MENU
klinika

Ngjarja e panjohur e ideuar nga Islam Skepi

Arratisja e bujshme në ’58, Rrëfimi: 20 orë luftë me kufitarët në Korab

23.08.2023 - 20:40

Sakip Skepi është një nga personalitetet e shquara të diasporës shqiptare me kontribute të spikatura në mbrojtje të çështjes kombëtare. I biri i një nacionalisti me emër nga zona e Dibrës dhe pinjoll i një familje atdhetare, ka mbërritur në Belgjikë në 11 Nëntor të vitit 1966, pas një historie të bujshme arratie me 25 familjarë të tjerë nga Shqipëria, e izoluar në majin e vitit 1958.

Ka pasur shumë ndodhi e të papritura në jetën e Sakip Skepit, por ajo e arratisë me prindërit dhe të afërmit, për të lënë pas të keqen, represionin dhe kalvarin pafund të vuajtjeve e mjerimit, ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Kjo padyshim për moshën e vogël që kishte asokohe, por jo vetëm për të. Ai kapërcim i përgjakshëm i kufirit, ku thoshin se nuk e kapërcenin as zogjtë e pyllit dhe jeta tjetër përtej kufirit shtetëror, ka shënjuar një nga kreshpat e paimagjinueshme në fantazinë e djaloshit që la në vendlindje vitet e para të fëminisë. Gjithçka më tej në “Tokën e premtuar” dhe në lirinë e vërtetë ka rrjedhur “kreshendo”, falë përkushtimit dhe vizionit të njeriut që dashuron lirinë dhe kontribuon për të dita-ditës, me brengën e jashtëzakonshme për plagët e pashërueshme që kishin mbetur larg në vendlindjen e dashur. Emri i mirë dhe karriera e suksesshme në sipërmarrjet e guximshme, patën si themel investimin e pandërprerë dhe shpërfilljen e vetëkënaqësisë. Njëherazi me “Yllin polar”, që Sakip Skepi e veçon me një ndjenjë përulje e krenarie. E “Ylli polar” për të ishte Ismail Skepi, i ati, një burrë mendjendritur e nacionalist i shquar jo vetëm i zonës së Dibrës. Mbështetja e këshilla e përditshme e tij, siç shprehet Sakipi, i ka “falur” çelësin e çdo suksesi, i ka ndriçuar rrugëtimin për tu bërë dikush e për të mbetur kurdoherë shqiptar 24-karatësh. Ikja e tij i ka prerë krahët, po e ka motivuar të jetë më kërkues nga vetja e më i lidhur me vendin e të parëve. “Pa atë guximin aventuresk të babës për të kapërcyer Korabin atë natë maji të viti ’58, shton Sakipi, jetët tona do të rridhnin krejt ndryshe”. Po si e kujton ai arratinë e atij viti

Zoti Sakip! Në një dokument të Ministrisë së Brendshme bëhet me dije se familja juaj bashkë me 20 të tjerë në vitin 1958 është arratisur duke thyer kufirin me një sulm të armatosur. Në çfarë rrethanash ka ndodhur kjo ngjarje e pazakontë dhe si ka lindur ideja e arratisë në mënyrë të organizuar?

Unë kam qenë i vogël, sa kisha mbushur 5 vjet. Atë natë e mbaj fort mirë në mend. Ishte një gëzim i jashtëzakonshëm që edhe sot më sillet në mendje si një film. Idenë për arratisjen e ka pasur babai, Islam Skepi. Ai sa kishte dale nga burgu ku vuajti disa vite vetëm për çështje politike dhe vazhdonte të mbetej në syrin e zyrtarëve të regjimit si njeri i rrezikshëm, kontingjent i klasave të përmbysura, si thoshin atëherë. Në fakt, im atë tregonte se burgun e kishte kaluar disi lehtë për faktin se të gjithë shokët e tij të luftës ose ishin vrarë ose ishin pushkatuar. Sa doli nga burgu në vitin 1951, nëse nuk gabohem, iu rikthye jetës normale në fshat. Nuk kaloi shumë dhe e morën ushtar, edhe pse ishte mbi moshë. Ushtrinë e bëri në Billisht të Korçës. Mbaroi ushtrinë me plotë peripeci, po nuk kishin të mbaruara telashet me regjimin, që e shikonte me syrin e njerkës. Goditja e parë erdhi me shpalljen e tij kulak dhe fill pas kësaj gjithë familjes i hoqën triskën e frontit. Kjo zyrtarizonte faktin se tashmë familja jonë mbetej një kundërshtare e betuar e vijës politike të shtetit. Po e keqja nuk mbaronte këtu. Shteti tashmë me mekanizmat e veta vëzhgonte hap pas hapi çfarë bënte Islami e familja e tij. Kjo, përveç fukarallëkut të tejskajshëm, e bënte jetën të padurueshme. Në këto kushte, tim atë e shikonte arratinë si alternativën e vetme për të shpëtuar veten dhe familjen. E mendoi kështu dhe nisi të përpunonte në mendje variantet si mund ta realizonte…

Përse kishte qenë në burg pas luftës Islami?

Fillimisht e kishin akuzuar për krime të rënda kundër pushtetit popullor, po gjatë procesit iu provua vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. U dënua diku tre vjet, por nuk I mbaroi se doli një amnisti dhe përfitoi. Nga burgu, siç thoshte, kishte ardhur dhe më i bindur se regjimi i instaluar pas luftës ishte antinjerëzor, e kjo sipas tij parakuptonte represion, fukarallëk dhe shkelje brutale mbi personalitetin e njerëzve, sidomos atyre që guxonin t’i kundërviheshin vijës politike të Partisë…

Në çfarë rrethanash jetonte familja juaj para arratisë dhe cilat ishin motivet që e shtynë për t’u arratisur?

Vetëm pak kohë pasi kishte dalë nga burgu, im atë kërcënohej seriozisht për t’u arrestuar përsëri. Miqtë e tij e kishin njohur me planin e degës së brendshme.. Sigurimi me sa dukej ishte penduar për lirimin nga burgu dhe kërkonte të hakmerrej për ta çuar prapë në qeli. Sigurisht, kjo e bënte jetën e tij dhe të familjes tmerrësisht të vështirë. Nuk bëhej fjalë për jetesë normale, por për mbijetesë. Ne ishin në fshat dhe babai nuk e kishte zanat bujqësinë. Jetonim me ato pak prodhime që nxirrnim nga oborri. Shkurt, ishin këto vuajtje që detyruan arratinë. Ishte një demonstrim politik. Mospajtim me sistemin, të cilin im atë e kishte kundërshtuar dhe luftuar që nga ditët e para.

Në dokumentet e sigurimit babai juaj figuron se vëzhgohej nga policia e fshehtë, ndërkohë që vetëm pak kohë para arratisë i është ndaluar survejimi. I plotfuqishmi që ka vendosur për të ndaluar survejimin e argumenton këtë me faktin që në atë periudhë kishit nisur të bënit një shtëpi të re. A ishte kjo me paramendim nga babai për të larguar vëmendjen e zyrtarëve të sigurimit, apo ka qenë diçka e rastit?

Po, është e vërtetë. Im atë e dinte se ishte pa ndërprerje i vëzhguar nga agjentët e sigurimit. Kjo jo vetëm për faktin që kishte qenë në burg, por më së shumti për pozicionin antiregjim dhe si një person me influence në zonë. Për ditë e muaj me radhë atë e përgjonin për tendenca arratisje. Në fakt, im atë që nga dita që kishte dalë nga burgu mendonte si e si të kapërcente kufirin. Vetëm këtë shikonte si shpëtim për vete dhe familjen. Mirëpo duhej të largonte vëmendjen e Degës së Punëve të Brendshme, se ndryshe mund t’i kushtonte shtrenjtë. Për t’ia arritur kësaj dhe për të humbur gjurmët nisi të merret me ndërtimin e një shtëpie të re, e cila nuk u ndërtua kurrë po mbeti në themele. Sakaq. Lajmi se Islami po ndërton një shtëpi të re shkoi deri në veshët e Sigurimit të Shtetit, që e ndiqte këmba-këmbës. E vërteta ishte se u ndërtuan vetëm themelet, për të cilat ishim lidhur me një usta, i cili vinte çdo javë të fillonte nga muret, po babai e zvarriste me pretekste nga më të ndryshmet. Herë I thoshte se kishte mbaruar buxheti, e herë-herë se nuk po gjente materialet që duheshin. Ndërkohë i pati ba planet e arratisjes dhe priste që në Gramë (aty ku do dilnim për të kapërcyer kufirin) të ulej sadopak trashësia e borës që të mundësonte lëvizjen pa shumë vështirësi. Mirëpo, pikërisht në këtë kohë, një muaj para se do të arratiseshim, babain e lajmëruan se duhej të paraqitej te kryetari i Degës së Punëve të Brendshme. Një lajm ky që e tronditi, sepse kujtoi që i kishin zbuluar planin…

Pra, një muaj para arratisë, Islamin e ka thirrur kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Peshkopisë dhe i ka denoncuar në sy planin për t’u arratisur…

Diku një muaj para se të merrnim rrugën për të kaluar kufirin, tim atë e patën thirrur në Degën e Mbrenshme – Peshkopi. Ishte periudha kur kishte nisur aksioni i kolektivizimit. Partia kishte nisur një fushatë për të sensibilizuar popullin që të aderonte në ekonomitë e përqendruara të krijuara rishtas, të cilat im atë i vlerësonte vdekjeprurëse për njerëzit. Sa mori letrën nga postieri për t’u paraqitur në degë, ai njoftoi xhajën tim, Haxhi Skepin dhe mikun tonë (dhëndrin Xhelal Xhilaga dhe u tha se duhej ta shoqëronin për në Peshkopi. Sakaq, i sqaroi se nuk bëhej fjalë për planin e arratisë sepse po të ishte kështu, nuk do t’i kishin çuar ftesë, por do të kishin ardhur për ta arrestuar në vend. Dhe bashkë me ta u nis në drejtim të Peshkopisë. Sa shkuan aty, im atë futet në degë dhe u thotë se e kishte kërkuar kryetari. Në atë kohë kryetar dege ishte një vlonjat me emrin Banush Goxha. Siç më ka treguar im atë, nuk ishte tip agresivi, po një burrë i qetë. Komunikoi fillimisht me sekretarin, i cili e drejtoi te zyra e kryetarit të degës. Ky i fundit sa u përball me të e priti me ashpërsi, çfarë e frikësoi babën se mos kishin zbuluar planin e arratisë. Të kam thirrur, i thotë kryetari se kam marrë vesh që po bën fushatë kundër kolektivizimit, bile këndon dhe këngë kundër aksionit të partisë. Im atë sakaq mori frymë thellë dhe aty për aty u qetësua, sepse nuk bëhej fjalë për planin e tij, çka i kishte djegur deri në ato çaste. Kur e merr fjalën, im atë, i thotë: Shoku Banush, nëse ju besoni se unê kam kendu kundra kolektivizmit, ma sjellni personin ketu të deshmojë, dhe unë do pranoj gjithë ato që më thatë sipêr. Të dal veç nje e të thotë se më ka degjuar ndonjëherë duke kenduar në public dhe unë jam gati të pranoj gjithçka. Sakaq kryetari u tërhoq nga qasja e tij dhe filloi të flas më shtruar. Pastaj një një atmosferë më të qetë e me mirkuptim, Banushi i banë njê propozim për ta bërë bashkpunëtorë. Ti je njeri me influencë, i thotë dhe njerëzit të besojnë, a bashkëpunon me mu… Me njê fjalê me u ba spiun. Im-atë që e mori vesh përse bëhej fjalë ia ktheu: Unë me ty bashkëpunoj, se njifesh si burr i mire, po desha diçka prej teje. Po folê ça do prej meje?, e kishte pyetur kryetari. Unë prej teje dua një pushkë, i kishte thënë baba. (Na duhej pushka pêr rrugê, se prisnim nga dita në ditë të niseshim). Pasi Banushi pranoi, i tregoi dhe planin tjetër: Unë do vij në fshatin tend Blliçe në ditën e tretë të Bajramit dhe do mbledh katundin për të të demaskuar ty publikisht, sipas platformës tonë, po ti mos u tremb.(Metoda komuniste kjo e përhapur gjerësisht asokohe, kur të demaskonin në publik ti ishe ba personi i tyre ) Dhe ashtu bëri, erdhi ne fshat në ditën e tretë të Bajramit, mblodhi krahinën mbarë dhe e demoskoi rende. “Ju keni ketu Islam Bajram Skepin që eshtê Armik i Popullit. Ky ka shpernda ketu armë; ka luftuar kundra nesh, mik me Halil Alinë e tjerë e tjerë.) Pra, loja deri diku i funksionoi Banushit, pavarësisht ç’mendonte im at. Ndërkohë, të nesërmen i çoi lajm të shkonte në degë për të marrë armën sikundër ishin marrë vesh. Im at nuk shkoi vetë për ta marrë, por çoi një djalë të ri, Qemalin (vëllanë e Xhelalit) dhe ai mori e mbështolli dhe u nis me kalë me ardh në fshat. Duke kaluar nëpër Drin me dalë në anën tjetër, kali ishte rrëzuar një çast dhe pushkën e mori lumi. Kaq ishte historia me Banushin që kujtoi se gjeti një bashkëpunëtor të devotshëm. Ndodhi që pas disa ditësh ne ikëm. Kur e mori vesh Banushi, u tërbua fare. Mblodhi të gjithë operativët e zonës me ba analizën. Njëri ndër ta, Shaqir Noka, guxoi dhe sy për sy iu kthye kryetarit: Ti e ke pasur deklaratën time prej kohësh në zyrë se Islam Skepi përgatitet të arratiset me familjen e Halil Alisë. Kjo mjaftoi që Banush Goxhon ta shkarkojnë nga detyra. Qëlloi pas ca kohësh që ai u takua me një kushëririn tonë, Xhemal Skepin, në Vlorë, i cili kishte punuar në ushtri me gradë Toger, por me arratisjen tonë e kishin çmobilizuar. A ke të bësh me Islam Skepin? e pyet. Kur Xhemali pohon se janë një fis, Banushi i kthehet: Siç ma ka hedh ai burrë askush nuk ma ka ba…

Cili ka qenë rrugëtimi i fshehtë nga shtëpia deri në kapërcimin e kufirit shtetëror. Në dokumentet e degës së brendshme të Dibrës flitet se për disa orë keni shkëmbyer sulm me armë me ushtarët e kufirit, ku ka mbetur i plagosur rëndë dhe një ushtar. Cila është e vërteta?

Operacioni i arratisë, nëse do ta quanim kështu, ka zgjatur plot 24 orë. Rrugëtimi ka qenë natën dhe i gjatë. U nisëm më 11 maj 1958, sa ishte bërë terr. Kemi qëndru për ca kohë në zabelin tonë që ndodhej ne ballë të shtëpisë duke prit që te bashkoheshim me të tjerët. Një pjesë vinte dhe nga zonat tjera. Kur u grumbulluam të gjithë siç e kishim lënë, u nisëm. U nisëm në formë kolone dhe kemi ecur tërë natën. Kur u zbardh dita, kishin mbërritur te bjeshkat tona (Gramë). Duke u ngjit në qafë, na panë rojet e kufirit. Por ngaqë kishte shumë borë, ata ishin poshtë, nuk arritën të na kapnin. Kjo ishte arsyeja që im atë priti që të binte pak bora. Sa na shquan rojet kufitare, filluan me na gjujtë me mitrolozë të rëndë. Ne ishim duke kapërcy qafen dhe aty im atë me xhajën, Haxhi Skepi dhe një dhëndër Xhelal Xhilagën, filluan të gjuajnë me pushkë. Disa çaste vazhdoi kështu kryqëzimi i zjarrit. Qëllonin kufitarët, qëllonim dhe ne. Në sulm e sipër u plagos njëri nga ushtarët. Këtë e mësuam kur dolëm në Jugosllavi dhe u dorëzuam tek autoritet. Aty na thanë se qeveria shqiptare kishte bërë protestë dhe kishte kërkuar që të na kthej, për faktin se kishim ba vrasje në kufi. Autoritetet jugosllave e kishin shpërfillur apelin e Tiranës zyrtare duke zbatuar konventën e Gjenevës dhe nuk na kthyen. Fatmirësisht, ne kaluam pa dëme kufirin. Ka qenë data 12 maj 1958 kur shkelëm në tokën jugosllave. E gjitha kjo zgjati tërë ditën. Nata na zuri në tokën jugosllave. Mos me u shpërqendru, nuk lëvizëm natën, me frikën se po dalim prapë në tokën shqiptare. Vendosëm e qëndruam tërë natën jashtë. Ndezëm një zjarr për t’u ngrohur dhe qëndruam aty deri në zbardhjen e ditës. Ishte shumë, shumë fetohtë. Pra, të nesërmen lëvizëm dhe ramë në fshatin e parë: Grevë! Aty, katundarët na kan ndihmuar shumë. Na dhanë me hëngër dhe lajmëruan autoritetet kufitare.

Cili ishte kontakti me autoritetet zyrtare të Maqedonisë dhe a pati përpjekje nga ato për t’u rikthyer siç ndodhte rëndom në raste të tilla?

Qysh kontakti i parë ishte shumë miqësorë me autoritetet jugosllave të kufirit. Ato na mbajtën një natë të tërë në një shkollë të fshatit Tanushë. Të nesërmen na morën me makinë dhe na dërguan në burgun e Idrizovës (i cili është funksional dhe sot). Aty nuk ishim të izoluar në biruca, por mund të lëviznim lirshëm në kazermat e burgut. Sakaq zyrtarët nisën pyetjet me secilin nga ne. Kuptohet me më të moshuarit dhe të rriturit. Gjithsej bëheshim 26 veta (3 plaka mbi 60 vjeçe, dy bebe 6 javëshe, dy fëmijë 5 vjeç, unë dhe kushërira ime dhe katër adoleshentë.) Të gjithë i pyetën sipas radhës, veç im atë jo. Për të erdhën zyrtarë të UDB-së nga Beogradi për ta marrë ne pyetje. Ata nuk erdhën me e pyet për arratisjen, por me e pyet për luftën që ishte ba në Fushë Alije Dibër, në të cilën një brigadë maqedonase mbeti aty dhe im atë ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në atë luftë. Po ashtu dhe mbi luftëra të tjera. Çdo ditë vazhdonin intervistimet. Në një moment im atë u frikësua duke menduar se do ta kthenin prapë nga që nuk e pyesnin fare për arratisjen. Kjo zgjati ca ditë. Im atë u tha haptas zyrtarëve se do pranonte burgun në Jugosllavi, vetëm mos ta kthenin në Shqipëri. Përgjigjja që i erdhi në fund se do ishte i lirë dhe do gëzonte statusin e refugjatit politik, e gëzoi jashtë mase. Para se me u larguar ua bëri një lutje: Unë kam ardhe e dorëzuar në shtetin jugosllav si mik dhe nuk do pranoj kurrë që të bashkëpunoj ose të bëhem diversant e të shkoj në Shqipëri me misione të caktuara.. Po qe se nuk më mbani si Mik, ju lutem më lini rrugë të dalë në Perëndim. Me një fjalë, refuzoj kategorikisht bashkëpunimin me UDB-në jugosllave. Për këtë vepër, unë si djalë i tij jam shumë krenar. Nuk na ndihmoi ekonomikisht kjo, por ne si familja mbajtëm qëndrimin që duhej mbajtur falë vizionit të tim eti. Kur them se nuk na ndihmoi ky qëndrim ne planin ekonomik, dua të shpjegoj se UDB-ja Jugosllave e kishte një metodë shumë vicioze. Ajo i përdorte refugjatët shqiptarë për misionet e tyre duke i dërguar në Shqipëri. Atyre u epte rrogë veç familjes dhe dyfish rroga. Atyre që nuk pranonin këtë mision, u jepte veç një rrogë për tërë familjen. Kjo na dëmtonte se ishim shumë të varfër dhe me shumë vështirësi e mbyllnim muajin. Fakt është që ndihma financiare që na jepte shteti jugosllav, vinte nga Organizata e Kombeve të Bashkuera për ndihmën e refugjatëve të vendeve komuniste. Por UDBja i keqpërdorte këto ndihma për interesat e veta politike…