MENU
klinika

“Xhirimet i ndiqte sigurimi dhe UDB-ja”

Çfarë ndodhi me “Prillin e thyer”, telefonata pas mesnate që detyroi Bekim Fehmiun të ndërpresë xhirimet e filmit

28.08.2023 - 17:57

AFRIM IMAJ

I mbritur në Bruksel në vitin 1966, pas një historie të bujshme arratie me 25 familjarë të tjerë nga Shqipëria e izoluar në majin e vitit 1958, Sakip Skepi, ka një histori me kontribute të spikatura në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Vijon nga numri i kaluar

Nga shumë ndodhi e të papritura në jetën e tij pas atij kapërcimi të përgjakshëm të Korabit kur ishte vetëm pesë vjeç, Sakip Skepi ka arkivuar në memorien e vet një mori ngjarjesh e ndodhish që i kanë dhënë peshë zërit të mërgatës shqiptare, të dashuruar marrëzisht me tokën e të parëve, Shqipërinë. Gjithçka në “Tokën e premtuar” dhe në lirinë e vërtetë i ka shkuar mbarë, kjo fal përkushtimit dhe vizionit të njeriut që dashuron lirinë dhe kontriubon për të dita ditës, pa harruar brengën e jashtëzakonshme për plagët e pashërueshme që kishte lënë larg në vendlindjen e dashur. Emri i mirë dhe karriera e suksesshme në sipërmarrjet e guximshme, patën si themel investimin e pandërprerë dhe shpërfilljen e vetkënaqësisë. Njëherazi me “Yllin polar” që Sakip Skepi e veçon me një ndjenjë krenarie.

E “Ylli polar” për të ishte Ismail Skepi, i ati, një burrë mendjendritur e e nacionalist i shquar jo vetëm i zonës së Dibrës. Mbështetja e këshilla e përditshme e tij, siç shprehet Sakipi, i ka “falur” çelësin e çdo suksesi, i ka ndriçuar rrugëtimin për t’u bërë dikush e për të mbetur kurdoherë shqiptar 24-karatsh. Ikja e tij i ka prerë krahët, po e ka motivuar të jetë më kërkues nga vetja e më i lidhur me vendin e të parëve. “Pa atë guximin aventuresk të babës për të kapërcyer Korabin atë natë maji të viti ’58, shton Sakipi, jetët tona do të rridhnin krejt ndryshe”.

Në vijim të rrëfimit për gazetën “Panorama”, ai tregon një histori të padëgjuar më parë në Shqipëri, që ka në qëndër përpjekjet e jashtëzakonshme për të realizuar me diasporën një film shqiptar ku flitet e aktrohet në shqip. Njëherazi sjell për opinionin profilin e një gruaje të rrallë dhe artisteje të madhe shqiptaro-franceze që pak njihet në Tiranë. Është mjaft domethënës përpulësia dhe emocioni si e përshkruan ai regjisoren Liri Begeja, e cila realizoi ekranizimin e romanit “Prilli i thyer”, film i cili ka marrë disa çmime ndërkombëtare.

Zoti Sakip, ju njiheni si një nga organizatorët e realizimit të filmit “Prilli i thyer”, në çfarë rrethanash u bë i mundur ekranizimi i romanit të Kadaresë dhe cila ishte shtysa?

Në fakt, shtysa e kësaj nisme, organizatorja dhe producientja e filmit ka qënë Liri Begeja, një rregjizore shqiptare që jetonte në Paris. Për shumkënd nga ne mërgimtarët e asaj periudhe ajo, përtej talentit të rrallë si artiste ka qënë një misionare e famshme. Një misionare e shquar e çështjes kombëtare. Vërtetë kishte lindur në Francë me baba shqiptar dhe nënë franceze, por Shqipërinë, kulturën dhe traditat tona i donte jashtë mase. Më shumë se një nismë e saj ideja e filmit “Prilli i thyer” kishte qënë e të atit të Lirisë, Ysuf Begesë…

Babai i saj ishte artist, ishte marrë me filma në Francë?

Ai nuk i përkiste botës së artit, por artin e donte me shpirt. Ishte gjëndur në Francë pas Luftës së Dytë Botërore. Ysufi ishte nga Tirana dhe në rininë e tij kishte qënë legalist. Me çlirimin e vendit kishte emigruar në Paris. Aty ishte martuar dhe kishte bërë fëmijët, po asnjëherë nuk e hoqi vëmëndjen nga Shqipëria. Teksa po plakej e i dukej i pamundur rikthimi në vendlindje, i kërkoi Lirisë të bënte një film për Shqipërinë. Atëherë Shqipëria ishte e izoluar dhe ishte tmerrësisht i vështirë udhëtimi për aty. Pa le të pretendojë të bëjë një film, që ishte diçka e pamundur…

Dhe e bija ia nisi aventurës për t’i plotësuar dëshirën të atit…

Në mos gaboj, fillesat e kësaj ideje datojnë aty nga viti 1976. Në përpjekjet e saj për të shkuar te subjekti i një filmi ku flitet shqip, Liria kishte përzgjedhur romanin e Kadaresë “Prilli i thyer”. E kishte lexuar e rilexuar atë disa herë dhe mbi subjektin e tij kishte krijuar strukturën e filmit…

Pse pikërisht romanin “Prilli i thyer” dhe jo ndonjë subjekt tjetër?

Shqipëria asokohe ishte totalisht e izoluar. Letërsia në këto kushte mbetej përherë e poletizuar. Heronjtë që duhej të prodhonte ajo nuk duhej ti kapërcenin kufijtë e ideologjisë komuniste. Kjo letërsi nuk i futej kujt në punë në perëndim. Ca më tepër Lirisë që atëherë ishte një regjisore me emër në Francë. Ishte kjo arsyeja kryesore që ajo zgjodhi një vepër të Kadaresë me subjekt nga lashtësia dhe traditat e hershme të shqiptarëve. Këtu nuk bëhej fjalë për politikë, as për heronj të mitizuar që prodhonte propaganda vulgare e regjimit. “Prilli i thyer”, ishte qasja me e arrirë për një film për Shqipërinë. Me realizimin e tij Lirija nuk përmbushte thjeshtë një dëshirë të të atit, por dhe një ëndërr të saj për autorësinë në një produkt “Made in Albania” Dhe ia doli. Kuptohet me ambicjen dhe këmbënguljen e jashëtzakonshme. Por, dhe me ndihmën e producentit të famshëm francez që e vlerësonte tej mase talentin e Lirisë.

Po ju si u gjendët në qëndër të kësaj nisme?

Me Lirinë njihesha më herët, por nuk më kishte qëlluar të takoheshim nga afër. Njihja mirë historinë e të atit të saj. Një histori shqiptare në perëndim me zanafillë nga tërmeti i fortë i pasluftës. Ajo atëherë ishte një emër i njohur në kinematografinë franceze. Ndërkohë që i ati i saj Ysufi, adhurohej shumë nga mërgimtarët shqiptarë në Francë dhe jo vetëm. Pak a shumë, këto lidhje më afruan te sipërmarrja për prodhimin e të parit film shqiptar në perëndim…

Ju kujtohet stafi që kishte Liri Begeja për përgatitjen e filmit…

Puna e Lirisë kishte nisur me lejen e Ismail Kadaresë për ekranizimin e romanit të tij. Pastaj, përpjekjet ishin fokusuan për gjetjen e bashkëpunëtorëve të ngusht me të cilët do të realizonte veprën. Në radhët e tyre, përveç njerëzve të filmit dhe artit, kishte afruar dhe të tjerë, kryesisht emigrant shqiptarë. Këta të fundit ishin “ushtria” që do lunate në sheshxhirimet e filmit. Se aty çdo gjë do ishte shqip.

Po ju si u bëtë pjesë e grupit realizues të filmit?

Në fakt, unë kam qënë në dijeni që në nisjen e procesit. Më saktë, në hapat e para të idesë për të ekranizuar romanin e Kadaresë. Në një nga ditët e verës së vitit 1976 një miku i Lirisë më thirri dhe unë shkova në takim me të. Ishte hera e parë që takohesha me regjisoren e famshme që e shfaqte gjithë krenari inteditetin shqiptar. Një zonjë grua sa dhe një artiste e madhe që të bënte për vete me rrëfimin e saj. Do kontribosh zoti Skepi, më tha se bashkarisht do të bëjmë një film shqiptar vetëm me aktorë të diasporës. Aty për aty vrava mendjen për ndonjë aktor shqiptar të diasporës, por nuk mu kujtua asnjëri. Po ja ti, më tha ajo, mund të jesh njëri nga aktorët. Pastaj, dhe shokët e tu. Do gjejmë dhe ndonjë aktor të huaj dhe bashkarisht kam besim se do ia dalim. Do prodhojmë filmin e parë shqiptar jashtë Shqipërisë. Mbeta ngusht, por në fund i dhashë fjalën dhe që nga ajo ditë mbeta pjesë e stafit të saj…

Për famën që kishte Liri Begeja, pse nuk kërkoi bashkëpunim me Kinostudion “Shqipëria e re” dhe aktorë nga Shqipëria?

Fama e Lirisë në Perëndim dhe jo vetëm, nuk zgjonte asgjë për Tiranën e viteve të komunizmit. Madje ajo stigmatizohej si një regjisore borgjeze, vajzë e një familje antikomuniste. Raportet me regjimin, vlerësimet e këtij të fundit për të, ajo i dinte fort mirë. E ndërgjegjëshme për këto rrethana të imponuara, zgjodhi rrugën e saj duke u mbështetur te diaspora shqiptare. Në fund të fundit, sikundër thoshte, filmi që kishte vendosur për ta realizuar, i dedikohej pikërisht asaj. Pra, pjesës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe në pamundësi të kthehen aty…

Si u realizua përzgjedhja e aktorëve në diasporë?

Nga Shqipëria kuptohet nuk mund të merrnim dot asnjë artist. Nga Kosova morën nëntë aktorë të teatrit, katër gra dhe pesë burra. Pjesa tjetër ishin aktorë amatorë. 150 syresh figurantë nga Belgjika e Franca. Të gjithë të arratisur në vite të ndryshme nga Shqipëria…

Është folë se ka qënë i ftuar dhe aktori i madh Bekim Femniu për të qënë pjesë e filmit, madje i ishte besuar roli kryesor…

E vërtetë kjo, po nuk shkoi mirë deri në fund. Kur morëm vesh se aktori i madh i skenës botërore do të loste në filmin “Prilli i thyer”, u gëzuam jashtë mase. Se nuk ishte diçka e zakonshme të kishim pranë, madje të aktronim me gjigandin Bekim Femniu. Shumkush nga ne e kishte ndjekur në realizimit e jashtëzakonshme që kishte bërë deri atëherë. Dhe e kishim idhull, krenoheshim me të. E kishm patur ëndërr një autograf të tij, një takim sado spontan dhe më në fund, një moment na buzëqeshi fati, u bëmë pjesë e të njëtit staf krijues…

Pse një moment? Bekim Femniu kishte firmosur kontratën, çfarë ndodhi që u tërhoq?

Është e vërtetë që Bekim Femniu ishte zgjedhja e parë e Liri Begesë në këtë sipërmarrje. Madje, ishte realizuar edhe kontrata me të nga producenti, por për rrethana të çuditshme ai u largua pa nisur xhirimet. Kështu ndodhi dhe me Enver Petrofcin që paraprakisht kishte renë dakort, por u tërhoq në minutat e fundit…

Cilat ishin arsyet që Bekim Femniu i ndërpreu xhirimet e filmit “Prill i thyer” dhe u kthye në Beograd?

Në fakt atëherë, por dhe tani që kanë kaluar kaq kohë askush nuk mund ta dijë arsyen e vërtetë. Shumkush mendon variante nga më të ndryshmet, po gjithnjë hipotetike. E vërteta është se ai erdhi në Paris për të nisur nga puna, pasi më herët ishte njohur e familjarizuar me skenarin dhe kishte rënë dakort për rolin që do të luante. Madje siç thoshte Liria i kishte pëlqyer profili i Princit të Oroshit që i ishte besuar. E mbaj mend si tani takimin në Paris. Për ne ishte diçka e veçantë shtërngimi i duarve me aktorin e madh me famë botërore. Folëm e biseduam disa çaste në hollin e hotelit. Ai kishte me vete dhe djalin e tij që nuk e fshihte gëzimin për takimin me bashkëkomësit në Francë. Bekimi fillimisht dukej optimist. Pyeti me sa mbaj mend Lirinë për ne, “ushtrinë” e figurantëve. Deri atëherë na kujtonte se ishim punëtorë nga Kosova të ardhur me lejen e Beogradit. Aty për aty, Liria i tregoi që pjesa më e madhe ishim nga Shqipëria të arratisur në kohë të ndryshme prej andej si kundërshtarë të regjimit. Me sa kuptuam nga mënyra si u shfaq pas kësaj, takimi i parë me këtë kategori nuk i la ndonjë shije të mirë. Megjithatë, biseda rrodhi bukur deri në mbrëmje vonë…

Dhe fill prej aty u largua…

Prej aty shkoi të pushojë në hotel. Ndërkohë ne prisnim me padurim të nisnim nga puna në mëngjes. Po mëngjezi erdhi me lajmin e papritur që Bekimi ishte larguar. Na i tha këtë Liria, që nuk e fshihte zhgënjimin e madh që kishte shkaktuar kjo ngjarje e beftë. Megjithatë, nuk duhet të tërhiqemi, na u drejtua ajo…

Nuk ua shpjegoi Liria pse ishte larguar Bekimi pas mesnate?

E dinte apo jo arsyen e largimit të Bekimit ajo, këtë nuk e morëm vesh. Na tha se kishte marrë një telefonatë në mensnatë dhe kishte vendosur ti ndërpriste xhirimet. Vetëm kaq. Ndërkohë, na shpjegoi se dhe Enver Petrovci ishte kthyer nga rruga. Thanë atëherë se vendimi i tij kishte ardhur pas një bisede me Bekim Femniun. Në të tilla rrethana na u prenë krahët dhe një moment menduam se filmi nuk do të realizohej. Po pse mund të tëhiqej një artiste e madhe si Liri Begeja.

E gjitha kjo nga një telefonatë misterioze pas mesnate…

Misterioze patjetër. Mistere nga ato që prodhonin asokohe shërbimet e fshehta, qoftë ai shqiptar, qoftë ai jugosllav. Ndërhyrjet e tyre i kemi ndjerë hap pas hapi deri në përfundimin e xhirimeve. Zbulimi shqiptar nuk mund të pajtohej me nismën e mërgatës antikomuniste për të prodhuar një film, ca më tepër me subjektin e romanit të Kadaresë. Po kaq i dëmshëm për të ishte dhe emri i regjisores, kësaj “borgjezeje” nga familje reaksionare. Halë në sy e kishte këtë sipërmarrje UDB-ja që i ndiqte këmba këmbës protestuesit shqiptarë që demontronin para ambasadave në perëndim kundër gjenocidit serb në Kosovë…

Çfarë roli ishte parashikuar të luante Bekim Femniu në filmin “Prilli i thyer”?

Bekimi ishte parashikuar dhe kishte pranuar të realizonte rolin e Princit të Oroshit. Liria më ka thënë se ai ishte dashuruar me këtë rol dhe prmtonte për ta nxjerrë bukur. Një princ të vërtetë të maleve shqiptare. Po gjërat nuk rrodhën ashtu siç menduam.

Po rolin e Enver Petrofcit kush e realizoi?

Enver Petrofcin e zëvëndësoi Reshat Sahitaj i estradës së Prishtinës, por së fundi kishte ardhur refugjatë në Belgjikë. Ka qënë njeri i mirë dhe me sedër, mik i Gani Azemit dhe Enver Hadrit. E realizoi fort bukur rolin. Ashtu si edhe Hajredin Islamaj që lojti rolin e Belimit. Ai ishte një aktor amator me tipare malsori, që kishte vështirësi në komunikim, por i kapërceu me vullnet e këmbnëngulje deri sa shfaqi një rol të pëlqyeshëm.

Kur filloi xhirimi i filmit dhe si u zgjodh terreni që të përafronte me relievin shqiptar?

Filmi nisi të xhirohet në tetorin e vitit 1986 në zonën e maleve të Konsigës në Francë një rajon ky që ngjason disi me zonat malore dhe bjeshkët në Shqipëri. Fundi i xhirimeve u realizua në një kështjellë në Toulouse në Jugun e Francës dhe u mbyll në 30 dhjetor 1986.

Ka pasur dhe aktorë të huaj, u kujtohen emrat e tyre?

Nga aktorët kryesor, në rolin e Gjergjit ka qënë Jean Claude Adelin, një aktor ky nga Belgjika. Në rolin e Dianës luante Violeta Sanchez, një aktore spanjolle. Në rolin e Besjan Vropsit Alexandër Arbat me origjinë nga vendet ruse. E gjithë pjesa e aktorëve të tjerë bashke me ata episodik e figurantë janë shqiptarë. Kam parasysh këtu Xhemil Vraniqin, Reshat Sahitin që kishin ardhur nga Kosova. Po dhe Sadri Shetën nga emigracioni që luajti rolin e babës së Gjergjit në film.

Kur u zhvillua premira e filmit dhe si u prit nga spektatorët?

Xhirimet mbaruan në dhjetor të vitit 1986. Pastaj vazhdoi puna në studio për montazhin dhe pjesët e tjera si muzika, piktura e anët e tjera të filmit. Premirën e kemi bërë në Bruksel në maj të vitit 1987 me praninë e një numuri të madh emigrantësh. Ka qënë ajo një ditë feste e vërtetë. Më shumë se një promovim vepre artistike ka qënë një demonstrim kulturor komëtar që përvijoi me takime të përmallshme emigratësh. Nga ky tubim kam të freskët takimin e Enver Hadrit që e ndiqte këmba këmbës UDBja me aktoren Zoja Kryeziu nga fisi i njohur i Gani e Ceno beg Kryeziu nga Gjakova e Kosovës. “Prilli i thyer” u bë shkak për t’i takuar pas shumë vitesh, sikundër dhe mjaft të tjerë të shpërndarë nëpër vendet e ndryshme perëndimore…

Ndërkohë, filmi nuk u shfaq në Shqipëri e Kosovë…

Tirana e Enver Hoxhës që bëri çfarë ishte e mundur ta ndalonte realizimin e tij, e shpalli “non grata” filmin “Prilli i thyer”. Marrëzi të tilla prodhonte ai regjim. Po “non grata” ishte shpallur asokohe regjisorja e madhe Liri Begeja, që në Francë e vlerësojnë shumë jo vetëm në qarqet kulturore e intelektuale. Çuditërisht, edhe pas kaq vitesh në demokraci filmi në fjalë akoma nuk është bërë pjesë e inventarit të kinematografisë shqiptare ku nuk mungojë dhjetëra syresh që nuk meritojnë tu kujtosh emrat për skematizëm, demagogji, madje dhe vulgaritet me heronj të mitizuar që nuk bënë kurrfarë heroizmi. Ndodh paradoksalisht kështu për një film me një mori çmimesh ndërkomëtare. I nominuar si vepër e parë për çmimin “Ceaserss”, në vitin 1988, i nderuar me çmimin e madh të publikut në festivalin e Lokarnos, seleksionuar në festivalin Telluride, Detriod 1991, nderuar me çmim të madh në Itali dhe seleksionuar si emision për “Award GlobenArt” në San Françisko etj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ceremonia mortore e Muharrem Bajraktarit në Bruksel

Sakip Skepi: Burrat që bënë histori në mërgatën shqiptare të Belgjikës

Flet Sakip Skepi: Rrugëtimi nga Shkupi në Bruksel për t'u bashkuar me mërgatën shqiptare

“Gostia në shtëpinë e Hasan Hoxhës që dogji zbuluesin e fshehtë Çufe Mullai”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit