MENU
klinika

Nis lëvizjet për “PD e re”

Basha mbledh Kryesinë, në datën 2 shtator Kuvendin

29.08.2023 - 08:03

Lulzim Basha nisi këtë jave procesin e ndërtimit të një partie të re demokratike. Të mërkurën Basha do të thërrasë kryesinë, e cila do të shqyrtojë statutin e ri të kësaj force politike dhe rendin e ditës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 2 shtator.

Lajmin e bëri të ditur vetë Basha, i cili zbuloi edhe logon. Ky ishte ndër vendimet e para që mori kryesia e partisë fill pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës kryetar. Mbledhja e organit më të lartë drejtues të partisë pritet të jetë një pikë kulmore e asaj se si do të jetë Partia Demokratike pa Sali Berishën. Axhenda e Kuvendit Kombëtar ka në rend dite: Ndryshime statusore; Vendime organizative në përputhje me vendimet statusore; Miratimi i axhendës politike të Partisë Demokratike.

Në këtë Kuvend do të bëhet miratimi i statutit dhe do të votohet këshilli i ri kombëtar. Më pas Basha do të zgjedhë ekipin, me të cilin do të drejtojë partinë, duke nisur nga sekretari i përgjithshëm tek nënkryetarët. Por Lulzim Basha sot drejton një parti disa herë më të vogël se ajo që ka pasur dy vite më parë, me vetëm 9 deputetë në krahun e tij. As demokratët që mbështesin Sali Berishën dhe as ata që janë pro sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi nuk e njohin atë si kryetar te PD.

Berisha i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të kërkuar logon dhe vulën e PD, ndërkohë që Gazment Bardhi i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për t’i kërkuar të shpallë të pavlefshme zgjedhjen e Lulzim Bashës. Kreu demokrat zhvilloi dje një takim më të zgjedhurit e kësaj force politike në këshillat bashkiakë. Gjatë fjalës së tij, Basha është shprehur se asnjë gjë që nuk është e mirë për qytetarët, nuk do të jetë as për PD-në. Kreu i PD shton se politikanët e zgjedhur, flasin për lloj-lloj gjërash, por asnjëherë për problemet e popullit.

“Në zgjedhjet e 14 majit, si rezultat i atyre shkaqeve që i dinë gjithë qytetarët, PD ishte larg rezultatit dhe përfaqësimit tradicional në Këshillat Bashkiakë në 61 bashkitë e vendit. Por pavarësisht luftës nga të gjitha drejtimet të atyre që duan të ruajnë këtë gjendje, nuk ia dolën ta pengojnë përfaqësimin e PD në çdo këshill bashkiak. Është gabimi më i madh të biem në kurthin e numrave. Diskutimi sot është mbyllur në një dhomë dhjetëra herë më të vogël se kjo, është mbyllur në numra, në pushtetin e pak njerëzve. Edhe numrat e mëdhenj jo gjithmonë u shërbejnë interesave të mëdha. Asgjë që nuk është e mirë për qytetarët tanë, nuk mund të jetë e mirë për PD-në. Ata që ulen për herë të parë si përfaqësues të votuesve, atëherë në këtë sallë gjendet jo vetëm opozitarizëm i vërtetë, por më shumë. Mbi 120 zëra, nëse kumbojnë për interesat e qytetarëve që ju kanë votuar, nuk janë pak, por janë shumë. Bëhen edhe më shumë po të kemi parasysh se në këtë situatë ku ndodhet vendi, të paktë janë zërat mes 140 deputetëve që flasin për hallet e njerëzve. Ne të gjithë jemi dëshmitarë dhe fajtorë që sot në debatin politik shqiptar, politikanët e zgjedhur apo të emëruar, flasin për lloj-lloj gjërash, por pak ose aspak për ato që kanë rëndësi për njerëzit”, deklaroi Basha.

Më herët, Lulzim Basha mori pjesë në ceremonitë e rastit të kthimit në Shqiperi të eshtrave të Qazim Mulletit. Ai kërkoi ndjesë që PD dhe demokratët nuk kanë nderuar si duhet në të kaluarën disa nga figurat e ndritura të vendit tonë, të cilat u denigruan më së shumti gjatë periudhës komuniste.

“Pavarësisht kësaj, propaganda komuniste njollosi figurën e tij, duke kujtuar me propagandën që denigron figurën e tij. Edhe pse zgjati më shumë se gjysmë shekulli, kjo gënjeshtër është e shpërberë. Eshtrat e Qazim Mulletit do të prehen në vendlindjen e tij. Shpreh vlerësimin për organizatorët që bënë të mundur këtë, por edhe të shpreh ndjesën e thellë të PD që në këtë rast dhe në raste të tjera ne nuk mundën ti qëndrojmë fjalëve dhe pozicioneve tona politike për nderimin e atyre figurave politike që i dhanë kaq shumë kombit por u denigruan dhe mbetën në errësirën e krijuar me kast nga regjimi komunist. Nuk është kurrë vonë të korrigjosh gabim. Prania ime dhe e dy zonjave anëtarë të është shenjë e qartë e kësaj pendese dhe këtij korrigjimi. Ndaj dhënia fund e kësaj propagande, hedhja e dritës shkencore mbi figurat publike dhe kombëtare duke përfshire edhe Qazim Mulletin është një angazhim politik i PD duke filluar me tekstet shkollore dhe duke vazhduar me institucionet”, tha Basha.