MENU
klinika

Analiza

Bota është ende e papërgatitur për një luftë bërthamore

06.08.2023 - 10:30

Ndërsa miliona njerëz po shohin në ëndje filmin më të fundit dhe të suksesshëm të regjizorit Kristofer Nolan, Oppenheimer, udhëheqësit globalë po mbajnë frymën pezull teksa  vazhdojnë të përshkallëzohen kërcënimet bërthamore nga ana e Rusisë.

Hija e katastrofës bërthamore ishte një nga temat kryesore të diskutineve në samitin vjetor të NATO-s në Lituani në fillim të korrikut, në vazhdën e agresionit të ri nga presidenti rus Vladimir Putin. Administrata e Xho Bajden i ka konsideruar si të besueshme kërcënimet bërthamore të Putinit.

Por realiteti i hidhur i momentit aktual, është se 80 vjet që nga fillimi i Projektit Manhatan të Robert Openhajmer, komuniteti global mbetet i papërgatitur për skenarin më të keq të një lufte bërthamore. Dhe ata që duhet të qëndrojnë vigjilentë, nuk janë vetëm politikanët, gjeneralët dhe diplomatët.

Një rol qendror në këtë përpjekje, duhet të luajnë edhe ata që janë të angazhuar në fushën e mjekësisë dhe bioteknologjisë. Ne duhet të shfrytëzojmë risitë e viteve të fundit, dhe duhet të arrijmë një përparim të dukshëm pikërisht tani.

Testet e sotme klinike mund të na japin trajtimet e reja të së nesërmes, duke na vendosur në një pozitë më të mirë nëse konflikti aktual  në Evropën Lindore, apo armiqësitë e ardhshme, përshkallëzohen në fund në një luftë bërthamore.

Natyra katastrofike e një lufte bërthamore, buron jo vetëm nga shpërthimi fillestar, por edhe nga pasojat. Ndërsa bombat atomike të Amerikës gjatë Luftës së Dytë Botërore vlerësohet të kenë vrarë më shumë se 100.000 njerëz në Hiroshima dhe Nagasaki vetëm pak minuta pas goditjes fillestare, helmimi nga rrezatimi që pasoi solli vdekjen e dhjetëra mijëra të tjerëve.

Dekada më vonë, armët bërthamore janë bërë më të fuqishme, por përparimet në trajtimet mjekësore për helmimin nga rrezatimi nuk kanë mbajtur ritmin e duhur. Sindroma Akute e Rrezatimit (ARS), ose helmimi nga rrezatimi, është një gjendje kërcënuese për jetën e shkaktuar nga ekspozimi i konsiderueshëm ndaj rrezatimit jonizues në një periudhë të shkurtër kohore, pra në vazhdën e një sulmi apo incidenti bërthamor.

Rrezatimi shkakton dëme të mëdha në trupin e njeriut, përfshirë stomakun, zorrët, enët e gjakut dhe palcën e eshtrave që prodhon qelizat e gjakut. Aktualisht, metodat tona për zbutjen e efektit të ARS synojnë kryesisht të trajtojnë dhe reduktojnë infeksionet dhe lëndimet që vijnë nga rrezatimi, siç janë djegiet e rënda.

Trajtimet gjithëpërfshirëse përfshijnë kryesisht transplantimin e palcës së eshtrave – një opsion që është i kushtueshëm, i pamundur për t’u shkallëzuar dhe praktikisht i padobishëm në rast të një aksidenti ose sulmi bërthamor në shkallë të gjerë.

Fatmirësisht, ka qeveri dhe pionierë në fushën e mjekësisë, të cilat janë të fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve moderne. Kompania ime e bioteknologjisë mori kohët e fundit një grant nga qeveria e SHBA-së për të studiuar efikasitetin e një trajtimi të ri që po zhvillojmë për ARS hematopoietike.

Nëse do të kemi sukses në testet klinike, trajtimi ynë me bazë qelizash mund të zgjidhë disa nga sfidat e vjetra mjekësore. Ato do të shmangnin nevojën për transfuzion gjaku, duke kursyer para dhe burime. Dhe ajo mund të administrohet në mënyrë proaktive me doza të kombinuara para dhe pas një ngjarjeje bërthamore.

Studimet paraprake flasin për një efektivitet në masën 95 për qind. Pavarësisht se nga vjen inovacioni, Kongresi i SHBA-së ka tani mundësinë të bëjë bashkë novatorët, në sektorin publik dhe privat, për të zgjidhur një nevojë globale. Është një mundësi e artë për një konsensus dypartiak të përqendruar tek shkenca dhe jo politika, dhe është pikërisht lloji i përgatitjes që nevojitet në këtë moment tejet të rrezikshëm.

Shënim:Yaky Yanay president i Pluri Inc., një kompani lidere në teknologjinë qelizore me selinë në Haifa, Izrael./

Burimi: The Hill

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"I gatshëm të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza nëse..."

Netanyahu zbardh kushtet e Izraelit

Ja pse lëvizja e Moskës ka “tërbuar” Uashingtonin

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane në Niger

Izraeli nuk heq dorë nga pushtimi i Rafahut

Pse sulmet e Tel Avivit mund të shkaktojnë një masakër?