm si me duhanin dhe cigaren, legalizimi i kanabisit nuk do të thotë që kjo drogë është e padëmshme.

Marihuana është substanca e përdorur më shumë nga të rinjtë në gjithë botën. Sipas shkencëtarëve të Universitetit Columbia në Nju Jork, më shumë se 2,5 milionë të rinj konsumojnë me raste kanabis në SHBA dhe kjo tendencë është në rritje. Prandaj tendenca e legalizimit dhe lejimit të përdorimit për arsye mjekësore ka lëshuar sinjalet e alarmit për shumë ekspertë, sidomos kur bëhet fjalë për rreziqet e mundshme për shëndetin e minorenëve dhe të rriturve në moshë të re.

Truri në fazë zhvillimi

Nuk është shumë e qartë kur mbyllet cikli i zhvillimit tek të rriturit. E qartë është vetëm se në këtë periudhë trupi i njeriut pëson shumë ndryshime biologjike, edhe në tru. Këto ndryshime e bëjnë më të vështirë identifikimin e pasojave që shkakton përdorimi i kanabisit tek të rinjtë. Sipas një institucioni amerikan, Institutit Kombëtar për shëndetin mendor, që varet nga Ministria Amerikane e Shëndetësisë, truri zhvillohet deri në moshën e mesit të njëzetave. Gjatë kësaj kohe shpaloset për shembull përpunimi i emocioneve, trajtimi i stresit, motivimi dhe shpërblimi, marrja e vendimeve, kryerja e veprimeve të menduara mirë, kontrolli i impulsive dhe të menduarit logjik.

Njëkohësisht zvogëlohet substanca gri e trurit duke krijuar gjithnjë e më shumë substancë të bardhë, me anë të të cilës sekorë të ndryshëm të trurit mund të komunikojnë më mirë me njëri tjetrin.

Kjo e vështirëson jetën e një të riu. Ndryshime të mëdha pëson jo vetëm trupi, shpesh të rinjtë luftojnë edhe më çështjet e identitetit të tyre, me presionin social, presionin që shkaktohet në raste emergjence, dinamikat brenda familjes dhe probleme të tjera. Të gjitha këto ndryshime dhe rëndesa mund të bëjnë që të rinjtë të vuajnë më shpesh nga problemet psiqike si gjendja e frikës dhe depresionet. Ato mund të jenë edhe një nga arsyet pse për t’u ftilluar të rinjtë përdorin marihuana. Këtë shpjegon autoriteti amerikan për përdorimin e substancave abuzive dhe shëndetit mendor, SAMHSA (Substance Abuse and Mental Health Services Administration). Detyra e tij është të përmirësojë kujdesin për lëndët që krijojnë varësi dhe të sëmurët psiqikë.

Por problemi është se prej konsumimit të marihuanës në afat të gjatë keqësohen problemet psiqike. Nëse truri ndodhet ende në fazë zhvillimi, ai reagon me ndjeshmëri të madhe ndaj substancave si alkooli, tabaku, marihuana dhe substancat e tjera që krijojnë varësi.

Sipas shoqatës amerikane për psiqiatrikën e fëmijëve, American Academy of Child and Adolescent Psychiatry, ka qenë e mundur të dëshmohet se këto substanca ndryshojnë ose vonojnë disa nga zhvillimet e trurit gjatë adoleshencës. Në rastin e kanabisit janë duke u dhënë gjithnjë e më shumë dëshmi që tregojnë se shkakton ndryshime në trurin e adoleshentëve.

Mungesë përqëndrimi dhe probleme me të mësuarin

Sipas autoriteteve amerikane të shëndetësisë, Centers for Disease Control and Prevention (CDC) kjo do të thotë vështirësim të procesit të të menduarit dhe procesit të zgjidhjes së problemeve, mungesë përqëndrimi dhe vështirësim të procesit të përqëndrimit. Në studimet e bëra është vërejtur të ketë lidhje midis konsumimit të kanabisit dhe problemeve psiqike si gjendja e frikës dhe depresionet. Njerëzit që përdorin kanabis kanë tendenca më të shpeshta për episode psikotike.

Një studim i publikuar në revistën shëndetësore amerikane, “Journal of the American Medical Association” (JAMA), është marrë me të rinjtë që gjatë 12 muajve të fundit kanë konsumuar kanabis me raste, pra konsumim që nuk ka arritur të kthehet në varësi. Për këtë studim janë bërë vlerësimet e përgjigjeve të dhëna nga 70 mijë adoleshentë, përgjigje që janë marrë për të bërë vlerësimet statistikore federale për shëndetin dhe konsumin e lëndëve që krijojnë varësi, në vitin 2019. Studimi tregon se në krahasim me të rinjtë që nuk tymosin marihuanë, të rinjtë që përdorin pak kanabis kanë dy deri katër herë më shumë probleme psiqike si depresione, mendime suicidale, vonim të proceseve të të menduarit dhe probleme me përqëndrimin.

Kjo tregon se ekziston një lidhje midis konsumit të marihuanës dhe problemeve psiqike, pyetja është vetëm nëse njëra të çon direkt tek tjetra. Një studim tjetër botuar pak më parë në revistën “JAMA Psychiatry”, tregon se konsumi i marihuanës në moshë të re rrit rreziqet që në jetën e mëvonshme të zhvillohen depresione ose mendime suicidale. Megjithatë një studim i publikuar në revistën “Journal of Psychopharmacology” në vitin 2002, thotë se në krahasim me të rriturit që konsumojnë kanabis, adoleshentët që konsumojnë kanabis nuk vuajnë më shpesh nga problemet psiqike si depresione dhe frika. Kjo mund të thuhet vetëm për adoleshentët që kanë qenë të varur nga kabanisi.

Burimi: dw.com

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rrjetat kriminale do rendin pas këtij fitimi"

Legalizim kanabisi? Ekspertët amerikanë kundër Ramës